E PABESUESHME?

Sekretet e një udhëheqësi të suksesshëm

Një bashkëbisedim rreth udhëheqësisë dhe edukimit me Dr. Sanford Shugart, President i katërt i Kolegjit të Valencias në Orlando, Florida, që prej vitit 2000. Kolegji i Valencias është një nga kolegjet më të njohura në SH.B.A.,në të cilin studiojnë rreth 70,000 studentë çdo vit duke e bërë ketë kolegj si “një laborator kombëtar” për praktikat më të mira në edukim me përqindje nga  më të lartat të punësimit pas diplomimit.

Dr. Shugart ka njç Ph.D në Mësimdhënie nga Universiteti i Karolinës së Veriut. 

Gjithashtu, ai është autor i librit “Udhëheqësia në Furrnaltën e Punës: Zbulimi i Jetës së Brendshme të një Udhëheqësi të Vërtetë” (i botuar në shqip në vitin 2019) si dhe i disa botimeve të tjera, kryesisht poezi.

 

Intervistoi: Kaon Serjani.

 

Serjani: Dr. Shugart, në vitin 2011 Universiteti që ju administroni ka fituar Cmimin “Aspen?” që është cmimi më prestigjoz që një universitet në Usa mund të marrë. Ne 2015, revista “Washington Post”, e cila njihet për renditjen e universiteteve, ju ka rankuar ju, si një nga 10 universitetet më inovative ne vend, Gjithashtu kam mësuar që në vitin 2017, ju keni fituar cmimin prestigjoz, “ Megrow” për inovacion në arsim. Zoti Shugart, si e shpjegoni gjithë këtë sukses? Cfarë praktikash mësimore dhe ngjarjesh kanë luajtur rol në formimin tuaj.

Dr. Shugart: Unë nuk jam nisur asnjëherë me qëllimin që të jem inovator ose i njohur, interesi im, dhe kjo vjen nga pjesërisht nga edukimi im arsistik është, ‘të bësh punë të mira”. Dhe një punë e mirë fokusohet më shumë tek rezultati dhe impakti që do të kesh sesa sa i njohur do bëhesh apo sesi arrihet atje. Por është ndihmë, të paturit e një jete artistike që të ndikon në jetën tënde profesionale. Shumë njerëz shkojnë në punë por lënë pjesën më të mirë të vetvetes në shtëpi. Ata mund të sjellin, disa nga aftesitë, kapacitetet e tyre, disa aftësi socializuese për të bërë ca miq, por ata lënë shumë nga vetja e tyre në shtëpi. Ata lënë në shtëpi, kreativitetin, sinqeriten, lirinë për të dështuar, kapacitetin për të dashur, për të falur,… të gjitha këto gjëra që na vecojne ne si njerëz, janë në fakt jo shumë të mirëpritura në vendin e punës, edhe pse ne mendojmë që janë. Kështu që pjesë e punës time është që të sigurohem që po e sjell të gjithë veten time në pune, cilado punë qoftë dhe ta bëj të pranueshme që edhe të tjerët të sjellin të gjithë veten e tyre në punë. Për mua, puna është një dhurratë dhe jo një mallkim. Eshtë dizenjuar për të na ndihmuar ne të kuptojmë kush jemi, kush është qëllimi ynë në universes, si mund tju shërbejmë të tjerëve. Puna duhet të jetë ushqyese dhe jo të na zbrazë, duhet të rrisë dhe jo të na zvogelojë. Një pjesë e madhe e jetës sime profesionale ka qenë të eksplorojë sesi mund ta krijoj këtë ambient për njerëz të tjerë.

Serjani: Kam dëgjuar që kur ju ishit në universitet ju keni kaluar një përjetim besimi. A mund të na tregoni më shumë rreth kësaj?

Dr. Shugart: Nuk ka asgjë spektakolare,  rreth konvertimit tim në besimin e krishterë. Unë u rrita në një familje të zakonshme ku shumicën e kohës shkonim në kishë, por unë nuk kisha patur një përballje të vërtetë autentike me Krishtërimin para se unë të isha në të 20-tat. Dhe për shkak se unë kisha edhe një dimesion artistik edhe shkencor, në fakt unë jam arsimuar si shkencëtar, une e mora të mirëqenë që Krishtërimi ishte si besimet e tjera, që ishte i gjithi, mitologji, ajo cfarë njerëzit primitivë besonin, ishte si ajo fishkëllima në errësirë që të ndihmon të ndihesh i sigurtë por nuk është e vërtetë.  Në universitet, unë zbulova dy gjëra: njëra, që unë nuk isha i plotë, që unë kisha nevoja dhe dështime që nuk i rregulloja dot. Qënia njerëzore ka mangësi, dhe unë e zbulova që isha i tillë në një sërë mënyrash ndërsa po jetoja jetën si i pavarur. Së dyti zbulova që krishtërimi që une dija, ishte një karikaturë e shëmtuar e asaj cfarë krishtërimi është në të vërtetë. Dhe që ishte e mundur për mua të merrja pohimet e besimit të krishterë, jetën dhe jetën historike të Jezusit duke përfshire edhe ringjalljen, seriozisht, në mënyre itelektuale. Më pëlqen të bëj shaka me njerëzit dhe tju them, “Kam zbulur që Jezusi erdhi për të marrë mëkatet e mia, jo mendjen time”. Në universitet pata shumë fat të takoja njerëz që më deshën pa kushte por që gjithashtu kishin një  jetë rigoroze të mendjes dhe ishin të krishterë besnikë.

