Perspektivë

Jetojmë në një kohë kur dashuria për tjetrin tregohet duke mos e takuar atë

Nga Esau McCaulley*

Forca pandemike po e detyron kishën si një institucion që të rishohë rolin e saj në kohë krize. Shumë kisha nuk po mbildhen fizikisht të dielave. Çfarë duhet të mendojmë rreth kësaj?  A janë të krishterët duke e lënë pas dore detyrën e tyre për të shërbyer për të sëmurët dhe ata që vuajnë?

Shumë të krishterë e gjejnë veten të sfiduar duke parë pas në historinë  tyre, kur të krishterëve iu është dashur të qëndrojnë fizikisht aty gjatë ditëve të vështira. Duke filluar nga viti 250 p.K, një murtajë, e cila në kulmin e saj vriste 5000 njerëz në ditë, rrënoi perandorinë Romake. Të krishterët vijuan të qëndronin duke iu shërbyer të sëmurëve. Me besimin që Zoti është sundimtar mbi vdekjen, ata zgjodhën të kryenin shërbesën e tyre për të sëmuret edhe me koston e vetë jetës së tyre. Dëshmia e këtyre të krishterëve, i ktheu shumë te Krishti.

A duhet ta ndjekim shembullin e tyre dhe të mblidhemi në shërbesa për të festuar në fjalë e në frymë dhe në ndarje të bukës e të verës?

Doktorët dhe infermierët besimtarë mund të frymëzohen sot prej kësaj historie dhe të nxiten për t’iu shërbyer atyre që vuajnë nga kjo pandemi. Po ne të tjerët çfarë do të bëjmë? E vetmja gjë e sigurt në këtë situatë të COVID-19 që ndryshon vazhdimisht, është kjo: mënyra më e sigurt për të parandaluar shpërndarjen e virusit është distancimi shoqëror (duke evituar mbledhjet masive) dhe higjiena e mirë personale (larja e duarve).

Të dhënat tregojnë që ajo për të cilën bota ka nevojë sot, nuk është prezenca, por mungesa jonë.

Kjo nuk duket si një histori që ka për t’u mbajtur mend. Brezat pas nesh do thonë: “Çfarë bëri Kisha në vitin 2020 kur sëmundja u shtri mbi tokë? U mblodh në grupe të vogla [online], lau duart dhe u lut.” Edhe pse nuk duket si ndonjë histori frymëzuese, kjo histori mund të jetë forma e besnikërisë që treguam në këtë kohë.

Këtu ka dhe një mësim për kishën e zbrazur tashmë. Nuk po themi që kisha do të zhduket përgjithmonë, pasi vlerat heroike tregohen si në vepra të vogla ashtu edhe në të mëdha. Jetojmë në një kohë kur çdo njeri mbron dhe shpall vetveten duke thënë: “Më dëgjoni mua sepse jam i vetmi që ju ndihmoj.” Megjithatë, mesazhi i krishterë na mëson që Zoti shfaqet në mënyra që tejkalojnë pritshmërinë tonë. I Plotfuqishmi e zhveshi vetveten nga fuqia dhe u bë fëmijë. Jezusi Mbret nuk fiton mbi armiqtë e tij duke përdor dhunën; Ai i kthen ata në rrugën e Tij duke shkëmbyer dhunën me dashurinë sakrifikuese.

Mungesa e Kishës, në kuptimin literal zbrazja e saj, shërben si një simbol i premtimit të Zotit për të na takuar pavarësisht vendndodhjes. Kisha mbetet Kisha, e mbledhur apo e shpërndarë. Ky rast na shërben njëkohësisht për të kujtuar për dhuratën e të mbledhurit së bashku, të cilën shpeshherë e marrim për të mirëqenë.

Kohët e fundit, u ktheva nga një udhëtim jashtë shtetit dhe kur hyra në shtëpi djali im më priti te porta duke thirrur “babi, babi”. M’u hodh në krahë dhe më përqafoi me të gjithë fuqinë që i lejonte trupi i një fëmije 5-vjeëar. Mungesa e kishte bërë më të ëmbël kthimin në shtëpi. Më kujtoi njëkohësisht që jeta ime nuk ishte vetëm atje tej, duke i folur turmave dhe duke i lënë përshtypje të panjohurve. Jeta ime ishte në shtëpinë time, mes miqve dhe familjes. Nuk e di se kur do të kem mundësinë  të marr pa hezitim bukën dhe verën me anëtarët e kishës, por ama shpresoj që kur kjo të ndodhë, të jetë e krahasueshme me gëzimin që pashë te djali im.

