ARTIKUJ

10 KËSHILLA TË SINQERTA

A do të zbrisje nga treni? (shiko videon). Pse? Më poshtë janë listuar disa pika (kushte) për të të ndihmuar që të jesh në gjendje të zbresësh nga treni për personin e duhur!

1. Seksi nuk është ashtu siç prezantohet.

Kur isha në universitet, dashuria ishte dhimbje koke për mua, sepse seksi ishte “Perëndia” im. Si mashkull, mendoja për këtë ditë e natë. Prandaj dukej se seksi më përmbushte plotësisht; ishte si arritja më e lartë në adhurimin e “Perëndisë tim.” Por shpesh ndieja mungesë përmbushjeje më pas.

A ka qenë edhe për ty kështu? Nëse po, duhet të ndalesh dhe të mendosh: “Pse ndodh kjo? Pse ndodh që seksi, kur është kaq i rëndësishëm për mua, më lë me një ndjenjë zbrazëtie?”

Për shembull, ne blejmë makinën e ëndrrave tona, por pas ca kohe nuk na duket më aq “fantastike”. Në vend që ta kuptojmë se një makinë nuk mund të na kënaqë vërtet, ne zakonisht mendojmë në mënyrë të gabuar: “Epo, ndoshta nuk ishte makina e duhur. Do të marr një tjetër që do të më bëjë të lumtur.”

Por zbrazëtia vazhdonte. Kështu, më në fund, arrita në përfundimin që seksi paramartesor nuk ishte ashtu siç prezantohej. I bëhet shumë reklamë, po nuk është ashtu siç shfaqet nëpër filma. Po të ishte ashtu, do të ishte plotësisht përmbushës. Nuk do të ishte ajo “zbrazëti.”

2. Tani dua të tregoj më shumë respekt ndaj vajzave.

Vajzat shpesh nuk e kuptojnë plotësisht se ç’po ndodh, kur vjen puna te seksi. Domethënë, këndvështrimi i tyre mbi gjithë këtë çështje është shumë i ndryshëm nga i djemve. Shpesh një vajzë e justifikon seksin, duke thënë: “Por unë e dua!” edhe nëse ajo nuk ka dëshirë t’i hyjë kësaj pune. Pse ndodh kjo? Thuhet: “Vajzat përdorin seksin për të marrë dashuri; djemtë përdorin dashurinë për të marrë seks.”

Kjo funksionon kështu: vajza përfytyron që do të martohet me djalin një ditë; djali përfytyron çdo gjë që ai do të bëjë me vajzën, përpara sesa të shkojë t’u tregojë shokëve. Dhe ndërkohë që diçka brenda saj i thotë asaj se kjo është gjëja e duhur për të bërë, diçka brenda djalit i thotë atij krejt të kundërtën, megjithatë ai vazhdon. Pse? Për kënaqësinë fizike, padyshim, por gjithashtu mendoj edhe për një arsye tjetër: e bën atë që të ndihet burrë. Por në gjithë këtë ka një ironi të madhe, sepse ç’burrëri është të mashtrosh një vajzë?

Diçka që kam zbuluar është se, kur nderon një vajzë, ti po nderon veten. Pse? Sepse një ditë do të pendohesh dhe pendimi do të zgjasë shumë më tepër se kënaqësia. Në filmin Rob Roi, personazhi kryesor thotë: “Nderi është një dhuratë që njeriu ia jep vetes.” Kur nderon një vajzë, duke bërë atë që e di në zemrën tënde se është e drejtë (d.m.th., atë që është për të mirën e saj), ti nderon veten dhe sigurohesh që nuk do të jetosh me keqardhje dhe pendim për një kohë të gjatë.

3. Ajo është gruaja e dikujt tjetër.

Ajo që dua të them është kjo: shumica e vajzave me të cilat kam qenë, tani janë martuar me burra të tjerë. Kur e vendos veten në vend të atyre burrave, dëshiroj të mos e kisha bërë atë që kam bërë.

