Close
ARTIKUJ

Një hajdut në parajsë

Në një kodër jashtë qytetit, tre kryqe u ngritën. Në mes ishte Jezusi. Në të dy anët e Tij, dy keqbërës.

Në kryq, në mes të dhimbjes dhe vdekjes, ndodh një bisedë e pazakontë. Luka 23:39–43 na e tregon këtë moment mes Jezusit dhe dy kriminelëve pranë tij. “Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve,” i tha njëri nga hajdutët Jezusit me një sarkazëm të hidhur. Këtu keqbërësi flet për shpëtim nga dhimbja fizike e kryqëzimit. Por nuk e kupton se pikërisht duke mos shpëtuar veten, Jezusi mund ta shpëtojë atë nga mëkati dhe nga gjykimi i Perëndisë, një fat shumë më i rëndë se vdekja fizike.

Nëse Jezusi do të shpëtonte veten, hajduti do të mbetej i humbur. Por duke dorëzuar jetën e tij, Jezusi hap një rrugë shpëtimi. Ai duhet të mbajë zemërimin e Perëndisë që ne të mos e mbajmë atë. Jezusi nuk erdhi rastësisht në këtë botë dhe vdekja e tij nuk ishte një tragjedi e papritur; ajo ishte pjesë e planit të Perëndisë për shpëtimin tonë.

Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. (Gjoni 3:16)

“A s’ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim? Ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi bërë, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe,” iu përgjigj dhe e qortoi krimineli tjetër.

Nuk e di sa shumë kuptonte ai në atë moment, por një gjë është e qartë: ai e kuptoi që Jezusi nuk e meritonte të vdiste. Përballë tij, ai pa pafajësinë e Jezusit dhe fajin e vet. Dy kriminelët e meritojnë të vdesin, ndërsa Jezusi jo: “ky njeri nuk ka bërë asgjë të keqe.”

Ai i kërkon Jezusit që të kujtohet për të: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde.” Atëherë Jezusi i tha: “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.” Kush është Jezusi që mund t’i thotë dikujt: “Sot, me mua, do të jesh në parajsë?” Si mundet të hyjë një person i tillë aty?

Bibla thotë që Jezusi ishte Perëndia që ishte përpara krijimit të botës; bota u krijua me anë të tij. Para 2000 e ca vitesh u bë njeri, lindi si një foshnjë, u rrit dhe jetoi si një njeri nga ne, por pa mëkatuar. Vdiq në kryq për të paguar për mëkatet tona, u bë kurbani i dënimit tonë. U ringjall në ditën e tretë dhe kushdo që beson në Jezusin ka jetën e përjetshme.

Shkuarja e hajdutit në parajsë na tregon që jeta e përjetshme është dhuratë nga Perëndia dhe vjen për këdo që pendohet dhe i beson Jezusit.

Po ti? Si do të reagoje nëse do të ishe i kryqëzuar me Jezusin? Është e vërtetë që ne nuk do të kryqëzohemi, por vdekjes nuk i ndahemi dot. Çfarë të bën të mendosh?

Unë, për vete, do të kuptoja padenjësinë time dhe dhuratën e Perëndisë për mua. Zoti të do dhe e ka dhënë veten në kryq për ty. Të ka falur çdo mëkat. Ai ka një plan të mrekullueshëm për ty. Ai do të fillojë të krijojë një gjë të bukur në ty dhe përmes teje.

Nëse do të pranosh Jezusin, mund ta bësh me një lutje si kjo:

Zot Jezus, e di që jam mëkatar dhe kam nevojë për Ty. Pranoj që nuk mund ta shpëtoj veten. Faleminderit që vdiqe në kryq për mëkatet e mia. Të besoj Ty dhe atë që ke bërë për mua. Të lutem, më fal dhe hyr në jetën time. Ndrysho zemrën time dhe më udhëhiq në rrugën Tënde. Nga sot, dua të të ndjek Ty. Amen.

IJR 2026