SHUMË GJËRA MUND TË NDODHIN NË SHTATË DITË

DITA 7

Kështu, “të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati, duke thënë: “Zot, na ra në mend se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: “Pas tri ditësh unë do të ringjallem”. Prandaj urdhëro që varri të ruhet mirë deri në ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t’i thonë popullit: “U ringjall së vdekuri”; kështu mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari.” Por Pilati u tha atyre: “Rojen e keni; shkoni dhe e siguroni varrin, si t’ju duket më mirë.” Dhe ata, pra, shkuan dhe e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin.” Ungjilli i Mateut 27:62-66.

 

Si do ishte (bota) nëse historia e Jezusit do të mbaronte të shtunën?

Autorët e ungjijve kanë shkruar qindra detaje mbi të premten e Jezusit. Jezusi tradhëtohet. Arrestohet. Sorollatet sa nga një “gjyq” në tjetrin. Tallet. Pështyhet. Goditet. Rrihet. Dënohet. Nxirret jashtë qytetit. Si një kriminel. Vihet në kryq. Deri të fryma e fundit. Varrit, një tip shpelle e vogël sipas riteve të kohës, i vihet guri. Gratë largohen. Erëzat duheshin bërë gati për trupin e të vdekurit në ditën e tretë.

Pastaj, vjen e shtuna. Heshtje. Errësirë. Qetësi. Vdekje. Asgjë tjetër!

Përse dishepujt e tij nuk flasin shumë për përjetimin e tyre të shtunën?

Ndoshta sepse s’kanë çfarë të thonë. ëndrra e tyre - Mbreti, Mesia i Perëndisë, Shpëtimi - prehet në varr. Aty ku nuk duhet të ishte. Shpresa mbaroi! Kur shpresa mungon, pllakos zia dhe heshtja.

Vetë Apostulli Pal, do të shkruante disa vite më vonë, se “...në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është edhe besimi juaj.” (I Korintasve 15:14)

Dhe atë të shtunën, ndjekësit e Jezusit, ishin duke jetuar orët e kotësisë së besimit të tyre.

Si do të ishte bota, me të vërtetën e Jezusit, të varrosur bashkë me trupin e tij?

Nëse Jezusi, një mësues i mirë, a profet, a thjesht një njeri i mençur, do të kishte vdekur si gjithë të tjerët, ndoshta sot do të ishe përballë një sistemi besimi, ku predikimet e Tij do të të ndihmonin të ishe vetë ti, një njeri më i mirë.  

Bota e përtejme do të ishte thjesht një koncept - do të kishim ca përgjigje por shumë pasiguri gjithashtu.

-

Do të ishe ndjekës i një mësuesi të vdekur, por një mësuesi ama, me shumë thellësi  mendimi. Me forcë argumenti. Me qartësi mesazhi. Do të kishim ndoshta një Jezus, të ngjashëm me shpotinë e pyetjeve të Sokratit, me magjinë e një tregimtari të jashtëzakonshëm, një model komunikimi me të tjerët.                               Do të ishte një mësues fantastik! Por i vdekur. Si atë të shtunë.

--

Në atë të shtunë, parashikimi më i mirë i mundshëm do ta bënte Jezusin një profet. Por, nëse vdiq të shtunën, ndoshta fama e tij do të zgjaste për ca kohë, derisa të zëvendësohej me një profet tjetër… e pastaj me një tjetër: më në modë, më i kohës. Siç ka pasur plot profetë që kanë ardhur pas Tij, duke theksuar mësime të ngjashme e të ndryshme me ato të Jezusit.

---

Do të ishtë një profet! Por atë të shtunë, ishte thjesht një profet i vdekur.

Ndoshta do ta mbanim mend si një mësues të mirë. Askush nuk gjeti faj tek Ai. Ai është simboli i së mirës që dergjet në vuajtje padrejtësisht. A nuk i keni parë filmat rreth tij që e paraqesin saktë padrejtësinë? Patjetër. Jezusi ishte një njeri i mirë që u vra pa asnjë arsye!

Ishte një njeri i mirë! Por "të shtunën" ishte një njeri i mirë i vdekur!

Të shtunën, ndjekësit e Jezusit rrojnë në pasiguri. Në paqartësi. Të heshtur. Sepse gjithmonë ka pasur mësues fantastik, profetë të zotit, njerëz të mirë - por të gjithë kanë vdekur. Dhe ata shpresuan se ky nuk do të vdiste. Historia mbaron aty.

Vetëm ringjallja do t’i përmbyste këto parashikime të zymta. Dhe atë të shtunë, kur Jezusi dergjej në varr, dikush tjetër kishte frikë, se mos Jezusi “ringjallej”... Se mos dikush “luante” me ringjalljen.

Prijësit fetarë të Izraelit, ata që e kishin çuar Jezusin drejt vdekjes, e kuptonin se ringjallja do t’iua hidhte poshtë teologjinë që kishin ndërtuar… ndaj, të shtunën, marrin masa që askush të mos ringjallet...

Kështu, “të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati, duke thënë: “Zot, na ra në mend se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: “Pas tri ditësh unë do të ringjallem”. Prandaj urdhëro që varri të ruhet mirë deri në ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t’i thonë popullit: “U ringjall së vdekuri”; kështu mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari.” Por Pilati u tha atyre: “Rojen e keni; shkoni dhe e siguroni varrin, si t’ju duket më mirë.” Dhe ata, pra, shkuan dhe e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin.” Ungjilli i Mateut 27:62-66.

Armiqtë e Jezusit e kanë dëgjuar deklaratën e Tij për ringjalljen. Edhe, të shtunën e heshtur, janë të vetmit që e kuptojnë, që vetëm ringjallja do të vërtetonte deklaratat e tij përpara vdekjes…

Dhe shkuan ta sigurojnë varrin! Me roje. Me vula.

Çfarë ironie! Kundërshtarët e nuhasin fundin e historisë.

Si do të ishte bota nëse historia mbaronte të shtunën? Do të shpresonim në ringjallje kur s’kishim parë e dëgjuar kurrë të ndodhte…

Një heshtje varri!

Ndoshta është dita sot, të mendojmë, si do të ishte vërtet jeta jonë, me të shtunën si fundin e historisë?

 

Shënim:

Ndoshta nuk je gati t’ia japësh zemrën Jezusit sepse nuk je i sigurt për të vërtetat rreth Tij. Nëse do të shqyrtosh të vërtetën e jetës, vdekjes dhe ringjalljës së tij

Previous Story

DITA 6

Next Story

RINGJALLJA

IJR 2024