 Dhe kjo ishte hera e parë që e shihja diçka të tillë. Kjo për mua kishte shumë forcë bindëse. Megjithatë nuk u hodha drejt e brenda, por eksplorova dhe kisha shumë pyetje. Unë shkova në universitet me pyetje. Disa nga të cilat ishin: Çfarë e bën të vërtetën të vërtetë? Nga e dini se cila deklaratë e së vërtetës është legjitime? Çfarë bën ose si merresh me gjendjen njerëzore? Ti shikon rrotull dhe kupton që diçka ka shkuar krejtësisht keq! Çfarë të mire ka universi? Si e kultivojmë atë? Ta bëjmë botën një vend ku të gjitha qeniet njerëzore dhe pjesa tjetër e krijimit të lulëzojnë së bashku, në vend që të shkatërrojnë njëra-tjetrën duke përfituar nga njëra-tjetra. Më ka ndodhur më herët në jetën time të krishterë që fjalët e krishtera janë keqkuptuar. Një prej tyre është fjala ‘mëkat’. Pjesën më të madhe të jetës kisha dëgjuar predikuesit të ankoheshin për mëkatin e njerëzve të tjerë, e megjithatë asnjëherë nuk më kishte prekur me të vërtetë. Por zbulova se unë e mendoja mëkatin si një nënkategori të vogël, si p.sh. sjellja e keqe, aktiviteti imoral, etj. Thelbi i vërtetë i mëkatit, siç e zbulova, ishte problemi im dhe problemi im ishte që unë mendoja se isha zot i jetës sime nga fillimi në fund dhe liria ime ishte vlera më e lartë, dhe që unë kisha të gjithë urtësinë e nevojshme për të jetuar një jetë të mirë. Gjithashtu mësova që mëkati është një lloj dashurie e zvetënuar dhe është e lehtë ta keqkuptosh. Është ajo lloj dashurie që e konsumon objektin e dëshirës së vet, e shpërdoron atë. Ka shumë marrëdhënie dashurie ku njerëzit thonë se e duan njëri-tjetrin, por në fakt e përdorin njëri-tjetrin. Dhe kur nuk u nevojitet më personi tjetër, vazhdojnë para dhe e heqin qafe atë. E gjitha kjo u bë e qartë për mua kur isha rreth nëntëmbëdhjetë ose njëzet vjeç. Kur unë takova disa njerëz që ishin të pazakontë, por që e donin njëri-tjetrin pavarësisht kësaj dhe madje ndonjëherë për shkak të të qenit të pazakontë, dhe unë mendova: “Ndoshta ata mund të më duan edhe mua.”. Unë e respektoja mënyrën si e jetonin jetën, mënyra sesi mendonin për jetën në botë, si shkencëtar e respektoja këtë dhe desha të mësoja më shumë për të. Si përfundim e gjeta veten duke deklaruar që isha ndjekës i Jezus Krishtit dhe duke besuar në ringjalljen historike, pas një ekzaminimi të thellë, dhe duke filluar të jetoja jetën në një botëkuptim që ishte në përputhje me ato që thoshin Shkrimet, Bibla. Zbulova që bota është krijuar në një mënyrë të caktuar dhe që të jetoje ndryshe do të thoshte të jetoje kundër rrymës dhe kjo shpjegonte se përse bota nuk është fort në rregull.

 

Serjani: Tani, ju përmendët që ju siguroheni që të jepeni i gjithi pas punës. Pra, ju nuk e lini një pjesë të ‘vetes’ suaj në shtëpi. Pyetja ime është, si e sillni besimin tuaj në punë?

Dr. Shugart: Mënyra më e mirë për të sjellë të gjithë veten, por më e rëndësishmja besimin në punë, është duke e jetuar atë para se ta flasim. Kështu pra, thelbi i besimit të krishterë quhet ligji i dashurisë dhe nënkupton t’i duash njerëzit e tjerë, t’i duash pavarësisht nëse e meritojnë apo jo, sepse ty të kanë dashur pavarësisht nëse e meritoje apo jo. Pra të mësosh si ta bësh këtë, të sillesh gjithmonë me integritet të plotë, të jesh i hirshëm dhe të falësh njerëzit e tjerë pa mbajtur mëri, dhe të kujdesesh për atë që është e rëndësishme, të vendosësh si objektin dhe qëllimin e punës tënde lartësimin e njerëzve të tjerë, shërbimit të komunitetit dhe individëve. Ajo që thotë Bibla për qëllimin e jetës është sjellja e Mbretërisë së Perëndisë, dhe kjo është një gjuhë e vështirë për njerëzit për t’u kuptar, e gjitha kjo nënkupton që të përfshihemi në punë, në marrëdhëniet që e përmirësojnë botën sipas dizajnit që kishte Zoti për të. Mënyra si e dizenjoi botën ishte në mënyrë që të funksiononte mirë, të lulëzonte, të ishte e frytshme, të ishte e pasur në kuptimin e plotë të pasurisë, dhe kjo nuk ka të bëjë me sa para ke ti, por me sa të pasur e kemi zemrën, sa të pasur e ke shpirtin, sa të pasur jemi ne në humanizmin tonë dhe në përgjithësi në të gjitha aspektet e jetës.

Serjani: Meqënëse jemi te pasuria, kam dëgjuar që kur u është propozuar të merrni pozicionin e Presidentit të “Valencias”, ju nuk negociuat për rrogën tuaj. Përse e bëtë këtë?

