Perspektivë

7 vargje biblike që na kujtojnë se Zoti është në kontroll

Nga Lesli White

Ankthi dhe frika janë të pamëshirshme. Ato janë dy armët që armiku përdor më shpesh kundër nesh. Frika e pakontrolluar mund të të mbërthejë në shtrat për orë të tëra, përtej asaj që është e mençur apo e shëndetshme. Ankthi manifestohet ndër ne në formën e zemërimit të ashpër, të folurës së pahijshme dhe veprimeve të dhunshme. Sa më gjatë të jesh nën kthetrat e frikës, aq më tepër rriten shanset që të pushtohesh prej saj, duke lejuar që ajo të drejtojë çdo veprim dhe vendim tëndin. Të zgjedhësh ta lësh të patrajtuar frikën tënde, mund të të lërë me pasoja. E megjithatë, Zoti na ka premtuar që “Zoti është besnik dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej fuqive tuaja” (1 Kor. 10:13)...Mënyra më e mirë për t’i shpëtuar frikës që pllakos zemrën tuaj, është t’i ktheheni Shkrimeve. Më poshtë janë disa vargje biblike për të na kujtuar që Perëndia është në kontroll.

 

Isaia 41:10

“Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.”

Shpesh herë, i lexojmë me qindra herë vargje të caktuara nga Shkrimet dhe megjithatë, ato nuk e prekin zemrën tonë, ashtu siç Perëndia dëshiron. Në raste të tjera, kapemi te një apo dy vargje dhe i lejojmë atyre të na shërbejnë për shërim dhe ngushëllim. Isaia 41:10 përmban plot premtime të Perëndisë dhe meriton t’i kushtojmë kujdes. Perëndia dëshiron të na kujtojë përmes këtij vargu që nuk duhet të kemi frikë [sepse Ai do të jetë ndihma jonë].  

Psalm 46:1

“Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë; një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi”.

Fjala strehë ka kuptimin e një vendi të sigurt. Kur Bibla e përshkruan Perëndinë si strehë, nënkupton që Ai është vendi ynë i sigurt kur duam të mbrohemi nga diçka. Të pranojmë që Perëndia është streha jonë, na lejon të kemi besim të plotë tek Ai. Nuk duhet t’i druhemi situatave apo njerëzve që vënë në rrezik mirëqënien tonë fizike dhe shpirtërore. Nuk do të gjendemi asnjëherë në situata, ku Zoti nuk i ka gjerat nën kontroll, kështu që vendi më i sigurt, është të jesh atje bashkë më Të.

Filipianëve 4:6-7

Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.

Sipas të dhënave të publikuara nga Amazon, nga të gjitha nënvizimet në Biblën elektronike, ky varg nga Filipianët është më i nënvizuari. Sipas studiuesve të Biblës, Pali ishte i burgosur kur e shkroi këtë letër drejtuar Filipianëve, e ndaj ky lloj qëndrimi që Pali kishte ndaj ankthit, e bën këtë pasazh edhe më inkurajues. Edhe pse na duket si një risi që shkruesit e Biblës po iu flisnin përmes këtij pasazhi shqetësimeve të kohërave tonë, në fakt ky pasazh nuk ka kufizim kohor dhe ai i flet kujtdo. Jeta e krishterë është e mbushur me sfida, përmes të cilave duhet të rrezikojmë për të qenë gjithnjë e më shumë personi që duhet të jemi në të vërtetë.

Psalmi 94:19

“Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.”

Ky Psalm na mëson që edhe në vështirësi apo situata të dëshpëruara, mund të jemi të mbushur me gëzimin e Zotit tonë. Ai është ngushëllimi jonë dhe Fjala e Tij na lehtëson shqetësimet tona si asgjë tjetër. Perëndia mbjell gëzim në shpirtrat tanë dhe përmes shqetësime, thjesht duke ditur që Ai është aty dhe duke besuar në fuqinë e Tij.

