Perspektivë

Pse të krishterët duhet të studiojnë filozofi?

Nga TAYLOR  CYR*

Është bërë gjithnjë e më e zakonshme për studentët e universiteteve (dhe prindërit e tyre) që ta shohin shkollën e lartë si një trajnim profesional. Në të vërtetë, shumë studentë po kërkojnë programe studimi "praktike" (të lidhura ngushtë me karriera të veçanta) në vend të degëve të arteve liberale (letërsia, filozofia, historia, etj).

Që nga mesi i viteve 2000 deri në mesin e viteve 2010, pjesëmarrja në degët e filozofisë dhe studimeve fetare, ra me 15%, ndërsa në ato të inxhinierisë u rrit me 60%. Në mënyrë të ngjashme, programet e studimit në degët e mjekësisë u rritën me më shumë se dyfish në pjesëmarrje.

"Ne kemi nevojë për më shumë saldatorë dhe më pak filozofë."- tha senatori i Floridas, Marko Rubio në vitin 2015. Që nga ai moment Rubio filloi të studionte filozofinë dhe ndryshoi mendim (pjesërisht sepse e kishte gabim në lidhje me saldatorët kur tha që fitonin më shumë para se sa filozofët). Gjithashtu, disa ekspertë parashikojnë se pjesëmarrja në degët e arteve liberale do të rritet në dekadën e ardhshme. Por ideja se degët "praktike" janë të parapëlqyera krahasuar me ato të arteve liberale mbetet gjerësisht e përhapur.

Duke lënë mënjanë tendencën në rritje të degëve në fusha të tjera, njerëzit shpesh janë në mëdyshje kur u them atyre që jam filozof, që studioj, shkruaj dhe mësoj filozofi. Edhe pse një serial si ai i NBC-së ‘The Good Place’ mund të ketë një filozof akademik si personazh kryesor, pak janë të njohur me disiplinën akademike të filozofisë. Dhe, të jemi të sinqertë, termi "filozofi" përdoret në mënyra të ndryshme, duke iu referuar çdo gjëje, që nga botëkuptimi i një personi, deri te mënyra se si e bën një aktivitet të veçantë. Pra, nuk është gjithmonë e qartë se çfarë do të thotë një person kur flet për filozofinë.

Si filozof i krishterë unë nganjëherë ndeshem me një shtresë tjetër pështjellimi të vëllezërve dhe motrave të mia besimtare. Në fakt nuk është e pazakontë për të krishterët të jenë të lodhur nga filozofia për shkak të paralajmërimit nga apostulli Pal. “Shikoni se mos dikush ju robëron me anë të filozofisë dhe mashtrimit bosh, sipas traditave njerëzore, sipas frymërave elementare dhe jo sipas Krishtit”. (Kol. 2:8).

Disa të krishterë e kanë përdorur paralajmërimin e Palit si një arsye për të shmangur studimin e të gjithë filozofisë. Ati i kishës Tertuliani (155–220 AD) është bërë i njohur për paralajmërimin që filozofia do na çojë vetëm në herezi. Për athinasit (shtëpinë e akademisë së Platonit) si përfaqësues të filozofisë greke dhe për Jeruzalemin (vendlindjen e kishës) si përfaqësues të krishtërimit, Tertuliani pyet:
Çfarë lidhje ka në fakt Athina me Jeruzalemin? Çfarë marrëveshjeje ekziston midis Akademisë dhe kishës? Po midis heretikëve dhe të krishterëve? . . . Mjaft me përpjekjet për të prodhuar një krishtërim të përzjerë, me përbërje stoike, platonike dhe dialektike! Ne nuk duam aspak debat kurioziteti pasi marrim Krishtin Jezus, as inkuizicion pasi kemi shijuar ungjillin! (Përshkrimi kundër heretikëve, Kapitulli 7)

Megjithëse qëndrimi i Tertulianit kundrejt filozofisë nuk ka qenë pikëpamje e shumicës në historinë e kishës, shumë të krishterë modernë bashkohen me pozicionin e tij, ose të paktën me dyshimin në lidhje me vlerën e filozofisë.

Gjithsesi, unë shpresoj t’u bind që studimi i filozofisë mund të jetë një burimi vlefshëm edhe për të krishterët si individë, edhe për kishën. Unë shpresoj t’u bind gjithashtu që ungjilli siguron një mënyrë unike për studimin e filozofisë, një që e pajis besimtarin për të shmangur rreziqet potenciale, dhe që përputhet me paralajmërimet e Palit mbi filozofinë.