Dr. Shugart: Në fakt, jo vetëm që nuk kam negociuar për rrogën, por edhe kam refuzuar rritjen e rrogës gjithashtu. Për 16 – 18 vite me rradhë Bordi i Drejtuesve, i cili drejton kolegjin tonë, më ofroi rritje të konsiderueshme rroge dhe unë gjithmonë e kam refuzuar për arsye të ndryshme. Njëra prej tyre është që unë jam i rrethuar plot me kujdes. Të jesh i pasur do të thotë të kesh nevojë për më pak gjëra dhe jo të kesh më shumë. Dhe kur e mbulon veten me gjëra të tepërta, e kalon të gjithë kohën duke u kujdesur për gjërat e tua, në vend që të kujdesesh për misionin dhe për jetën tënde. Prandaj unë doja që të tregohesha i kujdesshëm në lidhje me këtë. Shkrimet e krishtera na këshillojnë të jetojmë sa më thjesht që të jetë e mundur, jo të ndëshkosh veten sepse nuk është e nevojshme të jetosh një jetë ku ia mohon vetes disa gjëra, por të jesh i kthjellët për zgjedhjet që bën, të kuptosh që është më mirë të bësh këtë sesa atë. Kështu pra, një nga arsyet përse e kam bërë diçka të tillë është për të thënë që kam mjaft, dhe më shumë sesa mjaft është tepër. E dyta është, ne jetojmë në një botë materialiste ku njerëzit e vlerësojnë njëri-tjetrin nga sa shumë mund të fitojnë dhe kjo është e gabuar. Në Amerikë sidomos kjo është shumë e ekzagjeruar. Ne kemi CEO në kompanitë në Amerikë, të cilët marrin një rrogë gjashtëqind herë më të madhe sesa të sapopunësuarit, rroga të paturpshme. Kjo nuk është e keqe vetëm për njerëzit me të cilët po shërben, por krijon një ndarje shumë të madhe midis njerëzve. Unë mendoj që për të qenë një drejtues me ndikim duhet të fitosh besimin dhe përkushtimin e njerëzve që drejton dhe mënyra më e mirë për ta arritur diçka të tillë është duke patur për zemër mbrojtjen e interesave të tyre. Nëse ata do të shohin që unë po e grumbulloj gjithçka vetëm për veten time, dhe i lë ata nevojtarë, përse duhet të kenë besim te unë? Dhe përse të sillen me vetëmohim dhe përkushtim ndaj misionit tonë? Për ndërtimin e një komuniteti të shëndetshëm duhet të sigurohemi që të gjithë kanë mjaft, jo të gjithë duhet të kenë të njëjtat gjëra, por te gjithe kane mjaft dhe mbahen të përgjegjshëm për mënyrën si i fitojnë ato.

Serjani: Për sa i përket punësimit dhe fillimit të punës nga njerëzit, unë di që 95% e njerëzve që kanë një diplomë të “Valencias” punësohen menjëherë, dhe kjo nuk nënkupton që kur ata mbarojnë shkollën bëjnë çfarëdolloj pune, si barist, kamarier, etj., por punojnë në fushën e studimeve të tyre, apo jo?

Dr. Shugart: Po, ne kemi matës shumë të rreptë të performancës sonë. Një prej tyre është caktimi në një karrierë që lidhet me degën në të cilën je diplomuar dhe kjo bëhet që në gjashtë muajt e parë. Kështu që, gjashtë muaj pas diplomimit studentët fillojnë punë si infermierë, juristë, doktorë, në biznes, teknologji, zhvillimin e softuereve, sigurinë publike, etj. Ne kemi shumë e shumë fusha studimi, është një kolegj shumë i madh, me rreth 75 000 studentë në nëntë qendra studentore. Por ne jemi shumë të kujdesshëm për t’u siguruar që programet që sigurojmë për njerëzit janë në sinkron me karrierat që ata dëshirojnë për veten e tyre në ekonomi. Ata nuk e bëjnë shkollën vetëm për të zënë një pune, por një punë e mirë pas kolegjit është diçka shumë e mirë. Ne kemi disa studentë, si puna ime, që kane pyetje . Por nuk kemi degë filozofie, psikologjie siç kemi biznesin apo degë të tjera për të bërë karrierë. Përqasja jonë është t’u themi që të vazhdojnë t’i kenë këto pyetje dhe t’u përgjigjen atyre në kontekstin e një karriere, ku vendimmarrja jote e përditshme si një biznesmen, teknik apo shërues ndihmon njerëzit e tjerë por gjithashtu formohet nga ajo që ti beson se është arsyeja përse ekziston bota. Pra varet më shumë nga konteksti. Unë do të thoja përgjithësisht, ne jemi shumë të bekuar, sidomos në Orlando, që kemi një treg pune të fuqishëm, ka më shumë punë sesa njerëz. Ka mungesa krahu pune në aftësi të caktuara, që do të thotë mundësi, dhe ne jemi të kujdesshëm që t’i bashkërendisim programe per to. Por e di çfarë, unë mendoj që vështirësia e kësaj është ta zgjedhësh me kujdes punën tënde dhe të llogaritësh koston e saj. Kështu p.sh. unë kam miq që janë artistë, dhe disa herë ata ia dalin mbanë mirë, dhe disa herë jo. Por është puna e zemrës së tyre dhe ata janë të përkushtuar ndaj saj, prandaj janë të gatshëm të paguajnë çfarëdolloj çmimi. Unë jam rritur në botën e muzikës dhe nuk ka shumë vend për muzikantët. Ti mund të jesh violinisti më i mirë në vendin tënd, por në të gjithë botën çdo vit ka vende pune vetëm për njëzet ose tridhjet violinistë orkestre sinfonike. Pra duhet të llogaritësh koston në gjithçka. Një gjë tjetër që dua të them është që, veçanërisht në një vend si Shqipëria, ku ekonomia është akoma në zhvillim, ju keni bërë një rrugë shumë të gjatë në këto tridhjetë vitet e fundit, por keni akoma shumë rrugë të gjatë përpara. Unë dua të inkurajoj sa më shumë njerëz që të mendojnë si të fillojnë biznese dhe ndërmarrje, të cilat jo vetëm që do u japin mundësi atyre të punojnë, të kujdesen dhe të kontribuojnë duke siguruar, por gjithashtu të sjellë kuptim edhe për njerëz të tjerë. Qëllimi i punës nuk është thjesht të grumbullojë. Qëllimi i punës është lulëzimi. Ti lulëzon, familja jote lulëzon, komuniteti lulëzon dhe kombi lulëzon.

