Shqipëri, mos fli këtë Krishtlindje!

 

Kur Betlehemi ishte në gjumë

Ishte parashikuar që Mesia - i vajosuri i Perëndisë, Mbreti i Përjetshëm i Izraelit, njeriu Jezus dhe hyjnia Jezus - do të vinte në Betlehem, asokohe një qytezë e vogël e Izraelit.  Ndërsa qyteza flinte ndodhi ngjarja që ishte pritur prej shekujsh, e vazhdon të përkujtohet prej shekujsh.

A e vunë re banorët e Betlehemit se çfarë ngjarje humbën atë natë të qetë?

Mirë foshnjen, por si humbën shkëlqimin e Yllit lart në qiell, yll i cili i solli dijetarët nga Lindja në një udhëtim të gjatë e të mundimshëm?! Si nuk e dalluan dot? Mirë foshnjen në një dhomë të vogël, por si humbën korin e engjëjve? Si humbën zhurmën e barinjve që vrapuan rrëmbyeshëm për të gjetur foshnjen? 

Kur Tirana është në gjumë

Tirana nuk është aq e qetë sa Betlehemi. Sidomos këto ditë Dhjetori. Drita gjithandej, zhurma njerëzish që zënë radhë për të bërë një foto me karrocën plot drita ngjitur  pemës së lartë me Yllin në majë… Këngët e Krishtlindjes përcjellin gjallërinë që s’para haset në ndonjë kohë tjetër të vitit…

Por njësoj si në Betlhemen, duket sikur qyteti “fle” për të dalluar dorën mrekulluese të Perëndisë, që me ardhjen e Jezusit në tokë, ka hapur një rrugë për ne për të shkuar në qiell…

Tiranë, a do që të njihesh në histori si qyteti që refuzoi të dallojë Shpëtimtari, Mesian?

Kur Shqipëria është në gjumë

Shqipëri, mos e lër këtë Krishtlindje që të shkojë përpara teje si një natë e qetë, pa asnjë ndikim... Sepse, përvec se do të dallohemi në histori, si qyteti që nuk ka dalluar Mesian, do të humbash mundësinë për paqe.

A do të vazhdojmë të jetojmë duke bërtitur njëri-tjetrit për një vende parkimi, të shtyjmë njëri-tjetrin në radhë të gjata sepse kjo botë na ka mësuar të jemi gjithmonë të parët duke shtyrë, a do të vazhdojmë akoma të vrasim njëri-tjetrin për gardhe, të dëmtojmë njëri-tjetrin sepse kemi një zell për të marrë me dhunë atë që s'na takon, a do të vazhdojmë të kënaqemi me padrejtësinë e të nderojmë vjedhësit, a do të vazhdojmë të gjejmë zgjidhje duke zëvendësuar mbretërit e përkohshëm, të cilët nuk pushojnë së kënaquri lakmitë e tyre egoiste e të lëmë pa dalluar Mbretin e Përjetshëm, a do të vazhdojmë të “shohim punën tonë” e të mos dallojmë nevojat e të tjerëve? A do të vazhdojmë të kërkojmë fajtorë gjithmonë te tjetri, të vazhdojmë të ushqejmë urrejtjen për tjetrin? 

A do të vazhdojmë të flemë ndërsa Mbreti po na viziton?

Shqipëri, mos rri në gjumë... 

Afrim Karoshi, Strategjitë Digjitale të Institutit Jeta e Re.

P. S. Historia e Jezusit nuk mbaron me Krishtlindjen. Me gjithë shkëlqimin e dritave të lindjes së Krishtit, Mesia nuk kishte ardhur thjesht për të na vizituar. Në materialin më poshtë, zbulo arsyen e vërtetë të ardhjes së Jezusit në tokë. 

Kujdes! Ky mesazh, mund të të ndryshojë jetën për mirë! Lexo edhe na kontakto nëse ke nevojë për ndihmë!

IJR 2025