Por, para se të mund t’u them përse dhe si duhet ta studiojnë të krishterët filozofinë, do të na ndihmonte nëse sqarojmë më shumë se çfarë është filozofia.

 

Çfarë është filozofia?


Fjala “filozofi” vjen nga greqishtja dhe fjalë për fjalë do të thotë “dashuri për urtësinë”. Filozofët e ditëve të sotme (profesorë tipikë universiteti) e kalojnë kohën duke medituar (dhe duke u përpjekur të gjejnë përgjigje) për pyetjet themelore për veten dhe botën, pyetje të tilla si:

  • Çfarë i duhet një bindjeje që të quhet njohuri?
  • Cila është natyra e qenieve humane?
  • A kemi vullnet të lirë? (Dhe çfarë është vullneti i lirë gjithsesi?!)
  • A është objektiv morali?

Pyetje të tilla janë themelore, në sensin që ato kërkojnë supozime dhe koncepte që i përdorim gjithë kohën të nënkuptuara, po rrallë (ose kurrë) merremi me to jashtë auditorit.

Meqë është e mundur të bësh pyetjet themelore në çdo fushë kërkimi, na del që filozofia është gjerësisht e aplikueshme, madje nuk ke nga t’ia mbash pa të. Unë u them shpesh studentëve të mi për çdo X (ku X-i është një fushë kërkimi) qoftë shkencë, fe, biznes apo art, ka një filozofi të X-it. Ne gjithmonë punojmë me presupozime të cilat mund të nxirren për t’u ekzaminuar.

Sigurisht, ekziston një debat i konsiderueshëm për përgjigjet e sakta të pyetjeve filozofike. Ju mund të tundoheni të shkoni deri aty, sa të thoni që nuk është e mundur të përcaktohet se cilat janë përgjigjet e sakta, që ndoshta më e mira që mund të bëjmë është të formojmë opinione. Por kjo bie poshtë shumë shpejt.

Fatmirësisht, gjatë një dy mijëvjeçari e gjysmë, filozofët kanë zhvilluar mjete për të sqaruar pyetjet themelore dhe na kanë prezantuar me dallime që mund të na ndihmojnë të bëjmë progres. Dhe mjeti primar i filozofit është argumentimi, metoda e të mbrojturit të një pohimi duke arsyetuar përmes pohimeve të tjera. Duke përdorur pastaj mjetet e logjikës ne mund të vlerësojmë argumentet pro dhe kundër për pyetjet themelore për veten dhe botën tonë.

 

Të mirat e filozofisë

Nuk është e habitshme që të diplomuarit në filozofi kanë tendencën të jenë mendimtarë më të mirë kritikë, shkrues analitikë dhe më shumë problemzgjidhës sesa të diplomuarit në degë të tjera. Për këtë arsye, degët e filozofisë kanë tendencën të kenë rezultate më të larta në testet standarte si LSAT (që zakonisht kërkohen për t’u pranuar në Juridik) dhe GRE (aplikime për t’u diplomuar në fusha të tjera). Punëdhënësit shpesh i gjurmojnë këta dhe ata bëhen sipërmarrës të shkëlqyer.

Të gjitha të mirat që kam përmendur deri tani janë të mira instrumentale. Këto janë arsye për të studiuar filozofi që lidhen me efektet apo pasojat që ka ky vendim. Por të studiosh filozofi ka të mira edhe në vetvete.

Augustini e dalloi këtë të mirë të filozofisë në vetvete, kur argumentoi që të krishterët mund të përfitojnë nga studimi i filozofisë pagane. Duke reflektuar mbi premtimin që Zoti i bëri Moisiut tek Eksodi 3, që Izraelitët do të fitonin favorin e Egjiptasve dhe do t’i zhvatnin këta të fundit nga të mirat e tyre, ndërsa Zoti do t’i shpëtonte nga Egjipti, Agustini shkruan:

"Nëse ata që quhen filozofë, kanë thënë gjëra që janë sinqerisht të vërteta dhe që mund të akomodohen shumë mirë me besimin tonë, ata nuk duhen patur frikë. Përkundrazi, ajo çfarë kanë thënë ata duhet marrë prej tyre si prej atyre poseduesve të padrejtë dhe të konvertohet për përdorimin tonë. Ashtu siç Egjiptasit nuk kishin vetëm idhuj, të cilët i urrente dhe i shmangte populli i Izraelit, por edhe vazo dhe zbukurime prej ari e argjendi, edhe veshje, të cilat izraelitët i morën ndërsa ikën fshehtazi, si për t’i vënë në një përdorim më të mirë. Në të njëjtën mënyrë, mësimet e paganëve nuk përmbajnë vetëm imgjinatë të shtirur dhe supersticioze, dhe lodhje të kotë e të panevojshme, të cilat ne që po e lëmë shoqërinë pagane nën udhëheqjen e Krishtit, duhet t’i urrejmë dhe shmangim. Por ato përmbajnë edhe displina liberale që u shkon më për shtat të përdoren për të vërtetën dhe disa parime të dobishme rreth moralit. Në to janë zbuluar edhe disa të vërteta në lidhje me adhurimin e një Perëndie." (Mbi doktrinën e krishterë - On Christian Doctrine, 2.40.60)

