Perspektivë

Komercializimi i Krishtlindjes

Nga Elodi Balantin Emig*

Çfarë duhet të bëjnë besimtarët kur edhe parrulla “Mbajeni Krishtin brenda Krishtlindjes!” është kthyer në diçka që përdoret për përfitim? Krishtlindja është komercializuar plotësisht; Charlie Brown e ka kuptuar këtë që në vitin 1965. Pas afro gjysmë shekulli ne patjetër që mund t’ia lejojmë vetes të bëhemi të hidhur dhe të fshihemi thellë në hijet e kulturave të ndryshme, por do të ishte më mirë të fitonim terrenin e humbur duke përdorur dy armë të fuqishme të luftës shpirtërore: të vërtetën dhe dashurinë.

Perëndia ynë nuk është si asnjë nga perënditë e tjera të kësaj epoke. Megjithëse madhështor dhe i mahnitshëm, Perëndia ynë është gjithashtu Ai që nuk e përçmoi grazhdin si shtratin e Tij të parë. Siç thotë edhe Pierce Pettis: “Asnjë flamur nuk u shpalos kur Perëndia erdhi në këtë botë, në krahët e një vajze të vogël të quajtur Maria.” Perëndia i mishëruar u lind nga një vajzë e vogël për të cilën të gjithë dyshonin që kishte kryer tradhëti bashkëshortore. Shumë kohë para se të arrinin Dijetarët me dhuratat e denja mbretërore, Jezusi u përshëndet nga barinjtë e thjeshtë. Pavarësisht nga të gjitha përpjekjet njerëzore për ta përshtatur Atë, Krishti i vërtetë i Krishtlindjes nuk përkon me komercializmin. Ai as nuk mund të paketohet dhe as nuk mund të blihet.

Ndërkohë që bota e sfilitur ricilkon mënyra për ta hequr Krishtin nga Krishtlindja, ne mund të themi thjesht të vërtetën. Linus Van Pelt (personazh i filmit ‘Peanuts’) e bëri këtë në vitin 1965, kur recitoi një pjesë nga Luka 2 te Charlie Brown. Ne mund t’i kujtojmë vetes dhe të gjithë atyre që takojmë, që dashuria e Perëndisë është e vetmja dhuratë thelbësore për Krishtlindje. Ne nuk kemi nevojë për drerë, Babagjysh, madje as edhe për një buxhet, por kemi nevojë të kthehemi te dashuria që vjen vetëm nga marrëdhënia me Perëndinë. Kënga e Moisiut dhe Miriamit kremton faktin që Perëndia do ta udhëheqë popullin e vet, të cilin e ka shpenguar në dashurinë e pafund (Eks. 15:13).

Dashuria e Tij e pamasë dhe Shpirti i Shenjtë brendabanues janë mëse të mjaftueshme për të na nxitur për më shumë dashuri. Ndoshta gjatë këtij sezoni festash, ndërsa festojmë ardhjen e Shpërtimtarit, ne duhet të meditojmë mbi traditat e kishës së hershme. Ajo që e shkundi botën romake nuk ishte potenciali ekonomik i krishterimit, ose apeli i saj ndaj konsumatorëve të sofistikuar të fesë. Ishte dashuria. Ndjekësit e Jezusit e donin njëri-tjetrin dhe armiqtë e tyre gjithashtu. Në vend që të rrokim festat në thelb të pakënaqshme apo të turfullojmë kundër tyre mbushur me zemërim, le t’i përdorim këto ditë të shenjta për të gjetur mënyra për të dashur dhe persona të cilëve t’ua japim këtë dashuri.

Autorja është lektore e Greqishtes në Seminarin e Denverit, Kolorado. 

Përktheu: Ana Llakaj

Previous Story

Darka e Fundit

© IJR 2019