Serjani: Tani dua t’i tregoj audiencës sonë se sa ndikim të fuqishëm ka puna juaj në kolegjin “Valencia”. Ju përmendët një numër të përafërt me 75 000 studentë të regjistruar. Unë mendoj që universiteti më i madh në Shqipëri ka rreth gjashtëdhjetë mijë. Kështu që e imagjinoj sa e mahnitshme mund të jetë të kesh një nivel të tillë punësimi. Por tani dua ta bëj më specifike pyetjen për kontekstin tonë. Shumica e të rinjve shqiptarë që shkojnë në kolegj janë shumë të dekurajuar nga sistemi ynë arsimor, që vjen si pasojë e mungesës së shpresës që një ditë do të arrijnë të kenë një punë në profesion dhe për shembull, në ketë periudhë, profesioni që do të ofrojë më shumë vende pune është infermieria, dhe jo për të punuar në Shqipëri, por me shpresën që do të mund të shkojnë të punojnë në Gjermani. Si do t’i inkurajonit ju të rinjtë tanë në këtë luftë për të arritur punën e ëndrrave të tyre?

Dr. Shugart: Unë do t’u thosha dy–tre gjëra. E para është të jenë realistë për ekonominë e tyre dhe të zbulojnë cilat janë mundësitë. Në ekonomitë në zhvillim si e juaja, shpesh vendet ideale të punës mund të mos jenë krijuar akoma. Kjo është gjithashtu një kohë e ndryshimeve të mrekullueshme teknologjike dhe kjo nënkupton një kërcënim të vërtetë për vendet tradicionale të punës, por është edhe një mundësi marramendëse pune për njerëzit që të sigurojnë jetesën në epokën e re. Një shembull për këtë mund të ishte Sigurimi Kibernetik. Kjo punë nuk ka ekzistuar pesëmbëdhjetë vite më parë. Zhvillimi i aftësive të tilla do të të hapte dyert për punë në të gjithë botën. Dhe në fakt këto janë punë që performohen në çdo lloj tregu dhe një nga mënyrat e të menduarit duhet të jetë: Çfarë mund të bëj unë, cilat janë aftësitë që duhet të zhvilloj, për të më lejuar të punësohem në ekonominë globale, jo vetëm në ekonominë lokale? Pra, mendoni për gjëra të tilla si aftësitë bazë, apo Operator në Shërbim Klienti, të cilat janë pothuajse kudo. Shumica e Qendrave të Operatorëve  ofrojnë pozicionin e Shërbimit të Klientit për njerëzit në të gjithë vendin ose në vende të tjera si India, ose Rumania apo të tjera. Kjo është një aftësi bazë, por ka edhe punë që mund të bëhen që në shkollë të mesme. Si  ndërtim i softuerave, siguria kibernetike, këto janë gjëra që mund të bëhen kudo nëpër botë dhe në fakt janë bërë nëpër të gjithë botën. Ndërtimi i lojërave elektronike, shumica e të cilave krijohen në Indi tani. Ne kemi artet elektronike-prodhuesi më i madh i lojërave, me programues kompjuteri që janë kudo në Firmën ‘Nike’ dhe punojnë me imazhin e lojtarëve në qendër të Orlandos, por shumica dërmuese e lojërave janë prodhuar në ekonomitë ku krahu i punës është më i lirë. Por aftësitë teknike mund të jenë të mrekullueshme. Unë do ta shikoja këtë si një alternativë për të qëndruar në shtëpi, por duke punuar përtej kufijve nëse mundesh. Të gjesh mënyra që përkufizojnë suksesin dhe jo vetëm rrogën. Rroga është e rëndësishme, por nuk është gjëja e vetme. Kështu, në punën time, ka patur raste kur unë as nuk e dija se sa para fitoja, sepse nuk është shumë e rëndësishme për mua. Nëse arrij të fitoj mjaft, jam në rregull. Por ama, unë mund t’u them me saktësi se sa studentë u diplomuan. Dhe mund t’u tregoj një listë të gjatë me histori të njerëzve që erdhën nga rrethana të vështira dhe gjetën një mundësi përmes edukimi dhe tani po ndërtojnë një jetë me mjaft të ardhura për familjen e tyre të re.

