Marrëdhëniet tona janë komplekse. Mund të na ndihmojnë të lulëzojmë duke u rritur e zhvilluar, ose mund të na paralizojnë/frenojnë të jetojmë në një mënyrë të shëndetshme.
Të pasurit e kufijve të mirë do të na ndihmojë të lulëzojmë. Përndryshe, pasi e kemi pësuar, do të na duhet të mësojmë t’i themi dikujt që nuk kemi kohë të flasim tani, e deri tek t'i bëjmë të ditur dikujt se nuk kemi mundësi të bëjmë diçka për të në çdo kohë të mundshme. Në fillim, kur vendosim kufij do ndihemi në siklet dhe me një ndjesi të pakëndshme nëse nuk jemi mësuar me këtë. Ne mund të ndihemi jo rehat dhe madje të shqetësohemi se mund të kemi lënduar ndjenjat e dikujt, ose dikush do të mërzitet me ne nëse nuk ia plotësojmë një kërkesë të caktuar.
Kur vendosim kufij rregullisht, ne do të fuqizojmë veten për të krijuar llojin e jetës se shëndetshme që dëshirojmë të jetojmë. Do të zbulojmë se njerëzit e tjerë ndoshta nuk janë aq të ofenduar nga kufijtë tanë sa kishim menduar ne. Do ketë edhe nga ata që nuk do respektojnë kufijtë tanë, kjo thjesht do na ndihmojë te përforcojmë vendimin tonë që ne patjeter duhet të vendosim këto kufij të shëndetshëm nëse duam të kemi një jetë të shëndetshme dhe produktive.
Të mos pasurit e kufijve të qartë është shumë e dëmshme. Ne nuk jemi në gjendje të vendosim për përparësitë dhe gjërat më të rëndësishme në jetën tonë. Do të ndihemi të mbingarkuar, sikur gjërat na dalin jashtë kontrollit, ose sikur të gjithë po përfitojnë nga mirësia jonë.
"Kufijtë kanë të bëjnë me vendosjen e strukturës dhe struktura është thelbësore në ndërtimin e çdo gjëje që lulëzon." Henry Cloud
Këtu janë 10 shenja treguese që na ndihmojnë të vendosim kufij më të mirë e të shendetshëm në jetën tonë:
1. Themi ‘jo’ shumë rrallë
Ndonjëherë është e vështirë të thuash ‘jo’. Ndoshta sepse nuk duam të zhgënjejmë dikë, ose mbase nuk duam të pranojmë se tashmë jemi të mbingarkuar. Ne mund ta kemi të vështirë t'i themi ‘jo’ dikujt që duam të na pëlqejë. Nëse kemi një frikë të thellë se dikush mund të na braktisë ose do të mërzitet me ne, mund të zbulojmë se i themi ‘po’ çdo gjëje që ky person dëshiron nga ne. Është e pamundur t'i japim përparësi jetës dhe shëndetit tonë nëse nuk u themi ‘jo’ gjërave që nuk përputhen me atë që është vërtet e rëndësishme për ne.
2. Marrim më shumë përgjegjësi dhe detyra përsipër sesa mund të përballojmë në realitet
Ne shpesh mund të mbivlerësojmë veten tonë. Vetëvlerësimi jonë mund të varet nga të qenit një tip “superheroi/superheroine”. Nëse na pëlqen shumë kur njerëzit flasin për mënyrën se si ne jemi në gjendje të bëjmë disa gjëra që askush tjetër nuk mund t'i bëjë, mund të zbulojmë se pranimi i detyrave pothuajse të pamundura na bën të ndihemi më mirë - të paktën në fillim. Më vonë, është e tmerrshme kur kuptojmë se sa shumë punë do të duhet të bëjmë për ta realizuar atë që morëm përsipër.
3. Kërkojmë falje për gjërat që nuk janë faji ynë
Kur na mungojnë kufijtë, ne e gjejmë veten të kërkojmë falje sa herë që dikush e ka të vështirë me diçka – edhe nëse nuk ka të bëjë fare me ne. Kam punuar me shumë njerëz që e kanë bërë zakon të kërkojnë falje për pothuajse gjithçka që bëjnë. Ata kërkojnë falje para se të flasin në një takim ose kërkojnë falje kur thjesht po ecin në zyrë – duket sikur po kërkojnë falje që kanë zënë vend diku. Të kërkosh falje në një sasi të mjaftueshme është zakonisht provë se po merrni shumë përgjegjësi për njerëzit e tjerë – dhe ndoshta mund të përfitoni duke vendosur kufij pak më të shëndetshëm për veten tuaj.
