Gjuha e dashurisë është mënyra se si dikush ia shpreh dashurinë dikujt tjetër. Kjo gjuhë është e ndryshme për njerëz të ndryshëm.
Prandaj, në çdo marrëdhënie mund të lindin keqkuptime e mosmarrëveshje, për shkak se njerëzit flasin gjuhë të ndryshme dashurie.
Depozita e dashurisë
Çdo njeri ka depozitën e tij të dashurisë, që do të thotë se ka nevojë emocionale për të qenë i dashur nga të tjerët: nga prindërit, shoqëria, i dashuri/e dashura, burri/gruaja.
Kur dikujt ia shprehin dashurinë sipas gjuhës që e kupton, depozita e tij e dashurisë mbushet, në të kundërt do të ndihet sikur të tjerët nuk e duan.
Në çdo marrëdhënie ku dashuria nuk shprehet në gjuhën që kupton personi, do të lindin probleme, për faktin se njerëzit nuk ndihen të dashur.
Pesë gjuhët e dashurisë
Në përgjithësi njihen pesë gjuhë të dashurisë, të cilat po i renditim më poshtë.
1-Fjalët e përgëzimit.
Njerëzit që kanë gjuhë dashurie fjalët e përgëzimit, vlerësojnë afirmimin verbal, 'të dua' të shpeshta, fjalë inkurajimi, dhe komunikim të shpeshtë digjital, si për shembull mesazhe dhe komunikim në media sociale. Shfaqjet e shkruara dhe të folura të dashurisë kanë më shumë rëndësi për këta njerëz. Këto shprehje i bëjnë ata të ndihen të kuptuar dhe të vlerësuar.
2-Koha cilësore.
Njerëzit të cilët kanë si gjuhë dashurie kohën cilësore ndihen të dashur kur personat e tjerë shprehin në mënyrë aktive dëshirë për të kaluar kohë me ta. Ata ndihen të dashur kur i dëgjon në mënyrë aktive, krijon kontakt me sy dhe je aty 100% prezent. Kjo gjuhë dashurie ka të bëjë me dhënien e vëmendjes tuaj të pandarë ndaj atij personi të veçantë, pa shpërqendrimin e televizionit, telefonit ose ndonjë ndërhyrje tjetër të jashtme. Ata kanë një dëshirë të fortë për të kaluar kohë aktive me të dashurit e tyre, duke bërë biseda domethënëse ose duke bërë së bashku aktivitete rekreative.
3-Dhuratat.
Kjo është një gjuhë mjaft e drejtpërdrejtë dashurie: ndihesh i/e dashur kur njerëzit të japin "simbole vizuale të dashurisë". Nuk bëhet fjalë për vlerën monetare, por për mendimin simbolik që qëndron pas dhuratës. Njerëzit me këtë gjuhë dashurie njohin dhe vlerësojnë procesin e dhënies së dhuratave: mendimin e kujdesshëm, zgjedhjen e qëllimshme të dhuratës për të përfaqësuar marrëdhënien dhe përfitimet emocionale nga marrja e saj. Njerëzit, gjuha e dashurisë së të cilëve është të marrin dhurata, kënaqen duke u dhuruar diçka që është fizike dhe kuptimplote. Çelësi është t'u jepni gjëra kuptimplota që kanë rëndësi për ta dhe të pasqyrojnë vlerat e tyre, jo domosdoshmërisht tuajat.
4-Veprat e shërbimit.
Nëse gjuha juaj e dashurisë është shërbimi, ju e vlerësoni kur partneri juaj bën gjithçka për ta bërë jetën tuaj më të lehtë. Janë gjëra të tilla si t'ju gatuajë supë kur jeni të sëmurë, të bëjë gati kafen në mëngjes ose të mbarojë një porosi për ju kur keni pasur një ditë të ngarkuar në punë. Kjo gjuhë dashurie është për njerëzit që besojnë se veprimet flasin më shumë se fjalët. Ndryshe nga ata që preferojnë të dëgjojnë se sa shumë kujdesen për ta, njerëzve në këtë kategori u pëlqen t'u tregohet se si vlerësohen. Bërja e veprave të ndryshme të shërbimit iu komunikon atyre se i doni dhe i vlerësoni.
5-Prekja fizike.
Projektet kërkimore kanë treguar se bebet që mbahen në krahë, puthen, përqafohen, zhvillojnë një jetë emocionale më të shëndetshme, se ata fëmijë që lihen për një kohë të gjatë pa kontakt fizik. Për personin që ka gjuhë parësore prekjen fizike, mesazhi që ai merr me prekje, flet me zë më të lartë se sa fjalët “Të dua”. Instiktivisht, në kohë krizash, kur dikush po kalon vështirësi, ne e përqafojmë. Pse?? Sepse është një komunikues i fuqishëm i dashurisë. Intimiteti fizik dhe prekja mund të jenë tepër afirmuese dhe të shërbejnë si një lidhës i fuqishëm emocional për njerëzit me këtë gjuhë dashurie.
Është shumë e rëndësishme që jo vetëm të dish gjuhën tënde parësore të dashurisë, por edhe gjuhën parësore të dashurisë të personit tjetër.
Pasi ta dish, është e rëndësishme të fillosh ta flasësh atë. Nëse nuk e flasim gjuhën parësore të dashurisë së personave të tjerë, ka shumë mundësi që personat e rëndësishëm në jetën tonë nuk do ta kuptojnë që ne i duam.
Në fund, le të mos harrojmë që dashuria është zgjedhje. Zgjidh të duash në gjuhën që njerëzit e tu të dashur e kuptojnë.
IJR 2024