SHUMË GJËRA MUND TË NDODHIN NË SHTATË DITË

DITA 1

Dhe kur ai hyri në Jerusalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: "Kush është ky?" (Mateu 21: 10)

 

Nëse keni shkuar ndonjëherë nëpër qytete të vogla, besoj se i keni vënë re sytë kureshtarë të qytetarëve që ju shikojnë me vëmendje.

Këto janë raste që ata nuk mund t’i humbin dhe shpesh bëjnë pyetjen: “Kush është KY?” Harrojnë dhe të përshëndesin njëri-tjetrin, vetëm që të shuajnë kureshtjen për personin më të ri që ka mbërritur në qytet. E njëjta gjë ndodh edhe në fshat, ku lajmi i parë është: “Ej, e dëgjove që kishte ardhur filani?’’

Tirana, si qytet i madh, duket sikur i shpëton kësaj kureshtjeje. Po edhe në Tiranë jemi njësoj: kemi interes për atë që ndodh rreth e rrotull nesh.

“Sot nuk paska trafik! Kush po vjen?” Të gjithë dalin duke ecur më këmbë. Pastaj radhë të gjata pritjeje. Orë të tëra duke pritur vizitorin e famshëm: për ta përshëndetur, për ta takuar, për një kujtim në foto me të. Ai mbërrin në aeroport. Niset drejt Tiranës mes kamerave televizive që e ndjekin në çdo hap. Dhe pastaj shikon njerëzit përmes xhamit të makinës që kalon pranë turmës me shpejtësi.

Disa e shohin nga afër. Disa e takojnë. Disa e prekin. Disa e dëgjojnë. Vizitori i famshëm mbaron vizitën e tij disaorëshe dhe pastaj nis rrugën e kthimit. Turma shpërndahet. Dhe qyteti kthehet në jetën e përditshme.

Ky është rituali i disa të famshmëve që kanë vizituar Tiranën në vitet e fundit.

*

Një turmë tjetër, shumë vite më parë, doli në rrugë për të pritur një person. Njerëzit, ashtu si të gjithë njerëzit, ishin kureshtarë për personin më të ri. Mbase kishin dëgjuar për të fjalë shumë të mira. Kureshtarë ashtu siç ishin, dolën ta prisnin. Ai trokiti në portat e Jerusalemit hipur mbi një kërriç. Turma që e rrethon nuk ka telefona për foto me të, por njerëzit heqin mantelet për t'i shtruar rrugën. Të tjerë s'kanë parrulla në duar, por presin degë palmash për ta plotësuar "tapetin e kuq". Askush nuk i orkestron thirrjet e tyre, por kori i tyre dëgjohet duke thirrur: "Hosana... Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!"

Lavdi Mbretit që ka ardhur për të na shpëtuar!

**

Përse kjo pritje për Jezusin?

Ai ishte thjesht një profet nga Nazareti i Galilesë. Përse turma po e pret si mbret? Përse po e nxisin drejt rrugës së pushtetit?

Nuk është thjesht zelli i një turme që ka gjetur një kandidat të mirë për mbret. Por janë miq dhe ndjekës të Jezusit, të cilët, pasi kanë jetuar rreth tri vite me të, e kanë kuptuar se ky është Mbreti i premtuar nga Perëndia për të çliruar Izraelin nga sundimi i armiqve romakë. Për t'u çliruar nga pushtuesi njëherë e përgjithmonë!

Dhe Jezusi bëri çmos t'ia tregojë turmës se ai ishte vërtet Mbreti. Ai kërkoi një gomar, një kërriç, për të hyrë në Jerusalem. Edhe turma, edhe ai vetë e dinë mirë deklaratën e profetit Zakaria, 500 vjet përpara kësaj të diele, se Mbreti zemërbutë do të vijë "hipur mbi një gomar, madje një pulisht..." (Zakaria 9:9).

Dhe ja ku u shfaq Mbreti, hipur mbi gomar, duke përshkuar tapetin e Tij të kuq.

Turma e di se një këngë këndohej prej brezash të tërë, për ta përkujtuar këtë ditë. Ishte shkruar për t'u kënduar kur të shfaqej Mbreti i premtuar. Kënga thoshte: "Hosana, Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit. Hosana në vendet më të larta!"

Ishte një këngë që i gëzohej shpëtimit të Perëndisë.

Hosana! Zot, na shpëto! Zot, faleminderit që po na shpëton!

Dhe ja ku u shfaq Mbreti, shpëtimtari, zemërbutë, mbi një gomar, duke përshkuar tapetin e Tij të kuq.

 

***

 

Atë të diel, njësoj si një personalitet botëror që viziton Tiranën e sotme, u shfaq një mbret në rrugët e mbushura të Jerusalemit. I gjithë qyteti e priti. Dhe nuk pritën për ta përcjellë, por e pritën për ta mbajtur në krye të vendit. E kishin gjetur më në fund Mbretin shpëtues, që do t’i çlironte nga e keqja...

Disa, që thjesht kanë dëgjuar brohoritjet, tani po pyesin: "Kush është ky?"

 

Jezusi. Profeti nga Nazareti. Mbreti! Ai që do të marrë në dorë mbretërinë e Izraelit. Akti i parë i dramës sapo ka filluar!

 

Next Story

DITA 2

IJR 2024