Unë mendoj që Shqipëria është një mundësi e mrekullueshme për të krijuar diçka. Sfida është mbajtja gjallë e shpresës, që ka diçka të cilën ia vlen ta krijosh këtu. Dhe sinqerisht unë mendoj që sfida, për shkak të historisë suaj, është të ndërtoni gjëra që kanë një platformë etike tek e cila mund të mbështeteni. Kërcënimi më i madh për suksesin e biznesit këtu dhe nëpër të gjithë botën është korrupsioni. Kur njerëzit nuk kanë të njëjtin sistem vlerash dhe normativash, etika është shumë e vështirë të ndërtojë biznese të suksesshëm dhe me kalimin e kohës gjithçka do të bjerë copë-copë. Ne e kemi përjetuar këtë shumë vite më parë kur falimentoi Skema ‘Ponzi’. Ku i gjen etikën dhe vlerat e përbashkëta mbi të cilat të ndërtosh një komb dhe një ekonomi, madje edhe një komunitet. Unë personalisht do i riktheja njerëzit te burimi i vlerave, i cili krijoi shtetin modern që nga fillimi, që e bëri Evropën të suksesshme. Dhe përgjigja është që vlerat që gjenden në besimin e krishterë. Pra duaje të afërmin tënd...duaje Zotin, duaje të afërmin tënd, këto janë dy rregullat e arta dhe më pas duhet integriteti. Pra ka nevojë të ketë pionerë, në çdo komunitet. Ju mund të thoni, e kuptoj që mund të dukem i çuditshëm që e mbaj gjithmonë fjalën e dhënë, por do ta mbaj gjithsesi. Mund të dukem i çuditshëm nëse kujdesem për të tjerët para vetes sime, por do të kujdesem për ta. Dhe mund të dukemi i çuditshëm që i fal personat që gabojnë ndaj meje, dhe që përpiqem t’i rindërtoj marrëdhëniet me ta, por do t’i fal ata. Dikush duhet t’i bëjë këto. Të fillojë të ndërtojë një komunitet që ka një jetë të qëndrueshme.

 

 

Serjani: Unë dua të përfitoj nga rasti dhe të bëj disa pyetje mbi udhëheqësinë. Unë jam shumë i gëzuar që mund të shpall që organizata jonë sapo ka botuar librin tuaj. Pra, faleminderit! Në listën e gjatë si folës, muzikant, profesor, ju jeni gjithashtu edhe autor. Unë mendoj që titulli në anglisht do të ishte “Leadership in the crucible of work”, prandaj pyetja ime është, përse keni shkruar një libër tjetër mbi udhëheqjen? Unë e di që nëntitulli është “Zbulimi i jetës së brendshme të një udhëheqësi të vërtetë”. A është kjo ajo që e bën të veçantë këtë libër?

Dr. Shugart: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Ka patur shumë e shumë libra të shkruara mbi udhëheqjen. Të them të drejtën, unë ka shumë mundësi të mos e kisha përdorur fjalën ‘udhëheqës’ në titull, por botuesi im donte të sigurohej që unë do ta përdorja këtë fjalë. Unë do ta kisha quajtur thjesht ‘Puna’ e gjithë puna e mirë kërkon të merresh me furrnaltën ku performohet ajo çdo ditë. Do përpiqem ta shpjegoj pak më shumë. Që herët në jetën time zbulova që vajtja në punë përmbante rreziqe dhe një prej tyre, rreziku që neglizhohet më shpesh, është që me kalimin e kohës ju gdhendeni nga ajo që bëni. Sidomos nëse jeni të suksesshëm. Kështu, mjetet apo mënyrat që përdorni, zakonet e të menduarit, mënyra si e arrini suksesin, gdhendin karakterin tuaj. Shumë e shumë njerëz e kanë keqgdhendur karakterin e tyre për shkak të punës së tyre, ata kthehen në ata persona që nuk do të donin kurrë të ishin. Ata shndërrohen në qenie njerëzore egoistë, të zemëruar, zemërngushtë dhe vetëmbrojtës. Mund të kthehen në një mikromenaxher, në një tiran. Ka shumë zakone jofunksionale që i shohim te udhëheqësit në të gjitha llojet e organizatave. Unë jam habitur nga zbulimi që të gjithë këta persona nuk kanë qenë kështu në fillimet e tyre, por janë bërë kështu në punë. Pra, një nga arsyet përse e shkrova këtë libër ishte të dokumentoja udhëtimin tim ku m’u desh të zbuloja këtë: që puna të jetë e mirë, dua të them që t’i ushqejë njerëzit në vend që t’i shterrojë ata, që të jetë një punë që do t’i rritte, në vend që t’i zvogëlonte, një punë që do t’i niste në një udhëtim dhe jo në një garë brejtësi, duhet të fillojmë t’i kushtojmë vëmendje jetës sonë të brendshme dhe shndërrimit që po pësojmë ndërsa bëjmë atë që bëjmë në punë. Dhe unë e kam bërë këtë për pothuajse tridhjet apo dyzet vite tani, kryesisht përmes mbajtjes së ditarit dhe lutjeve të përditshme. Gjithashtu duke i kushtuar vëmendje personit në të cilin po kthehesha dhe duke krijuar ambient të shëndetshëm për personat e tjerë.  Një nga arsyet e tjera përse e shkrova këtë libër është që, të gjithë librat e tjerë të udhëheqjes flasin mbi teknikat, të tilla si ‘shtatë zakonet’, ‘pesë idetë e mira’, ‘njëqind ligjet e pandryshueshme’, ka një burim të pashtershëm librash në botë, të cilët të tregojnë ‘si të’.?

Nga vetë eksperienca ime kam kuptuar që problemi nuk qëndron te pjesa ‘si të’, nuk qëndron tek teknika, por është një problem karakteri. Ajo që kemi më shumë nevojë në udhëheqësit tanë, janë udhëheqësit me karakter të thellë. Një person me karakter, por me teknikë të limituar, është gjithsesi një person që do të bëjë shumë të mira. Një person me shumë teknikë, por me pak karakter mundet vetëm do të prishë punë. Sa më shumë teknikë të kenë aq më shumë dëm do të bëjnë. Ne jemi lodhur nga udhëheqësit/drejtuesit egocentrikë që kanë shumë teknikë. Ajo që na nevojitet janë njerëzit që ndërtojnë karakterin, që janë vetëmohues, shërbëtorë, që nxjerrin më të mirën e tyre në udhëheqësi.

