ARTIKUJ

SKËNDËRBEU SHQIPTARI SHEMBULLOR

Shqiptarët janë një popull i veçantë; me tipare e karakteristika të ndryshme nga të tjerët. Skënderbeu pasqyron dukshëm disa prej këtyre tipareve gjithëshqiptare që duam ti theksojmë në këtë dritare të revistës. Kësisoj, vëmë në dukje një shembull që duhet njohur, vlerësuar dhe ndjekur.

Asnjë i ngjashëm me të

Dukshëm Skënderbeu ishte një udhëheqës i lindur, i vetëdijshëm për cilësitë e tij. Rrallëherë në historinë e shqiptarëve, - për të mos thënë ky është rasti i vetëm, - kemi dëshmuar për një njeri që është i aftë të ngrihet mbi tiparet e tij të dukshme prej udhëheqësi në shërbim të interesave të kombit.

Ai ishte i zoti të vlerësonte të tjerët si të barabartë me veten, duke fituar respektin e bashkëkohësve të tij. Lekë Dukagjini e vlerësoi duke thënë “babai ynë, dhe udhëheqësi ynë.” Ai e ka merituar titullin Hero Kombëtar i shqiptarëve dhe s’ka një të dytë që ti afrohet.

Luftëtar i hapësirave të lirisë

Është lehtësues fakti që Gjergj Kastrioti luftoi jo si pushtues por si mbrojtës i lirisë së tij dhe të popullit që përfaqëson. Ndonjëherë heronjtë e reklamuar në modernitet janë njerëz që e vendosin lirinë e të tjerëve në funksionon të emrit të tyre të madh.
Shembuj të të mëdhenjve që e vendosin veten në shërbim të të tjerëve janë të rrallë. Mund të krenohemi me shqiptarin Skënderbe që e vendos veten në shërbim të bashkëatdhetarëve të tij, për t’i mbrojtur nga një pushtues që jo vetëm do të marrë tokë, por edhe do të pushtojë hapësira që shkon përtej territorit fizik.

Një shqiptar europian

Pavarësisht se kultura të ndryshme përçojnë vlera pozitive, shqiptarët e kanë gjetur veten në zemër të një realiteti europian: një realitet kryesisht i ngritur mbi vlera të krishtera që thekson barazinë e njerëzve përpara ligjit, lirinë e zgjedhjes së vlerave shoqërore dhe të besimit, dhe respektin e ndërsjellë për “të ngjashmit” si krijesa të Zotit. Gjergj Kastrioti përmes përpjekjeve të tij për t’u mbrojtur nga turqit otomanë, e ka konfirmuar këtë prirje të shqiptarëve drejt idealeve të europës. Jehona e sjelljes së tij, vazhdon edhe sot kur po përpiqemi të konfirmojmë këtë prirje duke pritur të lëvizim në pjesën tjetër të Europës pa viza e të jetojmë mes tyre si shqiptarë. Kastrioti madje ka bërë edhe një hap tjetër të pashembullt: bashkë me burra të tjerë të Europës së asaj kohe, ai ka ndikuar që këto vlera të qytetërimit perëndimor që sot i marrim si shembull për ti arritur, në të vërtetë janë ruajtur prej ndikimit të Skënderbeut. Kështu, ne mund të krenohemi që një shqiptar si ne, ka ndikuar që Europa të jetë ideali i shqiptarëve të sotëm.

Një burrë me bindje

Pak është theksuar më përpara që Gjergj Kastrioti kishte besim tek Zoti. Europianët e kanë quajtur “atlet të krishtërimit”. Pavarësisht se një pjesë e shqiptarëve të sotëm nuk do të binin dakord me zgjedhjen fetare të Skënderbeut, ai është një shembull për tu vlerësuar.
Gjergji na vërteton që besimi tek Krishti nuk të ndalon të jesh një qytetar model dhe ti shërbesh vendit tënd. Ndonjëherë mendojmë që besimi është thjesht një zgjedhje personale që s’ka ndikim në mënyrën se si jetojmë. Kastriotasi na dëshmon që jo vetëm që besimi ka vlerë, por ai e ndikon kryekëput mënyrën se si jetojmë. Gjithashtu, besimi nuk është një zgjedhje për “të dobëtit”. Në fakt, krejt e kundërta është e vërtetë: besimi është një zgjedhje që kërkon burrëri – ose vajzëri, për vajzat! Me fjalë të tjera, kërkon njerëz që i shqyrtojnë çështjet, kthjellohen për realitetin, dhe marrin vendime duke mbajtur përsipër edhe pasojat e vendimeve.
Do të ishte e vështirë të jesh shqiptar i shekullit XXI pa një model për të ndjekur. Fatmirësisht e kemi një model: Heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

IJR 2024