Kuptohet që, kur të martohem, nuk do të më pëlqejë ideja që dikush tjetër ka bërë ç’ka dashur me gruan time. Po ty? Do të të pëlqente ideja që dikush tjetër ka qenë me gruan tënde? Nëse tani ke një të dashur dhe ndihesh ashtu, mendo sa më e fortë do të jetë kjo ndjenjë për gruan tënde një ditë. Ajo vajzë gjithashtu është bija e dikujt. Po sikur ajo të ishte bija ime? Po sikur të ishte motra ime? A do të doja që një djalë të përfitonte nga ajo? Tani i shoh vajzat nga një sy tjetër. Ato janë gratë, bijat, motrat e dikujt tjetër.

4. Seksi ka shkatërruar miqësinë time më të mirë.

Unë kisha një shoqe në universitet. Ishte vajza e ëndrrave të mia. Me të s’kisha asnjë çast të mërzitshëm. Përputheshim në çdo gjë. Pritëm pak, dhe pastaj, me iniciativën time, filluam marrëdhëniet seksuale.

Seksi shpejt u bë fokusi kryesor i marrëdhënies sonë. Unë nuk doja ta njihja më në ndonjë nivel tjetër. Në vend që të afroheshim, filluam të largoheshim. Prandaj them që seksi më shkatërroi miqësinë më të mirë. Njerëzit bashkëveprojnë në nivele të ndryshme: emocional, mendor, fizik, shpirtëror. Por, kur  filluam të bashkëvepronim vetëm në nivelin fizik, kjo gjë i dogji pjesët e tjera të marrëdhënies sonë. Si rezultat, marrëdhënia si e tërë mori të tatëpjetën. Ne ndoshta do të ishim bashkë sot, po qe se do të kishim (kisha) pritur.

Këtë e kam parë të ndodhë në shumë marrëdhënie, jo vetëm të miat. Dhe mendoj se ka një arsye për këtë, që do ta shpjegoj më poshtë.

5. Seksi përpara martesës shkatërron pjesët e tjera të marrëdhënies.

Për mua, dy gjëra ndodhnin sapo kryeja seks me një vajzë. Kur e mendoj tani, mund të them se kjo ndodhte çdo herë, megjithëse atëherë nuk isha i vetëdijshëm për këtë. Këto dy gjëra ishin: 1) e humbisja respektin për vajzën (megjithëse nuk doja); dhe 2) ajo fillonte të mos kishte besim tek unë (megjithëse nuk donte).

Njoh shumë njerëz që kanë probleme martesore, sepse kanë qenë përfshirë në seks paramartesor. Ata hyjnë në martesë me mungesë respekti dhe mungesë besimi, dy domosdoshmëri absolute për shëndetin e çdo martese.

Megjithatë, askush nuk flet për këtë në publik. Filmat që përmbajnë skena me çifte që kryejnë seks përpara martesës, nuk e thonë këtë. Duket sikur askush nuk do ta pranojë që kjo është e vërtetë.

6. Pritja për të patur seks me gruan time, do të thotë seks më i mirë në martesë.

Unë do të hyj në martesë me më shumë respekt për të dhe ajo me më shumë besim tek unë. Një gjë kam mësuar: nëse një vajzë nuk i beson një djali, ajo nuk do t’i jepet plotësisht atij. Thellë në veten e saj ajo nuk ka dëshirë të rrijë me të.

Kjo funksionon kështu. Meqenëse “vajzat përdorin seksin për të marrë dashuri, dhe djemtë përdorin dashurinë për të marrë seks,” një çift kryen marrëdhënie seksuale përpara martesës. Vajza e bën këtë për të ruajtur marrëdhënien. Djali e bën këtë sepse ai e do këtë gjë edhe më shumë se vetë marrëdhënien. Pastaj, pas martesës, gruaja e mori atë që deshi: përkushtimin e burrit. Prandaj ajo nuk ka pse të përdorë seksin më për ta marrë atë. Dhe, për shkak se ajo mund të jetë e mërzitur me të që patën seks përpara martesës, seksi për të nuk është diçka e këndshme. Dhe djali, i cili nuk ka aq respekt për gruan e tij, për shkak të seksit përpara martesës, ende do seks, por jo si një përvojë lidhëse me gruan e tij. Ai thjesht do seks, dhe ajo e kupton. Kështu jeta e tyre seksuale në martesë është jo e bukur.