Serjani: Hitlerit, për shembull, nuk i mugonte teknika.

Dr. Shugart: Ti mund të justifikosh pothuajse çdo të keqe që i ke sjellë njerëzimit nëse: a) ia mbush mendjen vetes që po ndërton një farë trashëgimie për të ardhmen; dhe b) ti ke shumë burime nën komandën tënde për të bërë gjërat e ndryshme. Pra e përsëris edhe një herë, udhëheqësit egocentrikë janë të rrezikshëm. Ne jemi ngopur me ta. Në të vërtetë ndjekësit e tyre duhet të kërkojnë që të kemi udhëheqës me karakter të thellë.

Serjani: Pra, a është kjo ajo që keni ndër mend kur thoni që puna më e rëndësishme e një udhëheqësi është të ajo punë që bën brenda vetes?

Dr. Shugart: Brenda vetes, po, ke të drejtë. Gjithçka që bëj në punë çdo ditë, të gjitha sfidat dhe përpjekjet e zakonshme, konfliktet, çështjet personale, konkurrenca, të gjitha këto gjëra unë i përjetoj njëlloj si gjithë të tjerët. Dhe të gjitha këto unë i kthej në material të pastër për punën time të brendshme, që unë e përpunoj kur tërhiqem mënjanë, për ditarin tim të përditshëm. Unë lutem dhe procesoj, i shkruaj vetes sime, askush tjetër nuk mund ta lexojë këtë dhe askush nuk duhet ta bëjë. Por është vendi ku unë mund të kem një bisedë të sinqertë, përse jam unë ziliqar ndaj atij personi, përse ndihem i këcënuar prej saj, në çfarë personi po kthehem ndërsa bëj këtë punë, për çfarë shqetësohem më shumë në marrjen e këtij vendimi, cilat parime po përdor për të lundruar në këtë vend të vështirë? Çfarë vështirësish jam gati të duroj për të bërë gjënë e duhur? Këto janë pyetjet e rëndësishme të cilat i bëj vetes çdo ditë në ditar për ngjarjet e së përditshmes. Ajo që ndodh me kalimin e kohës është që ti mëson si ta bësh diçka të tillë, mua më ka marrë mjaft kohë për ta bërë këtë, por ajo që bën në botë kthehet në material të pastër për analizimin tënd, dhe ajo që mëson gjatë kësaj analize kthehet në mjetet e reja që përdor në botë. Ky dialog midis punës tënde të brendshme dhe punës tënde të jashtme të mban të shëndetshëm dhe nëse do të jeni mjaft me fat si isha unë, që të punojë në arsim dhe në kujdesin shëndetësor, atëhere puna e brendshme mund të lidhet me punën e jashtme, që lidhet me një punë të mrekullueshme në botë. Nuk u jepet të gjithëve mundësia për ta bërë këtë, por unë kam një ndjesi të thellë, një privilegj që ajo që po bëj është e lidhur me punën e Perëndisë në botë në një farë mënyre. Lulëzimi i njerëzve, shërimi i tyre, puna ime në spital dhe liria përmes edukimit apo vetë puna edukative, ose të dyja bashkë, të gjitha këto janë kauza të mrekullueshme të cilat i dua shumë.

Serjani: Dr. Shugart, çfarë mund të na thoni për pyetjen: Një drejtues lind i tillë apo bëhet i tillë? Si do t’i përgjigjeni ju?

Dr. Shugart: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Në përgjithësi do të thoja që udhëheqësit nuk lindin të tillë. Qeniet njerëzore lindin në të gjitha në format dhe përmasat, por karakteri është në qendër të udhëheqësisë dhe ju nuk lindni me karakter, ju lindni me instikte, ju lindni me dhunti, ju lindni me zakone dhe aftësi, por karakteret formohen me kalimin e kohës. Nuk mjafton të trajnohesh. Ka shumë programe trajnimi për udhëheqës. Kjo ka të bëjë me teknikën. Po u jap një shembull: Siç e dini, të dëgjuarit është një nga teknikat më të rëndësishme të udhëheqjes. Unë mund të trajnoj këdo për të qenë një dëgjues më i mirë. Duhen mësuar disa teknika të ndryshme, dhe të gjithë ne i dimë ato. Më shiko në sy, mos shiko papagallin mbi shpatullën time. Një pozicion trupi i hapur dhe jo i mbylluar. Bëni pyetje drejtuese dhe që konfirmojnë të kuptuarin e drejtë të asaj që po thuhet. Dëgjoje deri në fund personin tjetër para se të fillosh të mendosh për atë që do të thuash kur të kesh rradhën. Mos i gjyko ata, as edhe me akuza joverbale. Lejoi ata të flasin. Të gjitha këto janë teknika që ju mund t’i mësoni. Unë mund t’u trajnoj ju t’i bëni këto gjëra për një orë. Dhe nëse i zbatoni, njerëzit rrotull do ta vënë re brenda një jave që ju jeni një dëgjues më i mirë. Dhe edhe një drejtues më i mirë. Ja çfarë nuk mund  t’u mësoj unë për një orë. Unë nuk mund të të mësoj që ai djali që nuk të lë rehat, që të acaron, duke thënë të njëjtat budallallëqe në të njëjtin takim çdo vit, mund t’ia vlejë të dëgjohet. Ai mund të ketë për të thënë diçka që ti ke nevojë ta dëgjosh, edhe pse të bezdis. Sepse kjo është çështje përulësie dhe drejtuesit/udhëheqësit kanë nevojë për përulësi. Përulësia mund të trajnohet, sepse ti nuk lind i përulur. Përulësia është një çështje karakteri që formohet përgjatë një periudhe të gjatë kohore, si një stalaktit. Ajo ndryshon, lëviz, mund të gdhendet, por duhet një periudhë e gjatë kohore, nga reflektimi mbi vetë eksperiencën tënde dhe nga kriteret e jetës suaj në orientimin tuaj në këtë botë. Nëse po e orienton botën nga qendra e vetë egos tënde, atëhere je egocentrik. Nëse e orienton botën tënde nga qendra e Krijuesit të botës, të Atij që e dizenjoi botën, atëhere mund të jetosh një jetë në plotësi të saj. Unë do të thoja që udhëheqësit formohen përgjatë një periudhe të gjatë kohore, sepse udhëheqësia ka të bëjë kryesisht me karakterin. Ju mund t’i shtoni mjaft teknika kësaj, por kjo nuk do t’u bëjë udhëheqës.

