JAVA E SHPRESËS

DITA 2

 

“Dhe Jezusi, mbasi hyri në tempull, filloi t’i dëbojë ata që shisnin dhe blinin brenda tempullit dhe përmbysi tavolinat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave. Dhe nuk lejoi asnjë që të mbarte sende nëpër tempull. Dhe i mësonte duke u thënë atyre: “Vallë nuk është shkruar: “Shtëpia ime do të quhet shtëpi e lutjes për të gjithë kombet”? Ju, përkundrazi, e keni bërë shpellë kusarësh!” Marku 11:15-17

 

 

Të dielën dashamirësit e tij e shpallën mbret.

Të hënën, “mbreti i ri” vizitoi tempullin. Vendin ku hebrenjtë pretendonin se shfaqej Perëndia.

Çdo ditë pelegrinët adhuronin nën muret e asaj ndërtese, që ishte qendra kombëtare dhe fetare e Izraelit prej shekujsh.

Një vend plot me adhurues të zjarrtë, të ulur në gjunjë përpara Zotit të Universit, duke kërkuar falje; disa ofronin sakrifica Krijuesit, të tjerë këndonin këngë adhurimi për mrekullitë e Perëndisë, dikush tregonte historinë e hapjes së detit të kuq mes për mes, që të kalonin Izraelitët e përndjekur nga faraoni, dikush i shpjegonte një miku fjalët e profetëve, një nevojtar ndihmohej; disa, të pluhurosur nga një rrugë e largët, po meditonin në fund të atij rrugëtimi rreth së vërtetës së Perëndisë së Izraelit.

 

Dhe mu aty në mes të turmave adhuruese, gjendeshin tregëtarë, me duar të zgjatura lutëse drejt pelegrinëve, për t’ju ofruar një kurs këmbimi të leverdisshëm; tregëtarë që shesin pëllumba për ritualin fetarë – por që e kanë mendjen më shumë te paratë që do të fitojnë në emër të Zotit të sakrificës, sesa te arsyet e sakrificës vetë; njerëz që kapin për mëngësh pelegrinët për t’iu shitur çfarë të munden në emër të fesë.

Një turmë njerëzish që blejnë një ritual, duke shmangur zemrën e adhurimit. Mashtrues që shesin emrin e  Perëndisë për të mbushur xhepat e tyre; që shesin Zotin për një grusht lekësh.

Jezusi, një javë përpara se të vdiste, po shikonte me dhimbje, fetarë në dukje, mashtrues në zemër.

 

Çfarë mendon kur shikon sot vendet e adhurimit? Shumë njerëz e kritikojnë Jezusin për shkak të të ashtuquajturve të krishterë që mashtrojnë vetë. Jezusit nuk i pëlqeu tregu i adhurimit. Por përtej të tjerëve edhe dukjes së tyre, cila është zemra jote? Nëse Jezusi do të shikonte zemrën tënde, çfarë do të dallonte? Sinqeritet? Mashtrim? Dhembshuri? Kërkim të sinqertë për Perëndinë?

 

Jezusi, ndryshe nga ç’të duket, nuk ka interes për dukjen e adhurimit. Jezusi kërkon të gjithë zemrën.

 

A je gati të shqyrtosh mundësinë për t’ia dhënë zemrën Atij? Ai nuk do ta lërë të jetë si një shpellë kusarësh.

               NËSE JENI SERIOZË NË KËRKIMIN TUAJ RRETH SË VËRTETËS PËR JEZUSIN! 

                     PLOTESONI FORMËN E MËPOSHTME DHE NE DO JU DERGOJME NJE E-BOOK FALAS.

Previous Story

DITA 1

Next Story

DITA 3

© IJR 2020