Kur Augustini thotë se filozofia pagane përmban "displina liberale që i shkojnë më për shtat të përdoren për të vërtetën, si dhe disa nga parimet të dobishme rreth moralit” - ai po thotë që i krishteri mund të përfitojë duke situr fushën e filozofisë dhe duke marrë vetëm të mirën që gjendet aty. Dihet që Augustini vetë e ka bërë këtë, duke inkorporuar disa aspekte të botëkuptimit të Platonit në botëkuptimin e tij të pjekur të krishterë. Në mënyrë të ngjashme, Thoma Akuinasi e “martoi” sistemin e Aristotelit me krishtërimin.

Ia vlen të vëmë në dukje që të krishterët do të kenë akses tek kjo e mirë duke studiuar filozofi. Augustini and Akuina nuk do të mund t’i kishin zhvilluar sistemet e tyre teologjike pa lexuar Platonin dhe Aristotelin dhe ne nuk mund t’i “zhvasim” këta apo filozofë më modernë (si Humeja apo Kanti) pa i lexuar këta personalisht. Kjo shkon në favor të “librave të mëdhenj” ose “teksteve bazë” kurrikularë, të cilat kërkojnë që studentët të lexojnë letërsi influencuese, duke përfshirë filozofinë, nga tradita jonë intelektuale. Në institucionin tim, “Universiteti i Samford”, të gjithë studentët kalojnë dy semestre për kurse të librave themelorë, të quajtur “Persepektiva kulturore”, në të cilët është e detyrueshme të lexosh Platonin dhe Aristotelin, bashkë me filozofë të tjerë. Të gjithë studentëve u jepet akses në këtë informacion të vlefshëm, të lavdëruar prej Agustinit.

“Filozofia e mirë duhet të ekzistojë, sikur edhe për asnjë arsye tjetër, të paktën si përgjigje ndaj filozofisë së keqe.” C. S. Lewis

 

Jo vetëm e mirë, por e domosdoshme

Studimi i filozofisë jo vetëm që është i mirë, por është edhe i domosdoshëm për të krishterin, për të paktën tre arsye:

Së pari, çdokush ka “një filozofi” në kuptimin e të paturit të një botëkuptimi (ose një sërë presupozimesh) edhe nëse i ka të pashqyrtuara. Dhe të njohura ndërgjegjshmërisht apo jo, botëkuptimi i një personi e ndikon mënyrën e tij të jetesës dhe interpretimin e eksperiencave.

Së dyti: C. S. Luis ka vëzhguar në esenë e titulluar “Mësime në kohë lufte”, që “Filozofia e mirë duhet të ekzistojë, sikur edhe për asnjë arsye tjetër, të paktën si përgjigje ndaj filozofisë së keqe.” Me fjalë të tjera, është e domosdoshme që të Krishterët të kenë përgjigje për pozicionet filozofike alternative. Kjo sigurisht nuk është ideja origjinale e C.S. Luisit. Apostulli Pjetër na thotë që të jemi gjithmonë të përgatitur për të bërë një mbrojtje ndaj kujtdo që na kërkon shpjegime për shpresën që është në ne. (1 Pjet. 3:15). Luisi thjesht ia aplikon këtë varg filozofisë në veçanti.

Së treti, dhe më e rëndësishmja, ne jemi të urdhëruar të duam Perëndinë jo vetëm me zemrat, shpirtin dhe forcën, por edhe me mendjen tonë (Marku 12:30). Tendenca është ta shohësh adhurimin e krishterë sikur ka parësore një eksperiencë emocionale të caktuar, apo të jetosh sipas disa kritereve të caktuara morale. Por Perëndia do që ne ta duam Atë me çdo pjesë të qenies sonë, duke përfshirë intelektin tonë. Dhe mjetet e filozofisë janë të dizenjuara në mënyrë unike për një zhvillim të tillë. Për më tepër, Pali na nxit: “Mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që me anë të testimit ju të mund të dalloni kush është vullneti i Perëndisë, çfarë është e mirë, e pranueshme dhe e përsosur.” (Rom. 12:2).

