pashka

Kryqi Është Mjeti i Shpëtimit

Gjatë vitit të fundit, që njihet dhe si viti pandemik i Covid-19, fjalët më të përmendura më shpesh janë vdekja, jeta dhe virusi. Lajmet e përditshme dhe fjalimet e udhëheqësve botërorë të japin përshtypjen e betejave të Luftës së Dytë Botërore, ku diskutimi ishte sa vdiqën çdo ditë dhe si do të shpëtojnë ata që janë nën ndikimin e virusit. 

     Pyetja e të gjithëve është si do të shpëtojmë?  Ka disa përgjigje, por shpresat më të mëdhaja janë tek vaksina. Kush merr vaksinën shpëton, të tjerët pa vaksinën janë të rrezikuar të humbasin. Ky realitet duket shumë i papranueshëm. Të duket si një film imagjinar në kohën kur shkenca dhe arritjet teknologjike të njeriut janë në pikat më të larta historike. 

     Mbaj mend kur isha student që jam përballur me pyetjen, kush të shpëton? Në atë kohë nuk ekzistonte realiteti që po përballemi tani, nuk kishte një virus si Covid-19. Por flitej për një virus tjetër që sulmon shpirtin e njeriut të quajtur “mëkat”. Ky shkakton ndarje nga Perëndia dhe pasoja të përjetshme. Ky virus, “ mëkati”, sjell vdekje shpirtërore, e cila është e përjetshme, e njohur me emrin Ferr.

      Shpirti i njeriut do të përballet një ditë me Krijuesin dhe gjykatësin e tij dhe të kësaj bote. Gjykatësi do të gjykojë udhëtimin tonë në tokë. Nëse nuk jemi marrë me çështjen e virusit që quhet mëkat, nëse nuk jemi vaksinuar kundër këtij virusi, humbja do të jetë e përjetshme, do të jetë larg Perëndisë. Por Perëndia në mirësinë e tij dhe faktin që na ka krijuar dhe na do, ka siguruar një vaksinë, Jezusin, kundër mëkatit tonë.

     Perëndia dërgoi birin e tij, Jezu Krishtin që të vdesë në kryq për mëkatin tonë dhe që u ringjall të treten ditë, që ne të kemi jetë të përjetshme me bollëk. Jezusi bëhet vaksina jonë, shpëtimtari ynë. Kushdo që e beson Atë do të ketë jetë të përjetshme në prezencën e Perëndise, e quajtur ndryshe Parajsë.

Si mund të shpëtohemi?

    Ne duhet personalisht ta pranojmë Jezu Krishtin si Shpëtimtar dhe Zot. Një varg në Bibël thotë “Megjithatë disa e pranuan dhe e besuan në të. Ai u dha atyre të drejtën të bëheshin fëmijë të Perëndisë” ( Gjoni 1:12).

      Krishtin e pranojmë me anë të besimit. Një varg në Bibël thotë: “me mëshirë jemi të shpëtuar. Vetvetiu nuk mund të bëni asgjë veçse ta pranoni me besim atë që Perëndia bëri për ju. Shpëtimin tuaj nuk e meritoni, por ai është dhuratë e Perëndisë. Askush nuk mund të mburret para Perëndisë për atë që ka arritur” (Efesianët 2:8-9).

     Krishtin e pranojmë me anë të një ftese personale. Një varg në Bibël thotë: “Unë (Jezusi) qëndroj para derës dhe trokas, kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj tek ai” (Zbulesa 3:20). 

Që tani ti mund ta pranosh Jezusin me besim përmes lutjes. Lutja është bisedë me Perëndinë. Perëndia e njeh zemrën dhe më shumë se fjalët dëgjon atë që thotë zemra.

 Një lutje e sygjeruar:

Zoti Jezus, kam nevojë për ty. Faleminderit që ke dhënë jetën për mua në kryq. Une e hap zemrën time dhe të pranoj si Shpëtimtarin dhe Zotin tim. Falemnderit që më fal mëkatet dhe që jep jetën e përjetshme. Ulu në fronin e jetës sime dhe udhëhiqe atë. Më ndihmo të bëhem ashtu si dëshiron ti të jem.

A shpreh kjo lutje dëshirën e zemrës suaj? Nëse po, në këtë çast mund të lutesh si më sipër. Ai di gjithçka, kështu që një zemër e sinqertë është ajo që ka rëndësi.

 

Previous Story

Kryqi-Dashuri

Next Story

PoJezus

IJR 2024