Serjani: Për sa i përket aftësisë së të dëgjuarit. Shumica e librave mbi udhëheqësinë, i kushtojnë një rëndësi të madhe të qenurit një dëgjues i mirë. Në librin tuaj ju mendoj që i nxitni drejtuesit edhe të mësojnë se si të mësojnë të mos dëgjojnë. Kjo duket kontradiktore. A mund të na e shpjegoni pak më shumë?

Dr. Shugart: Edhe kjo është një pyetje shumë e mirë. Për pjesën më të madhe të rasteve, pothuajse çdo e vërtetë që mund të përmendim përmban një paradoks të vogël që lidhet me të. Ka një kohë për të marrë në zotërim, dhe një kohë për të hequr dorë. Ka një kohë për të falur dhe një kohë për të mbajtur të përgjegjshëm. Ka një kohë për të dëgjuar dhe një kohë për të mos dëgjuar. Të dëgjuarit është një jashtëzakonisht fuqizues për njerëzit me të cilët punon. Ju po konfirmoni aspektin njerëzor të tyre, po dëgjoni historitë e tyre, është një mënyrë për t’i dashur njerëzit, të dëgjuarit është një shfaqje dashurie. Por ka një kohë gjithashtu kur njerëzit janë të frikësuar, egoistë, dyshues dhe zërat e tyre vijnë te ju si drejtues. Çdo rrezik që kam ndërmarrë, në shërbim të misionit dhe të së ardhmes sonë, ka patur njerëz dyshues përreth që thoshin: “Mos e bëj këtë!”.

Serjani: A po përpiqeshin të të dekurajonin?

Dr. Shugart: Po. Ishin zëra dekurajues. Dhe shumica e këtyre zërave vijnë nga brendësia. Unë i quaj zëra të fshehur. Dhe kështu fillojnë të rriten edhe dyshimet e tua. Kush je ti që do të bësh këtë gjë? Kush je ti që dëshiron të fillosh këtë strategji të re? A përse duhet të të besojë dikush ty? Ne të gjithë jemi të mbushur me dyshim për veten. Njerëzit që hasim herë pas here dhe që duken plot me vetëbesim, në fakt janë ata që përpiqen t’i mbushin emndjen vetes, sepse kanë më shumë dyshim te vetja e tyre. Pra duhet të mësohemi me këto dyshime dhe të mësojmë të mos i dëgjojmë ato gjithë kohën. Kur ne themi: Unë do ta bëj këtë edhe pse  duket e frikshme. Unë do përpiqem ta shpjegoj në këtë mënyrë. Ne të gjithë kemi pasion, jemi të apasionuar në atë që bëjmë, por njerëzit e keqpërdorin këtë fjalë. Ajo që nënkuptojnë ata është fjala ‘entuziast’. Kjo është e vërtetë gjithashtu edhe për marrëdhëniet personale. Ju dëgjoni një çift që thotë: “Jam i apasionuar pas saj...Jam e apasionuar pas tij!”. Në fakt ata janë kryesisht entuziastë, që do të thotë se ngelen pa frymë kur janë pranë njëri-tjetrit. Pasioni nuk ka lidhje me ndjenjën e entuziazmit. Rrënja e fjalës pasion në latinisht është ‘pasio’ dhe kuptimi i saj është ‘të vuash’. Unë mendoj që një njeri është i apasionuar pas diçkaje për të cilën është gati të vuajë. Unë jam i apasionuar pas fëmijëve të mi unë do të kaloja përmes çdo vuajtjeje për ta. Unë jam i apasionuar pas gruas sime, jam gati të duroj çdo lloj vuajtjeje për mirëqenien e saj. Pra nëse bëjmë pyetjen për çfarë je i apasionuar në punë, për çfarë je gati të vuash, cilat janë rreziqet, rreziqet personale që je gati të ndërmarrësh si drejtues në shërbim të të tjerëve? Kjo do të të tregojë shumë për veten tënde. Që këtu vjen ajo pjesa e të mos dëgjuarit. Sepse shumica e mesazheve të dyshimit që unë i dërgoj vetes përpiqen të limitojnë përgjegjësitë e mia, të mbrojnë veten time, të tregohen të kujdesshëm veçanërisht në shërbim të të tjerëve. Dhe unë duhet t’ia pres rrugën dhe t’i them: ‘Jo, jo! Unë e di cila është gjëja e duhur për të bërë këtu dhe nuk ka kompromis me të  gabuarën.’

