Perspektivë

DEPRESIONI DHE ANKTHI

         Depresioni është një vend i errët, i vetmuar. Për mua, më duket sikur jam bllokuar, duke u mbytur, pa asnjë shpresë shpëtimi. Ky ka qenë realiteti im për aq kohë sa mund të mbaj mend.

 

Depresioni është një vend i errët, i vetmuar. Për mua, më duket sikur jam bllokuar, duke u mbytur, pa asnjë shpresë shpëtimi. Ky ka qenë realiteti im për aq kohë sa mund të mbaj mend.

Jam takuar me psikologë, kam marrë ilaçe me kile dhe në mënyrë jo zyrtare jam diagnostikuar me lloj-lloj supozimesh. Në ditë të këqija, unë mendoj se jam vetëm ajo që sugjeroi një mik, që më do të mirën: një njeri i shqetësuar.

Një në gjashtë të rritur do të përjetojë depresion në jetën e tij/saj. Shanset janë që nëse nuk po lufton vetë, me siguri ke një mik, që po përjeton depresion.

Depresioni nuk duhet të nënvlerësohet.

Kur isha 6 vjeç, endesha në oborrin e shkollës, duke luftuar skenaret negativë që kalonin nëpër kokën time.

Familja ime shpërngulej shpesh, por nuk mendoj se kam qenë një fëmijë i trishtuar. Jam rritur në një shtëpi të dashur dhe jeta ime është e mbushur me kujtime të mira. Por gjithmonë ka pasur një frikë të pranishme në mendje.

Sot jam 38 vjeç, shkrimtar dhe i martuar, për fat të mirë kam edhe dy fëmijë. Prapëseprapë, ka ditë kur bota ime e brendshme është në një trazirë të tillë sa nuk mund të dal nga shtrati. Prandaj qëndroj brenda, duke ushqyer një dhimbje koke të nxitur nga zërat e brendshëm të dënimit.

Por, jeta reale nuk t’a lejon që të rrish në shtrat.

Në ato çaste, ndihem thellësisht i thyer.

Të krishterët kanë një mënyrë për të qëlluar të plagosurit. Edhe unë jam fajtor për këtë. Kur takoj dikë që është duke luftuar, instinkti im i parë është ta rregulloj. Nëse mund t’a rregulloj atë, mendoj me veten time, do të ndihem më mirë; do të kem bërë një të mirë, dhe mund të eci tutje.

Megjithatë, përpjekjet tona për të rregulluar të tjerët zbulojnë thjesht mungesën e mirëkuptimit.

Zoti bën të kundërtën. Zoti na takon atje ku jemi, dhe ai qëndron me ne.

Në Bibël, është historia e një burri të quajtur Elia, që po ndiqej nga një mbretëreshë e quajtur Jezebel. Ai iu lut Zotit që ta linte të vdiste. Në vend që ta rregullonte atë ose gjendjen e vështirë, Zoti i ofroi pushim. Zoti e lejoi të flejë, duke e ushqyer atë për dy ditë. Më vonë, ata biseduan (1 Mbretërve 19:1-18).

Kur Abrahami, pa fëmijë dhe i dekurajuar, u ul në çadrën e tij dhe qau, Zoti u shfaq. Në vend që të arsyetonte me të, Zoti i ofroi Abrahamit shpresë, ndërsa ecnin dhe numëronin yjet (Zanafilla 15:1-6).

Problemi me depresionin është se kur njerëzit thonë se gjithçka është në kokën tuaj, ata kanë absolutisht të drejtë.

Ndërsa qelizat në trurin tuaj nuk janë në gjendje të transmetojnë ose marrin sinjalet e duhura për të rregulluar gjendjen shpirtërore, trupi juaj mund të ngadalësohet, stomaku juaj mund të shtrëngohet. Ju mund të humbni oreksin tuaj, ose të fitoni një të tillë. Ju mund të dëshironi të flini gjatë gjithë kohës, ose nuk jeni në gjendje të flini, dhe kështu me radhë.

Depresioni dhe ankthi janë aq shqetësues sa ne njerëzit jemi kompleksë. Nuk ka një zgjidhje të thjeshtë, dhe të veprosh sikur të kesh një është si të hedhësh kripë mbi plagë. Situata ime nuk është e njëjtë me atë të dikujt tjetër.

Por kjo nuk do të thotë që nuk mund të ndihmoni. Më poshtë janë disa gjëra që kam mësuar, të cilat më kanë ndihmuar.

Ndoshta do t'ju ndihmojnë në përballjen me depresionin tuaj, apo të një miku:

Mbani mend se nuk jeni profesionist i shëndetit mendor. (As unë nuk jam.) Mos ejani me autoritet në përpjekje për të rregulluar; eja me dashuri, duke u munduar të kuptosh.

Mos bëni supozime. Siç e tha një shoku im, "Depresioni është specifik; nuk mund t'i aplikosh të njëjtën zgjidhje të gjitha situatave."

Jini të pranishëm dhe dëgjoni. Siguroni miqtë që dëshironi të dëgjoni se çfarë po kalojnë. Shpeshherë fshihemi, duke supozuar se luftërat tona të brendshme do t'i largojnë të tjerët.

Lutuni. Vetëm Zoti e di historinë e plotë.

Përqafoni kompleksitetin. Çdo situatë është unike. Ajo që funksionon për një individ mund të mos funksionojë për një tjetër. Ilaçet, stërvitja, dieta, lutja, Shkrimi, të meditosh mbi Shkrimet dhe koha e lirë e shëndetshme janë të gjitha ndihma që funksionojnë, por mbivlerësimi i përfitimeve të njërës për përjashtimin e të tjerave mund të jetë problematike. Kini në mendje tablonë e madhe.

 

* Përmbajtja e këtij artikulli nuk ka për qëllim të jetë një zëvendësues për këshilla, diagnostikim ose trajtim profesional. Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj të shëndetit mendor ose një personi tjetër të kualifikuar në këtë fushë për çdo pyetje që mund të keni.

* Nëse doni ndihmë për aq sa ka kuptim në artikullin e mësipërm, ju lutem na kontaktoni përmes formës së mëposhtme. Ne do ta ruajmë anonimitetin tuaj (nuk shpërndajmë informacion palëve të treta) dhe do të përpiqemi të jemi ndihmë për ju.

 

 

Ju lutem na shkruani se si mund t'ju ndihmojmë!

© IJR 2020