Rreth oxhakut në katin e dytë të kullës kisha dëgju shpesh për darkën e fundit.
Sesi një njeri i rrethit të afërt që Jezusi i kishte dhanë bukë e tradhëtoi atë.
Sesi Krishti u lau këmbët nxënësve të vet. Në mendjen e një fëmijë këto ishin në kufijtë e përrallës dhe legjendës.
Ma vonë kur e lexova ungjillin kuptova madhështinë e javës së mundimeve. Kuptova madhështinë e asaj vepre të larjes së këmbëve.
Me një akt krejt kundër zakoneve të kohës ku larja e këmbëve bëhej nga shërbëtori ma i ulët i shtëpisë, Jezusi merr peshqirin e mbush legenin me ujë. Një autoritet i tillë nuk e kishte ba kurrë nji gja të tillë. Ndërsa darkonin nxënësit e tij haheshin me njëri tjetrin për pozita drejtuese krah Jezusit në mbretërinë e re. Njani prej tyne kishte ba pazar me jetën e Krishtit për t`ua dorëzu autoriteteve.
Në një të enjte si kjo Jezusi jo vetëm shkërmoqi pisllëkun e djersën e këmbëve të pluhrosura të nxënësve të tij, ai shkërmoqi një model egoist të udhëheqësit diktator, të udhëheqësit veç për vete në dëm të të tjerëve dhe shpalosi në botë modelin e udhëheqësit shërbëtor , e udhëheqësit që e përul veten për të ngritur tjetrin.
Ndërkohë që dishepujt ziheshin për poste e pozita Jezusi me një peshqir u thante këmbët duke ju thanë se në mbretërinë e re më i vogli është më i madhi, e kush do me qënë i madh duhet me shërbye e me dhanë veten me sakrificë.
Një ditë më vonë ai do jepte edhe jetën në një mision hyjnor që me anë të gjakut e tij të pastër do të bëhej shlyerja për gjithë papastërtinë e rracës njerëzore për mëkatin, për qëndrimin e qëllimshëm për ta jetuar jetën pa Krijuesin.
…Mbaj mend që isha shumë i mërzitun me Judën që tradhëtoi Jezusin… Me atë rrëmbim fëminor po të kisha qënë në atë darkë do kisha mbërthy për fyti Judën.
Kjo e enjte më kujton që jo çdokush që ha në sofrën e Jezusit është me të. Java e mundimeve para pashkës më kujton se ai që e brohoriti të dielën e palmave si mbret ju çjerr zëri të premten për ta kryqëzuar. Ai që e thirri mbret e thirri dhe kriminel.
E Jezusi lau këmbët atij që do ta tradhëtone , ai të premten i fali (fali o Zot se nuk dinë çfarë bëjnë) ato që i ngulën gozhdët në kryq dhe të dielën ndërsa e la bosh varrin nuk i mbajti inat nxënësit të dashur që e kishte rënë mohit gjatë gjyqit të së enjtës. Madje e caktoi atë si udhëheqësin e nxënësve të tij.
Ç'dashuri, ç'sakrificë, ç'shembull!
Një e enjte si kjo më kujton se kush asht Zoti im. Se kush asht mbreti im.
Nga Agustin Prenga
Reflektim mbi Darkën e fundit
IJR 2024