Nuk po i sajoj këto gjëra. Tani që e kam mbaruar universitetin dhe shumë njerëz rreth e rrotull meje po martohen, po e shoh këtë gjithnjë e më shumë. Ilaçi: pritja deri në martesë për të patur marrëdhënie seksuale do t’i japë burrit më shumë respekt për gruan dhe gruas më shumë respekt për burrin. Dhe si rrjedhim, ata do të kenë seks më të shpeshtë dhe më të mirë, sepse e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin më shumë.

7. Mospasja e marrëdhënieve seksuale me gra të tjera, do të thotë seks më i mirë në martesë.

Seksi është një gjë misterioze, që shkakton një lidhje të thellë midis dy njerëzve, edhe nëse e quajmë “të rastësishëm.” Problemi është ky: sa më shumë lidhem me vajza të tjera, aq më pak do të mund të lidhem me gruan time të ardhshme. Është si puna e një cope ngjitësi: sa më shumë ta përdorësh në sipërfaqe të ndryshme, aq më pak do të ngjitë. Pas ca kohe, nuk ngjit në asgjë.

Nëse lidhem me vajza të tjera përpara se të martohem, nuk do të mund të lidhem aq mirë me gruan time një ditë. Çdo ditë që kalon dhe unë i qëndroj besnik gruas sime të ardhshme, do të sigurojë që marrëdhënia me të do të jetë më e mirë.

Seksi paramartesor është tradhti bashkëshortore. Mund ta imagjinojmë se sa mund ta dëmtojë tradhtia bashkëshortore një marrëdhënie martesore; ndoshta seksi paramartesor ka afërsisht të njëjtin rezultat. Ai dëmton lidhjen e mundshme midis një burri dhe një gruaje.

8. Nuk kam pse të fle me një vajzë për të ditur nëse jemi apo jo “seksualisht të përputhshëm.”

Seksi është krijuar me qëllimin për ta plotësuar një marrëdhënie, jo për të qenë aspekti më i rëndësishëm i saj. Kjo është ajo që kam zbuluar. Ai duhet të jetë kremi mbi tortë, kur të gjitha aspektet e tjera të marrëdhënies funksionojnë mirë. Kam kuptuar se seksi do të jetë i mirë, nëse pjesa tjetër e marrëdhënies është e mirë. Prandaj e di që nuk kam pse të fle më përpara me gruan time, për të ditur a jemi të përputhshëm seksualisht. Nëse shkojmë mirë në çdo fushë tjetër, ana seksuale do të jetë në rregull.

Kur fokusohesh në pjesë të tjera të marrëdhënies dhe seksi nuk është fokusi kryesor, atëherë je i çliruar për të patur një jetë seksuale më të kënaqshme, pa presionin për ta bërë gjithmonë spektakolar. Prandaj mendoj se është më mirë të presësh.

9. Kam gjetur diçka më përmbushëse sesa seksi.

E di që po mendoni: “Po, po.” Por është e vërtetë. Në fakt, seksi më ndihmoi ta zbuloja atë diçka që ia kalon atij. Dhe ajo diçka nuk është në të vërtetë diçka, është një dikush. Është Perëndia.

Vetëm më dëgjoni edhe në këtë. E di që mund të tingëllojë si e ekzagjeruar, por, po ta shohësh në tërësi, ka kuptim. Perëndia na ka krijuar në mënyrë të tillë që, asgjë, përveç Atij, nuk mund të na përmbushë plotësisht. Ai e ka ndërtuar këtë në sistemin njerëzor dhe në secilin nga sistemet individuale. Dikush ka thënë: “Brenda çdo personi është një vakum në formën e Perëndisë që vetëm Perëndia mund ta mbushë.”

Kjo është arsyeja pse njerëzit ndërrojnë karrierën, partnerët, modën etj., sepse në kërkimin tonë për përmbushje përfundimtare, ne mërzitemi me gjërat (dhe njerëzit) që nuk na e japin këtë. Kështu që i flakim ato (ata) dhe kalojmë në diçka (ose dikë) tjetër, duke shpresuar se në to (ta) do të gjejmë atë përmbushje që po kërkojmë vërtet. Por problemi është se nuk kemi për ta gjetur kurrë, derisa të vijmë te Perëndia, sepse këtë vetëm Ai mund ta japë.