Detyra e filozofisë është të dallojë botëkuptimet e rreme dhe të zhvillojë botëkuptimin tënd.

 

Si duhet t’i qasen të krishterët filozofisë?

Marrja me filozofi nuk është pa rrisqe. Ju mund të mendoni se kjo vjen për shkak se bindjet e krishtera nganjëherë demaskohen publikisht nga filozofë të shquar, siç pikturohen në disa filma me bazë fetare. Edhe pse disa ateistë e përdorin filozofinë si armë kundër të krishterëve, zërat më të lartë nuk përfaqësojnë shumicën.

Por, në këndvështrimin tim, rreziku më i madh për të krishterët është kur filozofia na tërheq ne për arsyet e gabuara (kjo mund të jetë e vërtetë edhe për teologjinë). Disa studentë të filozofisë e shijojnë fitimin e argumenteve dhe i shikojnë aftësitë që u jep filozofia si një mënyrë për të provuar veten apo për të ndërtuar një sens të vlerës së tyre. Me këtë ka të bëjë paralajmërimi te Kolosianët 2:8: “Shikoni se mos dikush ju robëron me anë të filozofisë dhe mashtrimit bosh, sipas traditave njerëzore, sipas frymërave elementare dhe jo sipas Krishtit”.

Për shkak të mëkatit, sidomos efektit “noetik” të tij (në të menduarin tonë), ne kemi prirjen natyrale për t’i përdorur gjërat e mira (p.sh. studimin e filozofisë) për arsyet e gabuara (p.sh. që ta shohim veten si më superior intelektualisht).

Çfarë duhet të bëjë i krishteri atëhere? Unë kam argumentuar që filozofia është edhe e mirë edhe e domosdoshme për të krishterin, por gjithashtu kam paralajmëruar që është e rrezikshme, kur marrim parasysh gjendjen tonë të rënë. “Rrofsh për ndihmën!”- do jeni duke thënë ju. Ja edhe një gjëegjëzë tjetër filozofike.

"Vlera ime nuk varet nga mjeshtëria ime filozofike dhe Perëndia nuk do të më dojë më pak nëse nuk fitoj një argument me dikë që e refuzon krishtërimin."

Por ka një zgjidhje, dhe është hiri. Hiri thotë që ne jemi të pranuar nga Perëndia jo për ndonjë gjë që ne bëjmë, por për shkak të asaj që ai ka bërë. Si i krishterë, ngushëllimi im i vetëm në jetë dhe në vdekje, siç thotë edhe katekizmi, që: “Unë nuk jam vetja ime, por i përkas trup dhe shpirt, në jetë dhe në vdekje, shpëtimtarit tim”. Vlera ime nuk varet nga mjeshtëria ime filozofike dhe Perëndia nuk do të më dojë më pak nëse nuk fitoj një argument me dikë që e refuzon krishtërimin.

Ungjilli ka shumë më tepër implikime për mënyrën si duhet ta studiojmë filozofinë (dhe se si ta duam Zotin me mendje më gjerësisht). Unë do e përmbyll duke përmendur dy prej tyre.
Së pari, ne kemi çdo arsye për të operuar me përulësi epistemike, një të kuptuar të përkorë të limiteve për njohurinë tonë dhe një mendjehaptësi për korrigjimin që vjen nga të tjerët. Në fund të fundit, ne i njohim dobësitë dhe tendencën tonë për gabueshmëri, por duke ditur lajmin e mirë të Ungjillit, ne mund të pranojmë me konfidencë dobësitë tona pa frikë për krizë identiteti.


Së fundmi, ne jemi të lirë të ndërmarrim rreziqe. Meqë vlera jonë nuk varet te suksesi i argumenteve tona apo sesa mirë ne e mbrojmë një pikëpamje të caktuar, në mund të eksplorojmë pyetjet themelore të jetës që bëjnë filozofët dhe të spekulojmë për përgjigje potenciale, pa frikën paralizuese të të qenit gabim.

 

*TAYLOR W. CYR ka një Ph.D. nga Universiteti i Kalifornisë, Riversaid dhe aktiualisht është asistent Profesor i Filozofisë në Universitetin e Samfordit në Birmingam, Alabama, USA.

Përkthyen: Edmir Llapushi, Danjela Serjani, Ana Llakaj

Burimi: theGospelCoalition.org - https://www.thegospelcoalition.org/article/christians-study-philosophy.

Titulli në anglisht: Why (and How) Christians Should Study Philosophy

© IJR 2020