Perspektivë

8 Mësime që duhet të nxjerrim nga Koronavirusi

Nga Mark Oden

U zgjova këtë mëngjes në Napoli, Itali.

Mbledhjet publike, duke përfshirë këtu shërbesat e Kishës, janë të ndaluara. Martesat, funeralet dhe pagëzimet janë anulluar. Shkollat, kinematë, muzeumet, palestrat, janë mbyllur të gjitha. Miliona njerëzve iu është thënë të rrinë në shtëpi të izoluar. Numri i të vdekurve po rritet çdo ditë. Si duhet të përgjigjemi ne si të Krishterë ndaj një krize të tillë? Me besim dhe pa frikë. Ne duhet ta shikojmë rrezikun në sy dhe të pyesim, “Zot çfarë dëshiron që unë të mësoj nga një situatë e tillë? Si po kërkon të më ndryshosh nëpërmjet kësaj situate?”

Ja disa mësime që do të bënim mirë, t’i mësonim apo rimësonim.

1. Jemi të Brishtë

Kjo krizë globale po na tregon se sa të dobët jemi si qënie njerëzore. A mund ta ndalojmë ne zhdukjen e racës njerëzore? Sigurisht që jo. Ne njerëzit harrojmë shpesh, por jemi të brishtë dhe të dobët. Fjalët e psalmistit tingëllojnë të vërteta sot, “Jeta e të vdekshmit është si bari, ajo lulëzon si lulja e fushës; era fryn mbi të dhe nuk është më, dhe vendi ku ishte nuk kujtohet më” (Psalmi. 103:15–16 Bibla). Si na ndikon ky mësim i brishtësisë sonë? Besoj se na kujton që të mos i marrim jetët tona këtu në tokë të mirëqena. Ndaj, lutja e psalmistit do të ishte me vend: “Na mëso, o Zot, të numërojmë ditët tona, që të fitojmë një zemër të urtë” Psalmi 90:12, Bibla.

2. Jemi të Barabartë

Ky virus nuk respekton kufijtë etnikë apo kombëtarë. Ne jemi të gjithë pjesëtarë të së njëjtës familje të madhe njerëzore, e krijuar në imazhin e Perëndisë (Zanafilla 1:26-28). Ngyra e lëkurës, gjuha që flasim, theksi, dhe kulturat tona të ndryshme nuk kanë asnjë vlerë përballë syrit të sëmundjes ngjitëse. Në sytë e botës ne jemi të ndryshëm, në sytë e virusit ne jemi të gjithë njësoj. Në vuajtjet tona dhe në dhimbjen e humbjes së të dashurve tanë ne jemi krejt njësoj - të dobët dhe pa përgjigje.

3. Nuk i kemi gjërat në kontroll

Ne të gjithë vdesim për pak kontroll. Ne e mbajmë veten për kapitenë të destinacionit tonë, mjeshtra të fatit. Realiteti është që sot më shumë se kurrë, ne mund të kontrollojmë një pjesë domethënëse të jetëve tona. Ne mund të kontrollojmë ngrohjen, ftohjen dhe sigurinë e ambientit, thjesht me një telekomandë; ne mund të transferojmë para në gjithë botën thjesht me një klikim; ne madje mund të kontrollojmë edhe trupat tanë me anë të stërvitjes dhe ilaçeve. Por ndoshta ky sens kontrolli është iluzor, një flluskë që korona virusi e shpoi, duke zbuluar realitetin që në fakt nu i kemi gjërat në kontroll aq sa mendojmë. Të gjitha masat e marra janë të mira. Por a jemi vërtet në kontroll me këtë situatë? Aspak.

4. Eshtë e vështirë të jesh i përjashtuar

Të jesh i përjashtuar dhe i izoluar nuk është gjë e lehtë, sepse ne jemi krijuar për marrëdhënie. Por shumë njerëz sot janë të detyruar të izolohen. Eshtë një eksperiencë që komuniteti i lebrozëve në ditët e Jezusit e njihte mjaft mirë. Të detyruar të jetonin më vete, dhe kur ecnin në rrugët e qytetit të tyre duhej të thërrisnin, “të papastër, të papastër” (Levitiku 13:45, Bibla).

5. Ka Dallim mes Besimit dhe Frikës

Cili është reagimi yt ndaj kësaj krize? Eshtë shumë e lehtë të kaplohesh nga frika. Virusi është kudo nga hedh sytë, në tastierë, në ajër, tek njerëzit që takoj dhe në çdo qoshe gati për të më infektuar. A po na zë paniku? Ndoshta kjo krizë po na sfidon të reagojmë në një mënyrë ndryshme - me besim dhe pa frikë. Besim jo tek yjet apo në një Zot të panjohur. Përkundrazi, besim në Jezu-Krishtin, bariun e mirë i cili është gjithashtu ringjallja dhe jeta. Sigurisht që Jezusi është në kontroll të kësaj situate; sigurisht që vetëm ai mund të na udhëheqë në këtë stuhi. Ai na thërret të besojmë, të kemi besim dhe jo frikë.

