Close
Advent-2025

Dita 2

“Ati Abraham pati shumë bij.”

Këto janë vargjet e një kënge të njohur për fëmijë. Vargjet vazhdojnë, “Unë jam një prej tyre, dhe ti je gjithashtu”, pastaj “le ta lavdërojmë të gjithë Zotin” (duke bërtitur emrat e gjymtyrëve tona). U njoha me këtë këngë në kishë dhe ajo mbart një të vërtetë të rëndësishme.

Ne e lavdërojmë Perëndinë sepse Ai e mbajti fjalën e Tij ndaj Abrahamit. Në Librin e Zanafillës, Perëndia i kërkoi Abrahamit të shkonte në një tokë të re ku Ai do ta bekonte, do ta shndërronte prejardhjen e tij në një komb të madh dhe do t’i bekonte të gjithë popujt e tokës nëpërmjet saj (Zanafilla 12:1-3).

Abrahami lëvizi me anë të besimit, pa e ditur se kur Perëndia do ta zbatonte planin e Tij. Ai nuk e pa premtimin të përmbushur gjatë jetës së tij. Por ai zgjodhi të adhuronte dhe ta ndiqte Atë edhe kur rrethanat nuk dukeshin si bekime. Në fund Perëndia e përmbushi premtimin e Tij për të bekuar të gjithë popujt e tokës duke dërguar Jezusin, të lindur nga familja e Abrahamit, për të paguar dënimin për mëkatet tona dhe për të falur secilin prej nesh që zgjedh me anë të besimit të besojë në Të dhe të marrë shpëtimin e Tij.

Dhe Ai bëri një premtim tjetër: Kur Krishti të kthehet, mëkati do të zhduket dhe të gjitha gjërat do të bëhen të reja. Ashtu si Abrahami, ne jemi në një kohë pritjeje. Nuk e dimë se kur Perëndia do ta përmbushë këtë premtim. Por ne mund të vazhdojmë duke ditur se do të hyjmë në shtëpinë tonë të lavdishme me Perëndinë, sepse Jezusi ishte i drejtë për ne. Ata që kanë zgjedhur të ndjekin Jezusin do të jetojnë përgjithmonë me Perëndinë në familjen e Tij, si bij dhe bija në besimin që kishte Abrahami.

Kjo është shpresa jonë. Kjo dhuratë është arsyeja jonë për të lavdëruar Perëndinë.

REFLEKTIM

Ndërsa shkoni te Perëndia në lutje, adhurojeni dhe falënderojeni Atë përmes fjalëve, këngëve ose shprehjeve të tjera të mirënjohjes për përmbushjen e premtimeve të Tij.

LUTU

Perëndi, faleminderit që përmbushe premtimin Tënd ndaj Abrahamit duke dërguar Jezusin për të marrë dënimin për mëkatet tona. Faleminderit që na bëre kaq shumë premtime të mira dhe që gjithmonë përmbush premtimet e Tua. Ne të besojmë Ty kur thua se do të vish përsëri. A do ta forcosh besimin tonë ndërsa presim që të rivendosësh botën tonë? Ne të duam Ty, Perëndi. Faleminderit që na do kaq shumë sa na dhe Jezusin.

LEXO

Romakëve 4

13 Në fakt premtimi për të qenë trashëgimtar i botës nuk iu bë Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet drejtësisë së besimit.

14 Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë të ligjit, besimi bëhet i kotë dhe premtimi anulohet,

15 sepse ligji prodhon zemërimin; në fakt atje ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje.

16 Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit, me qëllim që premtimi të jetë i siguruar për të gjithë pasardhësit, jo vetëm për atë që është nga ligji, por edhe për atë që vjen nga besimi i Abrahamit, i cili

17 (siç është shkruar: ''Unë të kam caktuar atin e shumë kombeve''), është ati i të gjithë neve para Perëndisë që ai besoi, i cili i jep jetë të vdekurve dhe thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin.

 

Previous Story

Dita 1

Next Story

Dita 3

IJR 2025