ARTIKUJ

DHURATA E KRISHTLINDJES

“Nëse gjejmë brenda nesh një dëshirë, të cilën asgjë nga kjo botë nuk e përmbush, atëherë me shumë gjasa jemi krijuar për një botë tjetër.” - C. S. Lewis

Në çdo kohë, në çdo vend, në çdo kulturë, e përbashkëta e gjithë njerëzimit është një shpirt i papërmbushur. Gjatë gjithë jetës sonë ne jemi të prirur të vrapojmë drejt gjësë së radhës, e cila do të na përmbushë, qoftë kjo paraja, arritjet, suksesi, martesa, familja apo reputacioni. Çuditërisht, edhe pasi i kemi arritur ato që duam, ende ngelemi me etjen për diçka më shumë. 

Natyrshëm lind pyetja, nëse asgjë nga kjo botë nuk e përmbush këtë dëshirë për qëllim dhe kuptim, atëherë mos ndoshta me të vërtetë jemi krijuar për një botë tjetër? Në këtë kërkim të shpirtit, ne vazhdimisht thurim plane e axhenda, me shpresën se dikur do t’a gjejmë përgjigjen.

Po sikur kjo dëshirë e brendshme të na jetë vendosur aty nga dikush tjetër, nga vetë krijuesi i shpirtit tonë? Imagjino për një moment që Zoti ekziston me të vërtetë dhe Ai ka një plan të caktuar për njerëzimin. Imagjino sikur plani i Tij të ndërhynte herë pas here në jetët tona. Po sikur plani i Tij të ndërpriste planet tona? Si do të dukej nëse Zoti do të ndërhynte që të na zbulonte veten e Tij, në mënyrë që të na jepte diçka pas së cilës të lidhnim kërkimin tonë për qëllim dhe domethënie?

Para gati 2000 vitesh, një grup njerëzish nga Izraeli ishin të bindur se kishte ndodhur pikërisht kjo gjë. Ata ishin aq të bindur, sa që shpenzuan dhe dhanë jetët e tyre në mënyrë që kjo ngjarje, ky moment në kohë, kur Perëndia ndërhyri në rrjedhën e historisë njerëzore, të dokumentohej për të gjithë brezat e ardhshëm. Sepse, vërtet, mesazhi i Krishtlindjes ishte për të gjithë brezat dhe për të gjithë kohërat. 

Krishtlindja na kujton se ajo dëshira që kemi brenda nesh për të gjetur kuptim dhe domethënie, nuk duhet injoruar. Është një kujtesë se ka një tablo më të madhe, në të cilën secili prej nesh është i ftuar të bëhet pjesë, dhe e cila na jep kontekst për të gjithë jetën tonë. 

Në Krishtlindjen e parë, vetë Autori i historisë zgjodhi të ishte pjesë e historisë tonë. Por përse do ta bënte Ai këtë?

Së pari sepse - “Perëndia e deshi aq botën…” Perëndia është dashuri. Ai e do atë që ka krijuar. Ai të do ty!

Së dyti sepse diçka na ndan - “Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet.” “sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë”.Bibla thotë se të gjithë njerëzit janë nën skllavërinë e mëkatit qysh prej Adamit - “Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan;”dhe “Sepse paga e mëkatit është vdekja”.

Së treti, Ai e bëri këtë sepse dikush duhej të paguante për mëkatet tona. Zoti zgjodhi të vinte vetë në formë njeriu për të marrë ndëshkimin që ne meritonim. “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.” “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”

Kjo është dhurata që Perëndia të ofron përmes Krishtlindjes. Por një dhuratë, që t’a përmbushë qëllimin e saj, duhet të pranohet nga marrësi. Vetëm kur e kuptojmë dhe e pranojmë këtë dhuratë mund të gjejmë qëllimin dhe domethënien për të cilën shpirti ynë kërkon në mënyrë të vazhdueshme. 

Ndoshta, ashtu si para 2000 vitesh, Perëndia po ndërpret edhe planet e tua sot, për të të bërë pjesë të historisë së Tij, për t’i dhënë kuptim dhe qëllim jetës tënde. Ndoshta ai kërkimi brenda shpirtit të është vendosur pikërisht nga Perëndia, në mënyrë që vetëm Ai ta plotësojë.

“Brenda shpirtit të njeriut ka një boshllëk, i cili nuk mund të mbushet nga asnjë gjë tjetër, përveç se nga Krijuesi i vetë jetës, nga vetë Perëndia.” - Blaise Pacal

A do e pranosh dhuratën e Tij?

 

IJR 2024