Perëndia na do shumë dhe do më të mirën për ne. Askush ose asgjë nuk është më e rëndësishme se Perëndia. E di që kjo është e vërtetë, sepse e kam zbuluar vetë. Zbrazëtia që kisha, pasi blija këtë e blija atë, pas aventurave seksuale, pas gjithë përpjekjeve për t’u përmbushur në jetë, mori fund kur e ftova Perëndinë në jetën time. Më specifikisht, kur ftova Jezu Krishtin në jetën time. Jezu Krishti tha: “Kush vjen tek unë, nuk do të ketë më kurrë uri, dhe kush beson në mua nuk do të ketë më kurrë etje.” (Gjoni 6:35). Këto fjalë u vërtetuan në jetën time. Kur fillova një marrëdhënie me Perëndinë, vakumi me formën e Perëndisë brenda meje më në fund u mbush. Nuk ndihesha më bosh. Si rrjedhojë, njohja e Perëndisë më ka dhënë një kënaqësi më të thellë sesa seksi.

10. Perëndia më ka dhënë forcën për të pritur.

U bënë vite që s’kam marrëdhënie seksuale. Do të doja të thosha se s’kam patur ndonjëherë, por s’mund ta them këtë. Më vjen shumë keq (dhe, siç thashë më përpara, ato kanë zgjatur shumë më tepër se kënaqësitë e momentit). Më vjen keq për mënyrën si i kam trajtuar vajzat. Jam i shqetësuar për stabilitetin e martesës sime të ardhshme (nëse dhe kur të martohem). Por Perëndia më ka ndihmuar të kapërcej veprimet e mia të së shkuarës dhe shqetësimet për të ardhmen. Ai është duke më ndryshuar dhe më ka ndryshuar shumë që tani.

Gjithashtu, Perëndia më ka dhënë aftësinë të pres deri në martesë për të patur prapë seks. Patjetër, hera-herës ka qenë e vështirë, por Perëndia më ka ndihmuar në këto vështirësi. Me Të të gjitha gjërat janë të mundura. Dhe çdo ditë, javë, vit që kalon, unë e di që do të kem një martesë më të mirë dhe më të fortë, sepse kam pritur. Përveç kësaj, sot kam një marrëdhënie më të fortë me Perëndinë, si rezultat i mbështetjes tek Ai në këtë fushë kyçe të jetës sime si burrë.

Ku t’ia fillosh?

Nëse do të jesh i sukseshëm në një marrëdhënie të ardhshme – si bashkëshort dhe baba – vendi më i mirë për të filluar është vetja jote. Zotësia nuk është në gjetjen e gruas së duhur apo të kesh fëmijët e duhur. Çelësi është ta fillosh me veten. Dhe marrëdhënia më e rëndësishme që mund të kesh – ajo që do të të bëjë një bashkëshort dhe baba më të mirë — është marrëdhënia me Perëndinë.

Perëndia është autori i seksit, dashurisë dhe marrëdhënieve në përgjithësi. Ai i krijoi këto gjëra që ne të kënaqemi me to. Dhe ne mund të kënaqemi plotësisht, nëse ndjekim planin e Tij për to. Kam zbuluar se Perëndia nuk është “moralizues.” Ai nuk thotë: “Bëj këtë” ose “Mos bëj këtë” kot. Kur Ai thotë: “Mos e bëj këtë” (për shembull, prit deri në martesë për të patur seks), Ai nuk po e thotë këtë thjesht për të treguar se kush urdhëron këtu. Po e thotë këtë për të mirën time. Ai po e thotë sepse e di si më ka ndërtuar mua si burrë, çfarë është më e mira për mua dhe çfarë do të më sjellë përmbushjen më të plotë.

_______________________________

Për më shumë mbi temën e seksit dhe pyetjet rreth tij, ju ofrojmë librin "Faktet Lakuriq'' të autorit Josh McDowell.

për të marrë librin falas kliko tek download

IJR 2024