ARTIKUJ

BOSH

Carl Gustav Jung ka thënë, “Neuroza qëndrore e kohës sonë është zbrazëtia.” 

Zbrazëtia fizike është me siguri një karakteristikë përshkruese e një pjese të madhe të shqiptarëve. Aq më tepër në kohë të tilla inflacioni. Të mos kesh karburant, ushqim, para për të mbyllur muajin. Ta kesh shtëpinë bosh. Por nuk mendoj që Jung e ka pasur fjalën për zbrazëtinë fizike. Mund të jesh plot, mund t’i kesh të gjitha të mësipërmet dhe prapë të jesh i zbrazët, të ndihesh bosh. Ta kesh shpirtin bosh pavarësisht mbushullisë materiale. 

Në vazhdim Jung tha, “Rreth një e treta e rasteve që unë trajtoj, nuk vuajnë nga një neurozë e përcaktuar klinikisht, por nga pakuptimësia dhe zbrazëtia e jetës së tyre.”

Sido që të jetë, kur mendojmë për zbrazëtinë, apo për fjalën bosh, në mënyrë automatike dhe me të drejtë i veshim një ngjyrim negativ. Këto fjalë mund t’i shoqërojmë lehtësisht me fjalët zhngënjim, mjerim, dëshpërim, ankth, vuajtje. A je ndier ndonjëherë kështu?

Të gjithë ne kemi një dëshirë të madhe që jetët tona të kenë kuptim dhe thellësi. Pra, që boshllëkun që ndiejmë ta mbushim me diçka. Siç na ka treguar historia njerëzore në mënyrë të vazhdueshme, as paraja, as të mirat materiale, as seksi, as filozofia, as feja, as fama, as pushteti nuk arrijnë ta mbushin këtë boshllëk. Mjafton të shohim se sa shumë njerëz të famshëm kanë kryer vetëvrasje në kulmin e famës së tyre. Edhe kur kishin arritur gjithçka, ata ende ndiheshin bosh…

Çfarë pra, mund ta mbushë këtë boshllëk? 

Mendo për një moment, çfarë do të ndodhë nëse përdor benzinë në një motorr me naftë. Kjo do të sillte pasoja serioze për motorrin, pasi ai është krijuar për t’u mbushur me naftë. Në të njëjtën mënyrë, shpirti i njeriut është krijuar që të mbushet dhe të marrë kuptim nga një marrëdhënie e ngushtë me Krijuesin e vet. Çdo gjë tjetër me të cilën përpiqemi ta mbushim, do të na dëmtojë dhe do të na lërë bosh. 

Zoti nuk do që ne të endemi nëpër jetë, duke u munduar vetë, të mbushim boshllëkun brenda nesh. Në vend të kësaj, Krishti erdhi në botë për të na rikthyer tek Perëndia dhe për t’i dhënë kuptim jetës sonë përmes një marrëdhënie me Të.

Kjo është arsyeja përse fjala bosh tek ‘varri bosh’ është rasti i vetëm kur ka një kuptim pozitiv! Varri bosh është lajmi i mirë se Jezusi u ringjall dhe rrjedhimisht Ai vërtetoi që ishte Zot duke e mundur vdekjen. Ringjallja e Tij na jep shpresë! Varri bosh është antonim i zhgënjimit, sepse “shpresa nuk zhgënjen, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.”; antonim i mjerimit sepse “Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.”; antonim i dëshpërimit sepse “gëzimi i Zotit është fuqia juaj.”; antonim i ankthit sepse “gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju.”; antonim i vuajtjes sepse “Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.”

Këto janë premtimet e Zotit për ata që ia dorëzojnë jetën atij. Nuk janë premtime për një jete pa probleme, por premtime për kuptim, domethënie dhe mbi të gjitha shpresë. 

Së fundmi konsidero këtë ftesë: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju jap çlodhje…dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.”

 

_________________

* Citimet shkëputur nga Bibla (Romakëve 5:5, Psalmi 23:1, Nehemia 8:10, 1 Pjetri 5:7, Zbulesa 21:4, Mateu 11:28)

Nëse ke dëshirë të dish më shumë, ose ke pyetje plotëso formën e mëposhtme dhe do t'ju kontaktojmë.

 

IJR 2022