ARTIKUJ

Si të jesh i suksesshëm dhe i kënaqur - pjesa 1

Si do ta përkufizoje suksesin? Ndoshta do të të dukej e lehtë t’i përgjigjeshe kësaj pyetjeje. Për një sportist, suksesi është të fitojë kupa, medalje, të thyejë rekorde; për një artist, të fitojë një Oskar apo çmime të ndryshme; për një afarist, të jetë drejtor ekzekutiv i sa më shumë kompanive; për një student, të dalë me rezultate sa më të mira apo të zgjidhet në Këshillin Drejtues të Unionit Studentor. Por, a është gjithmonë kaq e lehtë të përkufizosh suksesin?

Kuptimi i suksesit ndryshon sipas individit. Një fjalor jep këtë përkufizim: “Sukses = Përfundimi i mirë i diçkaje duke arritur qëllimin.” për të patur sukses, duhet të arrish qëllimin dhe të kënaqesh me rezultatin. Po nëse arrin suksesin dhe nuk je i kënaqur me rezultatin, a mund të bëhet fjalë për sukses të vërtetë?

4 Çelësa për suksesin

Në arritjen e suksesit kontribuojnë faktorë të ndryshëm. Ja disa prej tyre:

1.     Koncepti pozitiv për veten. Shefi të lavdëron përpara gjithë kolegëve për punën e mirë që ke bërë këtë muaj. A nuk do të të ndihmonte kjo për të krijuar një mendim të mirë për veten dhe për të punuar edhe më shumë? Do t’i thoje vetes: “Jam i zgjuar. Kështu thotë edhe shefi.” Sigurisht, ka njerëz që e vlerësojnë shumë veten, aq sa egoizmi i tyre ka sjellë probleme. Sidoqoftë, shumë psikologë janë dakord me Dr. Joyce Brothers, që thotë: “Një imazh i fortë pozitiv për veten është parapërgatitja më e mirë e mundshme për sukses në jetë.”

2.    Synimet e qarta. Një reporter pyeti tre elektriçistë që punonin në anijen kozmike “Apollo”, për punën që po bënin. I pari tha: “Po instaloj tranzitorët.“ I dyti u përgjigj: “Po ngjis me kallaj këto tela.” I treti tha: “Po ndihmoj për të çuar një njeri në hënë.” Cili prej tyre ishte më i motivuari dhe më i kënaquri? Ndoshta ai që e shihte punën e tij si pjesë të synimit të përgjithshëm. Pa një synim të qartë në jetë, detyrat e përditshme mund të bëhen të mërzitshme. Caktimi i ovjektivit në jetë rrit motivimin dhe kënaqësinë kur shikon se si ecën drejt atij qëllimi. 

3.    Puna e vazhdueshme. Çdo sportist e di mirë se nuk ka sukses pa një punë të lodhshme. Ajo që tregon karakterin tënd nuk është ajo që bën në sytë e njerëzve, por puna që bën kur nuk të shikon askush - në zyrë, në bibliotekë, në stërvitje. Nuk ka gjë në botë që të zërë vendin e këmbënguljes. Dallimi mes njeriut të suksesshëm dhe atij jo të suksesshëm qëndron pikërisht tek këmbëngulja, vendosmëria dhe puna e madhe. Ish-kampioni i boksit për peshat e rënda, James J. Corbett, thoshte shpesh: “Kampion bëhesh duke luftuar edhe një raund më shumë.” Suksesi kërkon punë të lodhshme. Një afarist që punonte shumë kishte në zyrë një tabelë ku shkruhej: “Lavdi Zotit që është e hënë!” Sigurisht që duhet ta kombinojmë punën me çlodhjen, por puna është thelbësore për suksesin. 

4.    Gatishmëria për të rrezikuar. Ingemar Stenmark, skiator i madh olimpik thotë: “Që të fitosh duhet të jesh gati për humbjen.” Suksesi shpesh ka si shok rrezikun. Asnjë njeri i suksesshëm nuk ka arritur gjëra të mëdha nga rehatia e karriges së vet. Zhvillimi, rritja dhe rezultatet mund të arrihen vetëm përmes guximit për të çarë përpara në horizonte të panjohur. Por, jo çdo përpjekje do të rezultojë në sukses. Prandaj ne duhet të jemi gati jo vetëm të marrim iniciativën, por edhe të rrezikojmë duke pranuar edhe 'dështimet' përgjatë rrugës. Thomas Edison ka thënë: “Unë nuk kam dështuar. Thjesht kam zbuluar 10 000 mënyra, që nuk funksionojnë.”

Por si lidhet suksesi me të qenit i kënaqur dhe i përmbushur me atë që ke arritur? Vazhdo leximin tek pjesa e dytë e artikullit për të zbuluar më shumë.

IJR 2024