6. Kemi nevojë për Zotin, le të lutemi

Në mes të kësaj krize globale, si mundemi ne si individë të bëjmë dicka? Shpesh ndihemi të vegjël dhe të parëndësishëm. Por a ka diçka që mund të bëjmë? Mund t’i thërrasim Atit tonë në qiej.

· Të lutemi për autoritetet që udhëheqin qytetet dhe vendin tonë.

· Të lutemi për ekipet mjekësore që po trajtojnë të sëmurët.

· Të lutemi për burrat, gratë dhe fëmijët që janë infektuar, për njerëzit e frikësuar, për ata në zonat e izoluara, për ata që kanë risk të lartë për shkak të sëmundjeve shoqëruese dhe për të moshuarit.

· Të lutemi që Zoti të na mbrojë dhe të na ruajë. Të lutemi që ai të tregojë mëshirë për ne.

· Të lutemi gjithashtu që Zoti Jezus të kthehet, që ai të vijë sërish për të na marrë në krijimin e ri që ai ka përgatitur për ne, një vend pa lot, pa vdekje, pa vajtim, rënkim apo dhimbje. (Zbulesa 21:4, Bibla).

7. Kotësinë e shumë gjërave të jetës sonë

“Kotësi e kotësive, thotë predikuesi, kotësi e kotësive. Gjithçka është kotësi” (Predikuesi 1:2, Bibla). Eshtë e lehtë ta humbasësh perspektivën në mes të çmendurisë së jetëve tona. Ditët tona janë të mbushura me njerëz dhe projekte, punë, lista dëshirash, shtëpish dhe pushimesh aq sa e kemi të vështirë për të dalluar mes asaj që është urgjente dhe asaj që është e rëndësishme. Ne humbasim veten tonë në mes të kësaj jetese.

Ndoshta kjo krizë po na mëson se me çfare duhet ta zëmë jetën tonë. Ndoshta po na mëson çfarë është vërtet e rëndësishme në jetën tonë dhe çfarë është kotësi. Ndoshta po na mëson të dallojmë mes asaj që është dobishme dhe asaj që është e kotë. Ndoshta, Premier Liga apo Seri A, telenovela e re apo ai postimi në Instagram, nuk janë esencial për mbijetesën tonë. Ndoshta ky virus po na mëson se çfarë është vërtet e rëndësishme.

8. Kemi nevojë për Shpresë

Në një kuptim, pyetja më e rëndësishme nuk është, “Çfarë shprese ke përballë korona virusit?” sepse Jezusi erdhi për të na lajmëruar për prezencën e një virusi tej mase më ngjitës dhe fatal - një virus që ka goditur çdo burrë, grua dhe fëmi. Një virus, pasoja e të cilit është jo vetëm vdekje e sigurtë, por edhe vdekje e përjetshme. Njerëzimi sipas Jezusit, jeton nën terrorin e kësaj pandemie të quajtur mëkat. Kush është shpresa jote përballë atij virusi? Historia që rregjistron Bibla, është ajo e një Perëndie i cili hyri në një botë të infektuar me këtë virus. Ai jetoi mes njerëzve të sëmurë, vdiq në izolim, i përjashtuar nga njerëzit e tij, në dukje larg Atit të tij, në kryq— e gjitha kjo që ai të siguronte këtë botë të sëmurë me një antivirus, që të na shëronte ne dhe të na jepte jetë të përjetshme. Ai tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që beson në mua do të jetojë, edhe pse vdes; dhe kushdo që jeton duke besuar në mua nuk do të vdesë kurrë.”

(Gjoni 11:25-26), Bibla.

A e beson këtë?

 

Përktheu dhe përshtati në Shqip: Danjela Serjani.

Versioni në anglisht i këtij shkrimi mban titullin "8 Things the Coronavirus Should Teach Us" postuar në dt. 11 Mars 2020 në portalin TheGospelCoalition.org - https://www.thegospelcoalition.org/article/things-coronavirus-teach-us/

* Mark Oden është pastor i kishës Chiesa Evangelica Neapolis në Napoli, Itali. Ai ka qenë oficer i Marinës Mbretërore, dhe ka një diplomë në teologji në Kolegjin Teologjik Oak Hill në Londër. Ai dhe gruaja e tij, Jane, kanë katër fëmijë.

© IJR 2020