Perspektivë

Të ndeshesh me një virus më të keq se Covid19

Nga Aldo Rustemi

            Kjo që po kalon bota sot është e pazakontë. Frika i ka kapluar të gjithë. Përpjekjet për të frenuar përhapjen e virusit Covid-19 ka mbyllur shtete të tëra brenda në “shtëpitë” e tyre. Jo vetëm njerëzit, por edhe tregjet financiare janë tronditur duke paralajmëruar një recension të pashmangshëm. Dhe të gjitha këto po i shkakton një armik i padukshëm, por real. Të gjithë vrasin mendjen se kur do të rregullohen gjërat, që jeta të vazhdojë normalisht si në ditët e zakonshme.

            Megjithatë, këto ditë mua më vijnë në mendje të tjera pyetje: A ka qenë ndonjëherë bota normale apo në rregull? Pse paskemi prirje për të kërkuar siguri? Pavarësisht se sot Covid-19 e ka marrë të gjithë vëmendjen, a nuk ishte bota jonë (në atë të ashtuquajturin normalitetin tonë) plot me vjedhje, vrasje, korrupsion, sëmundje dhe vdekje?

            Po, ne jemi në një krizë, nuk po e mohoj, dhe uroj të kalojë shpejt.  Por kur e gjitha të mbarojë, a do do jetë vërtetë gjithçka normale apo në rregull, siç kemi tendencën të themi këto kohë.

            Unë dua ta tërheq vëmendjen tek një virus më i keq që mendoj se e bënë botën tonë të mos jetë në rregull, edhe kur nuk jemi në pandemi. Pa e nënvlerësuar aspak këtë që po kalojmë tani, jam i mendimit se ekziston një betejë më e madhe me të cilën ndeshet njerëzimi që prej fillimit te ekzistencës së vet. Është një virus tjetër i padukshëm që na ka mbërthyer të gjithëve. Ai është një virus i llojit më të keq, më shkatërrues, e padyshim njëqindpërqind vdekjeprurës. Ai virus është mëkati ynë.  Simptomat e tij janë shumë lehtë të dallueshme në jetët e çdo personi.  Në Bibël, tek libri i Romakëve kapitulli tre, na shpjegohet kështu gjendja e njeriut e “infektuar” nga virusi i mëkatit:

“Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një. Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi; këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak; në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë, dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes; nuk ka druajtje të Perëndisë para syve të tyre” Romakëve 3:10-18.

            Ndryshe nga Covid19, përhapja e këtij virusi nuk frenohet me higjenë personale, pasi çdo njeri në botë lind i “infektuar”. Për të deri tani nuk është mundur të shpiket ndonjë kurë nga dora e njeriut, edhe pse ka mijëra vite histori njerëzore. Atë nuk e kuron dot asnjë ilaç, e madje, po të duash, as edhe ndonjë praktikë fetare. Përveç këtyre, lajmi më i keq në lidhje me këtë virus është se ai shkakton tek njeriu një vdekje më të rëndë. Bibla thotë: “Sepse paga e mëkatit është vdekja…” (ndarje shpirtërore nga Perëndia) Romakëve 6:23. Duke qenë se mëkati është një problem i brendshëm, ka vetëm një mundësi shërimi për të: një transformim të zemrës njerëzore, aty ku ai ka hedhur rrënjë, dhe nga ku buron çdo simptomë padrejtësie, mashtrimi dhe hidhësie, siç shpjegonte pasazhi i parë nga Bibla.

            Megjithë ndryshimin, ka edhe ngjashmëri të virusit biologjik me mëkatin. Ashtu si në sfidën për të luftuar covid19 shpresa mbetet tek mjekët dhe shkencëtarët, edhe për virusin e mëkatit sytë drejtohen tek një mjek, që në shpjegimin biblik është Mjeku më i madh, dhe Njohësi më i mirë i njeriut. Dhë shërimi i propozuar është një ndërhyrje direkte nga Ai që e njeh jo thjesht trupin tonë, por edhe zemrën apo shpirtin tonë, vet Krijuesi dhe Perëndia ynë. Ka edhe një paralele tjetër që mund të heqim mes Covid19 dhe mëkatit. Për ta fituar betejën në këtë pandemi ne po bëhemi dëshmitar se si mjekët po ndeshen me këtë virus në mënyrë heroike. Ata përditë po marrin përsipër një rrisk të lartë për t’u infektuar edhe vet. Dhe shumë prej tyre tashmë janë infektuar apo kanë dhënë jetën në krye të detyrës.

            Duke qënë se gjendja jonë shpirtërore është akoma më tepër serioze, Zoti në dashurinë e Tij mori një veprim të mirëmenduar dhe dramatik për të sjellë kurim nga virusi i mëkatit. Ai vendosi të vijë në tokë si njeri që të sigurojë shërim duke u sakrifikuar në vendin tonë siç ishte parashikuar tek profeti Isaia 54:4-5:

 “Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.”

            Jezusi erdhi në tokë duke paguar në kryq për gjithë mëkatet tona duke e bartur këtë “sëmundje vdekjeprurëse” mbi veten e Tij. Dhe lajmi i mirë është që me anë të ringjalljes së tij, ai ofron shpresë për ringjalljen tonë nëse e vendosim besimin tonë tek ai.  Ai tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje”  (Gjoni 14:6).

Gjithashtu, ai e premton transformimin e zemrësn sonë kur thotë:“Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t`ju jap zemër prej mishi" (Ezekieli 36:26).

            Duke shkuar tek Jezusi me pendim ne mund të marrim falje, jetën me bollëk, dhe një shlodhje për shpirtin tonë. Jezusi tha: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur e të munduar, sepse unë do t'ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse kam zemër të butë e të përulur. Kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj, sepse zgjedha ime është e butë dhe barra ime është e lehtë.” Mateu 11:28-30. Jezusi na fton që të shkojmë tek Ai dhe të marrim këtë jetë që na ofron. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të pendohemi prej mëkatit dhe të vendosim besimin tonë në Të.

Mëkati është një virus që shërohet duke u penduar dhe duke e lëshuar veten në mëshirën e Perëndisë.

            Askush nuk e di me siguri se sa gjatë do vazhdojë kjo pandemi. Unë lutem që Zoti të na japë forcë, mbrojtje dhe urtësi, sado që të zgjasë. Sot kemi shumë nevojë për ndihmën e Tij. Por unë shpresoj që kjo pandemi do të na japë mundësinë të fillojmë të interesohemi edhe për gjendjen tonë shpirtërore, e jo vetëm për atë fizike. Lutja ime është që Ai të na hapë sytë të shohim se jemi të kërcënuar nga një virus edhe më i keq se Covid19, mekati ynë.

 

© IJR 2019