4. Ulemi në nivelin e dikujt tjetër
Nëse nuk ndihemi rehat t'i kërkojmë dikujt t'i bëjë gjërat në një mënyrë tjetër, ose kur nuk mund ta justifikojmë veten në një situate të caktuar, e gjejmë veten të aprovojmë gjithçka që bëjnë të tjerët. Por, nëse kjo bie ndesh me mënyrën se si ne sillemi normalisht, duke vepruar sipas pëlqimeve të të tjerëve, kjo gjë do na marrë më shumë energji se sa duhet dhe do të na nxjerrë nga vetëvetja. Mbani mend, jo gjithmonë duhet të komunikojmë kufijtë tanë me fjalë. Ndryshimi i temës ose largimi është ndonjëherë një mënyrë më e mirë për të komunikuar kufijtë tanë.
5. Ankohemi shumë për dikë
Nëse e gjejmë veten duke u ankuar shumë për një person të caktuar, kjo është një shenjë se kemi nevojë për kufij më të mirë me atë person. Nëse kalojmë shumë kohë duke folur me partnerin tonë për një koleg që nuk na pëlqen, ose harxhojmë shumë kohë duke folur me dikë se si një person tjetër na lëndon ndjenjat, kjo është një shenjë që duhet të vendosim disa kufij më të mirë. Fakti që po ankohemi për dikë duhet të na sinjalizojë se duhet të trajtojmë situatën me kujdes duke vendosur kufij të shëndetshëm me personin në fjalë.
6. Humbim durimin
Mund të zbulojmë se nëse ndihemi nervozë shumicën e kohës, herë pas here ne e humbim qetësinë dhe durimin me njerëzit. Një studim tregon se nëse na duhet shumë kohë duke punuar për të rregulluar emocionet tona në një mjedis të vështirë pune, atëhere ne do të kemi më pak vullnet për të menaxhuar emocionet tona jashtë këtij mjedisi. Në thelb, nëse na duhet të investojmë shumë energji për të qenë të sjellshëm gjatë gjithë ditës me njerëzit që punojmë, mund të mos na mbetet asnjë ‘edukatë’ me njerëzit që jetojmë.
7. Fajësojmë të tjerët që na bëjnë të ndihemi në një mënyrë të caktuar
Nëse fajësojmë dikë që na bën të ndihemi keq ose të zemëruar, kjo është një shenjë që ne duhet të përqendrohemi në vendosjen e kufijve të mirë, që të pengojë këtë person të ketë këtë lloj ndikimi tek ne. Kjo mund të nënkuptojë të mos flasim me dikë që ka qëllim të na ulë poshtë, ose të largohemi kur fillojmë të mërzitemi. Të paturit e kufijve të shëndetshëm do të thotë që jemi ne ata që po marrim përgjegjësinë për t'u siguruar që të jetojmë në një mjedis që është i shëndetshëm për emocionet tona.
8. Ndihemi të pafuqishëm
Mungesa e kufijve mund të na bëjë të ndihemi sikur kemi zero fuqi mbi kohën, paratë ose jetën tonë. Nëse ndihemi kështu, duhet të bëjmë një hap prapa dhe të hetojmë kufijtë tanë. Ka të ngjarë të zbulojmë se vendosja e disa kufijve do të na fuqizojë të rifitojmë kontrollin mbi jetën tonë.
9. Kalojmë shumë kohë duke pasur frikë se do të takojme dikë
Jemi duke marrë pjesë në një ngjarje familjare me një të afërm që nuk na pëlqen? Kjo ndjenjë frike është një shenjë se kemi nevojë për një kufi me personin në fjalë. Ne mund të vendosim një kufi se sa kohë do të kalojmë duke ndërvepruar me atë person që ta mbajmë marrëdhënien të shëndetshme. Vetëm të paturit e një një plani dhe kufiri të qartë mund të zvogëlojë frikën tonë.
10. Përdorim aftësi jo të shëndetshme për të përballuar ngarkesat
Nëse po përdorim zgjidhje të shpejta për të na ndihmuar në përballimin e stresit, duhet t’u hedhim një sy kufijve tanë për të parë cfarë kemi nevojë të ndyshojmë. Ndoshta, po lejojmë dikë të na e ndërpresë punën shumë shpesh. Ndoshta po e përdorim teknologjinë më shumë se sa duhet. Ndoshta, po u themi ‘po’ gjërave që vërtet duhet t'u themi ‘jo’.
Vendosja e kufijve të qartë, do të na ndihmojë shumë për të reduktuar stresin dhe ngarkesën në jetën tone; për të lulëzuar në cdo stinë të jetës, kudo që jemi mbjellë.
Përkthyer dhe punuar për ijr.al nga Bela Memushi
© Very Well Mind
IJR 2025