Perspektivë

I krishteri dhe rreziku nga koronavirusi

Nga Kaon Serjani

Në kohën kur Perandoria Romake administrohej nga perandori Markus Aurelius, specifikisht nga viti 165 deri në vitin 180 pas K., ka ndodhur një pandemi, që njihet si Pandemia Antonine (një sëmundje lëkure), e cila besohet se u soll në territorin e Perandorisë Romake nga luftëtarët që ktheheshin nga fushatat në Lindjen e Afërt.

Të dhënat historike tregojnë se ajo shkaktonte vdekjen e rreth 5000 personave në ditë vetëm në qytetin e Romës dhe për një periudhë 15-vjeçare llogaritet që të ketë shkaktuar vdekjen e ¼ së popullsisë që jetonte brenda territoreve të perandorisë.

Studiuesit e historisë raportojnë se pandemia mbolli një frikë aq të madhe, saqë kur një person infektohej nga sëmundja, familjarët e vet e braktisnin dhe largoheshin nga qyteti apo fshati, për shkak se po të qëndronin, do të vdisnin të gjithë bashkë.   

Ishte vetëm një grup njerëzish, të ciët nuk ia mbathnin, por përkundrazi ata u mjekonin plagët të sëmurëve edhe kur ata nuk ishin familjarët e tyre. Sigurisht që ata e dinin shumë mirë rrezikun. Dhe në fakt shumë prej tyre u infektuan dhe vdiqën bashkë me të tjerët. Po cilët ishin këta njerëz? Ata ishin të krishterët. Dhe duhet thënë që ata e bënin këtë edhe kur të prekurit nga sëmundja ishin paganë e nuk besonin njëlloj si ata.

Historianët e përhapjes së besimeve fetare bien në një mendje se krishtërimi është rritur në mënyrë të paprecedent gjatë kësaj periudhe. Dhe arsyeja është e qartë, ndikimi që kishte besimi në jetën e atyre që ndihmonin të sëmurët i la pa fjalë ata që nuk ishin të krishterë dhe krishterimi u konsideruar unanimisht superior ndaj paganizmit.  

Po pse të krishterët e shekullit të dytë nuk hiqnin dorë nga ndihma për të tjerët megjithë frikën e vdekjes? Mesa duket ata gjenin forcë të shërbenin, sepse ishin çliruar nga një frikë më e madhe se vdekja fizike, dhe kishin shpresën e ringjalljes për shkak të besimit në Krishtin. Duket se ata e merrnin seriozisht pjesën e shkrimit të shenjtë ku thuhet: "Duke ditur se ai që ringjalli Zotin Jezus, do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Jezusit" ( 2 Korintasve 4:14).

Ne jetojmë në një kohë kur fatkeqësitë natyrore, si tërmeti apo përhapja e koronavirusit, po mbjellin frikë përditë. Raportet tregojnë se koronavirusi që e pati origjinën në Provincën Wuhan të Kinës, deri tani ka marrë jetën e mbi 1000 njerëzve dhe ka infektuar dhjetëra-      -mijëra të tjerë. Sigurisht, rreziku më i madh është për popullsinë e Kinës, sesa për ne të tjerët. 

Portalet e lajmeve tregojnë që njerëzit në Wuhan janë të frikësuar dhe të dëshpëruar. Dhe pa mendoni se cili komunitet dallon në mënyrën se si po i ndihmon të prekurit dhe ata që kanë humbur shpresën? Është komuniteti i të krishterëve në Wuhan. Dhe ashtu si në shekullin e dytë, ku shoqëria pagane në kushte normale nuk ishte dashamirëse ndaj të krishterëve, por patën simpati gjatë pandemisë, po ashtu qeveritarët lokalë kinezë, jo dashamirës në kushte normale, tani po krijojnë simpati për këtë komunitet për shkak të sakrificës që ata po bëjnë. Ata dalin në rrugë, shpërndajnë maska, ofrojnë lutje, si dhe vendosin mesazhe inkurajuese dhe shpresëdhënëse në ambiente publike ose në ballkonet e tyre me artopalantë. 

Në mënyrë të veçantë në gjithë Kinën këto ditë po flitet për vdekjen e Dr. Li Wen Liang. Ai ishte ndër 8 mjekët e parë që i ranë këmbanës së alarmit për virusin. Dhe për këtë edhe u arrestua fillimisht. Dr. Liang ishte i krishterë dhe u infektua me virusin vdekjeprurës duke u kujdesur për të sëmurët dhe duke u përpjekur të ndërgjegjësonte njerëzit. 

Në internet qarkullon një poemë që  Dr. Liang mendohet se e shkroi pak ditë para se të ndërronte jetë. Midis të tjerave ai ka shkruar këto vargje: 

"Megjithë humbjen dhe konfuzionin tim,

unë duhet të vazhdoj gjithsesi.

Kush më lejoi të zgjedh këtë vend dhe këtë familje?

Sa ankesa të tjera kam?

Epo, kur të mbarojë gjithë kjo betejë,

unë do t'i kthej sytë lart në qiell,

me lotët që më derdhen si shi”.

Çfarë do të bëjmë ne si të krishterë, sikur infektimi me koronovirusin të kthehet vërtet në një pandemi globale e të na prekë edhe ne?

Shkrimi na kërkon jo vetëm të “gëzohemi me ata që gëzohen”, por “edhe të qajmë me ata që qajnë”.  Romakëve 12:15

Ashtu siç bënë të krishterët e shekullit të dytë, ashtu siç po bëjnë sot të krishterët në Kinë, sidomos Dr. Linag, edhe ne duhet të ndiejmë në ndërgjegjen tonë të njëjtën përgjegjësi për të lidhur plagët e atyre që lëngojnë, e nëse është e domosdoshme, edhe të vdesim krah tyre. 

«Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, ..... le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin .....". Hebrenjve 12:1-2

Krishti tha: “Merr kryqin tënd dhe me ndiq”. Në një kohë fatkeqësish natyrore ky është kryqi ynë. Të qëndrojmë pranë atyre që janë të frikësuar, t'u japim shpresën e përjetshme dhe të durojmë dhimbjen bashkë me ta.

Zoti na dhëntë forcë që të gjendemi besnikë, nëse do të ndodhemi në një situatë të tillë!

© IJR 2020