Zbulo

Mrekullia më e madhe

 

Autori i njohur britanik C.S.Lewis ka thënë:

''Mrekullia qendrore e pohuar nga të krishterët është mishërimi. Ata thonë se Perëndia u bë njeri. Çdo mrekulli tjetër shërben si përgatitje për këtë, e shfaq këtë mrekulli, ose është rezultat i saj.

Në historinë e krishterë Perëndia zbret për t’u ngritur sërish lart. Ai zbret poshtë, nga lartësitë e qenies absolute në kohë dhe hapësirë, zbret poshtë mes njerëzimit… deri në vetë rrënjët dhe tabanin e natyrës që Ai ka krijuar.

Por Ai zbret, për t’u ngjitur përsëri dhe për të sjellë botën e shkatërruar me Vete. Përfytyroni imazhin e një burri, i cili përkulet poshtë e më poshtë për të hyrë poshtë një barre të madhe dhe të ndërlikuar. Ai duhet të përkulet për ta ngritur barrën, Atij pothuajse i duhet të humbasë poshtë barrës përpara se, në mënyrë të pabesueshme, të drejtojë shpinën e tij dhe të shkojë përpara me gjithë barrën e madhe që tundet mbi supet e tij.

Ose mund të përfytyroni një zhytës, i cili si fillim zhvishet, hedh një vështrim përreth, pastaj zhytet në ujë, zhduket, noton drejt thellësive nga ujërat kaltra e të ngrohta drejt ujërave të errëta e të ftohta, zbret poshtë në trysni edhe më të mëdha duke hyrë kështu në zonat thuajse të vdekura të llumit, baltës dhe prishjes; pastaj nis të notojë sërish për lart, sërish drejt ngjyrave dhe dritës, mushkëritë sa nuk po i shpërthejnë, dhe ja papritur kërcen në sipërfaqe, duke mbajtur në dorë gjënë e çmuar që kullon, të cilën zbriti për ta rifituar. Që të dy kanë ngjyrë tani që kanë dalë në dritë; atje poshtë, aty ku gjendej thesari ishte pa ngjyrë në errësirë, aty edhe ai e humbi ngjyrën e tij.

Në këtë zbritje dhe ringjitje të gjithë do të dallojnë një model të njohur, diçka të shkruar gjithandej në botë. Ky është modeli i gjithë jetës bimore. Çdo bimë duhet të zvogëlohet e të bëhet një farë e vogël, e fortë dhe thuajse e vdekur, ajo duhet të bjerë në tokë: prej aty nis e ringrihet jeta e re.

Nëse e pranojmë, doktrina e mishërimit e vendos këtë parim edhe më fort në qendër. Modeli gjendet në natyrë, sepse ishte fillimisht në Perëndinë. Të gjitha rastet e përmendura rezultojnë të jenë veçse pasqyrime të temës hyjnore në një shkallë më të ulët.”

Me një mrekulli që ia tejkalon të kuptuarit njerëzor, Krijuesi hyri në krijimin e tij, i Përjetshmi hyri në kohë, Zoti u bë njeri - që të vdesë dhe të ringjallet për shpëtimin e të gjithë njerëzve.

700 vjet para lindjes së Jezusit, profeti Isaia profetizoi për ardhjen e Tij duke thënë: “Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t'i venë emrin Emanuel, që do të thotë: ‘Perëndia me ne” Jo vetëm që lindja e Tij do të ishte një mrekulli unike dhe e paprecedent, por edhe më i mahnitshëm ishte fakti se ky person do të ishte Vetë Perëndia në mish, mes nesh!  

Mesazhi i Krishtlindjes është dashuria e Perëndisë për ty! Arsyeja përse Zoti vetë erdhi në tokë për të jetuar një jetë pa mëkat, për të vdekur dhe për t’u ringjallur ishte sepse Ai na do, dhe dëshiron që ne ta njohim Atë.

A ke dëshirë ta njohësh Zotin personalisht? 

Nëse ke pyetje rreth Jezusit, Krishtlindjes apo besimit të krishterë, na shkruaj dhe do të të kontaktojmë.

 

IJR 2024