Vajza im më erdhi në zyrë sot, pothuajse duke qarë, sepse koncerti i pianos për të cilin ajo po përgatitej prej një viti, u anulua. Për ta ngushëlluar, i thashë që sakrifica e saj e vogël dhe ajo e të tjerëve, mund të shërbejë për të kursyer jetët e shumë te tjerëve që ndoshta ajo nuk ka për t’i takuar kurrë. Përmes kujdesit që tregojmë, i  lejojmë çiftet më të moshuara të jetojnë ende shumë vite të lumtura së bashku. Do të ketë më shumë Krishtlindje dhe Ditë Falënderimesh, ku fëmijët mblidhen me gjyshërit e tyre dhe dëgjojnë prej tyre histori për prindërit e tyre kur ishin të rinj. Ndryshimet që bëjmë sot, i lejojnë shumë të rinjve me sëmundje kritike shanset për të pasur një jetë të gjatë. Nëse vërtet besojmë se jeta është e shenjtë, nga pikëpamja e vdekjes, atëherë e gjithë jeta jonë - edhe vitet e fundit të saj - kanë një vlerë të pamasë.

Pavarësisht se çfarë besojmë, të gjithë besojmë se kemi për të vdekur. Në këtë pikë, ngjasojmë të gjithë. Megjithatë, të krishterët munden përmes veprave dhe besimit të tyre, ta paraqesin revoltën e tyre ndaj këtij armiku të madh, jo në formën e një grusht të ngritur në ajër, por si një dëshmi e shpresës së lume të mposhtjes përfundimisht të vdekjes. Duhet të përpiqemi vazhdimisht si ta bëjmë të dallueshme e t’i japim formën e duhur kësaj dëshmie.

Kur isha i ri, kisha një teto që ndenji për disa kohë me ne, e që ishte e infektuar me HIV. Isha vetëm një fëmijë dhe këtë informacion e kujtoj mjegullt. Më kujtohet qartë, që isha ulur për drekë e po haja  patate të skuqura me shumë ketchup. Më kujtohet që tetoja m’u ul pranë e më pyeti nëse mund t’i jepja disa. Më kapi frika. Po sikur ajo të kishte një të çarë në buzët e saj dhe t’i pikonte gjak mbi patatet, e unë të mos isha në gjendje ta shihja? A përhapje virusi përmes pështymës? Isha i tmerruar, e megjithatë kisha me shumë dashuri për teton time sesa frikë nga sëmundja e saj. Kështu që hëngrëm patate së bashku dhe e gëlltita frikën time. Ai komunikim i shkurtër është kujtimi i fundit që kam prej saj.

Gjatë epidemisë së SIDA-s, shumë kisha treguan solidaritet, duke ndarë bukën dhe verën me të infektuar, duke treguar kështu që nuk kishte asgjë për të patur frikë. Sot, mundemi ta tregojmë solidaritetin tonë duke mos ndarë.

Ungjilli i Gjonit na rrëfen fjalët që Jezusi i foli dishepujve të tij në dhomën e sipërme, pak para vdekjes së Tij. Në këtë bisedë të fundit, iu thotë atyre që është më mirë që Ai të largohet kështu që ngushëlluesi (Shpirti i Shenjtë), të vijë. Kjo tregonte që mungesa e tij fizike përmes vdekjes, ringjalljes dhe ngjitjes së tij, do të çonte drejt një komunikimi më të thellë me Perëndinë. Mundet që, sado e çuditshme të duket, mungesa e kishës të jetë dëshmi për prezencën e Zotit përmes kujdesit që do të tregojmë për fqinjin tonë.

Përktheu: Gladiola Jani

*Esau McCaulley është asistent profesor i Dhiatës së Re pranë Wheaton Colleage, si dhe prift në Kishën Anglikane në Amerikën e Veriut, ku shërben si drejtor i lëvizjes Next Generation Leadership.

 

 

  • Versioni në anglisht i këtij artikulli (me një hyrje pak më të zgjeruar) u botua në New York Times (online) më 14 Mars 2020 me titull “The Christian Response to the Coronavirus: Stay Home”. Artikullin origjinal mund ta lexoni këtu: https://www.nytimes.com/2020/03/14/opinion/coronavirus-church-close.html

© IJR 2020