Luka 12:22-26

“Pastaj u tha dishepujve të vet: ''Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. Jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja. Vini re korbat! Ata nuk mbjellin e nuk korrin, nuk kanë as qilar as hambar, e megjithatë Perëndia i ushqen; mirë, pra, ju vleni shumë më tepër se zogjtë. Dhe cili nga ju me shqetësimin e tij mund ta zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit? Atëherë, kur nuk jeni në gjendje të bëni as atë që është më e pakta, përse shqetësoheni për të tjerat?”

Jeta vlen më shumë se ushqimi dhe veshja. Perëndia na e mëson këtë përmes Shkrimeve. Jezusi na e kujton këtë kur Ai vetë u tundua nga Satani. Nuk ka përse të shqetësomi; vetë Perëndia do të kujdeset si për gjërat e mëdha ashtu edhe ato të vogla. Shqetësimi nuk i ndryshon rrethanat, të mëdha apo të vogla qofshin, madje i përkeqëson duke i bërë të duken më të mëdha se ç’janë në fakt. Përse ta torturojmë veten duke u marrë me “gjërat e mëdha”? Hidhe barrën tënde mbi Zotin dhe besoji mençurisë së Tij.

Psalm 27:1

“Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?”

Ashtu si edhe shumë psalme të tjera, Mbreti David e shkroi këtë psalm në një kohë mundimesh. E megjithatë, është një këngë sigurie dhe triumfi sepse Davidi e dinte se ai nuk do të ishte përjetësisht në errësirë dhe rrezik, duke qenë se Zoti ishte drita dhe shpëtimi i tij. Ai nuk u dëshpërua në errësirë dhe në ato që çka ajo sillte. Jeta e tij ishte mbushur me Zotin dhe me dritën e tij.

Zbulesa 1:17

“Dhe ai vuri dorën e tij të djathtë mbi mua, duke më thënë: ''Mos u tremb! Unë jam i pari dhe i fundit”.

Në pari, Jezusi thotë: “Mos u tremb”. Këtë kemi nevojë të dëgjojmë edhe ne sot. . . Jezusi vazhdimisht iu thoshte dishepujve të frikësuar “Mos u trembni”. Ungjilli na tregon që kurdoherë dishepujt ishin në mundime, ata shfaqnin frikë, ankth, shqetësim dhe panik, por Zoti shfaqej pikërisht në momentin e duhur për t’iu thënë këto fjalë: "Mos u trembni!'. Sot, jemi thirrur të bëjmë të njëjtën gjë.

 

Përktheu: Gladiola Jani

 

Shënim i redaksisë:

Ndonëse vargjet e mësipërme kanë një kontekst biblik specifik, mendojmë që parimet që dalin prej tyre, se si t’i zëmë besë Perëndisë, apo se si të ecim me kurajë në mes të të panjohurave dhe rreziqeve te jetës, gjejnë zbatim edhe për një situatë si kjo e jona. Ajo që i bashkon vargjet nuk është një premtim fals që nuk do të kemi vështirësi apo vuajtje, por se asnjë nga vështirësitë që ne kalojmë nuk është jashtë kontrollit të Perëndisë. Ashtu siç e pohon edhe vargu i fundit, Zoti që ne i besojmë është autori dhe mbajtësi i jetës, Ai është “i pari dhe i fundit”. Me Të fillon çdo gjë, me Të dhe do të mbyllet gjithçka. Asgjë nuk do të ndodhë pa e thënë Ai fjalën e fundit. Çfarë çlirimi të dimë që Ai është Zot me kohë të plotë duke qeverisur historinë njerezore edhe kur rrethanat tona janë tej mase të vështira. Ai  është aty për të na dhënë forcë, strehë, paqe, dhe siguri. Gjetshim ngushëllim në këto të vërteta!

Versioni i plotë i shkrimit në anglisht me titull “8 Bible Verses That Remind Us God is in Control” mund ta gjeni në këtë link: https://www.beliefnet.com/faiths/christianity/articles/8-bible-verses-that-remind-us-god-is-in-control.aspx.

 

© IJR 2019