Serjani: Dr. Shugart, në librin tuaj ju gjithashtu paralajmëroni që njerëzit që përdorin të tjerët, ose drejtuesit që përdorin punonjësit si mjete, si objekte, do të bëjnë që kjo sjellje të ndikojë negativisht jo vetëm këta njerëz, por edhe vetë drejtuesin. Unë dua t’u pyes, si e keni menaxhuar ju këtë në jetën tuaj si drejtues, që të mos i përdornit njerëzit e tjerë? Çfarë ju ka ndihmuar ju?

Dr. Shugart: Edhe kjo është një pyetje shumë e mirë. Unë dua që t’i përgjigjem në dy nivele. Kështu pra, nga ana praktike si i kushtoj vëmendje mënyrës si po i trajtoj qeniet e tjera njerëzore, duke u përpjekur të mos i përdor ata, i përgjigjem një liste me pyetje. Pra janë disa gjëra që bëj. Njëra prej tyre është kjo, është shumë e vështirë të përfitosh nga njerëzit për të cilët lutesh. Unë jam i disiplinuar dhe lutem vazhdimisht për të gjithë njerëzit me të cilët punoj drejpërdrejt si edhe për organizatën për të cilën punoj. Unë nuk lutem për sukses apo prosperitet, por lutem për shëndetin dhe shpirtin e atij vendi, që do të sillemi mirë me njëri-tjetrin dhe të kemi një zemër të shëndetshme. Dhe nëse e mbaj veten të fokusuar ata e dallojnë që unë përcaktoj atmosferën për pjesën tjetër të organizatës dhe kështu mund të jem i sigurt në përgjegjësitë që kam për njerëzit e tjerë.  Të jesh drejtues do të thotë që të marrësh seriozisht përgjegjësi për mirëqenien e njerëzve të tjerë. Ti duhet të kujdesesh për ta. Janë njerëzit dhe jo organizata për të cilët ti mban përgjegjësi. Kështu pra, nga ana praktike unë lutem, i dëgjoj, kaloj kohë me ta, unë i pyes ata, e ftoj kriticizmin, dëshiroj të di cilat janë shpresat dhe aspiratat e tyre, në mënyrë që të mund t’i ndihmoj ata. Pra është detyra ime që të di për çdo person që më raporton mua se ku dëshiron të shkojë në jetë, çfarë duan të arrijnë, cili është misioni i jetës së tyre. Detyra ime është ta nxit atë zjarr dhe t’i inkurajo ata. Disa herë madje i nxit të largohen dhe të përpiqen të realizojnë ëndrrën e tyre. Ose nëse kanë zgjedhur punën e gabuar, të përmbushin aspiratat e tyre. Në një nivel shumë më të lartë do të thoja që unë duhet të vazhdoj t’i kujtoj vetes për mënyrën si funksionon universi. Një njeri nuk duhet të jetë i krishterë për ta besuar këtë. Kur më pyesin njerëzit se çfarë mendoj unë për mënyrën si funsionon universi unë u them: “Ka vetëm dy mënyra për ta parë universin. Njëra thotë ‘shiko përreth teje, çdokush që ti sheh është i përkohshëm. Ata janë këtu vetëm për një minutë. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm që jemi të vdekshëm. Ne të gjithë do të ndërrojmë jetë. Pra çfarë duhet të ketë rëndësi është ajo që do të mbetet pas kur ti të kesh ikur. Poezitë që ti ke shkruar, organizata që ke krijuar, pasuria që ke grumbulluar, fuqia e familjes sate, trashëgimia që dëshiron të lësh. Ky është një vizion shumë tundues i universit sepse të gjithë e dimë që jemi të vdekshëm.  Ky është quhet materializëm. Problemi i kësaj teorie është që një person mund të justifikojë pothuajse çdo lëndim ndaj një qenieje tjetër njerëzore për hir të një trashëgimie, ne e përmendëm dikë që e bëri diçka të tillë më parë. Dhe kjo është shumë e zakontë. Mënyra tjetër për të parë universin është të thuash ‘shiko rreth teje, çdo gjë që sheh është e përkohshme, ky është ligji i dytë i termodinamikës, çdo gjë po degradon. Vetëm se, në një farë mënyre unë nuk arrij ta shpjegoj personin që rri përballë teje në tavolinë. Ne të gjithë kemi mbështetur hipoteza të ndryshme që ka diçka nga çdo person që e kapërcen kohën.  edhe kur gjithçka tjetër ka ikur, diçka ngelet prej teje. Ne përdorim fjalët ‘jetë e përjetshme’, ‘parajsë’, e të tjera, por këto janë fjalë me ngjyrim, ajo që nënkuptojmë me të vërtetë është që në rrënjët e veta një hipotezë thotë që universi është në të vërtetë personal dhe gjërat janë të përkoshme. Unë e zgjedh atë hipotezë dhe mendoj që është më e përshtatshme, që i flet më mirë eksperiencës njerëzore dhe historisë njerëzore. Dhe e them këtë si shkencëtar. Ka diçka transhendente në personalitetin njerëzor. Në të vërtetë ka diçka transhendente për të gjithë njerëzimin pjesë e të cilit jemi ne dhe unë do të thosha që për mua, mbrapa gjithë kësaj është personi me P të madhe. Universi në një nivel të caktuar është personal, ekziston një zemër, një mendje dhe një shpirt personal mbrapa gjithçkaje, që mban gjithçka së bashku. Pa këtë, jeta dhe historia janë të pakuptimta. Është vetëm tingull dhe zemërim që nuk do të thotë asgjë. Me të ekziston potenciali për kuptim, për drejtim për historinë tonë dhe qëllim në jetë.

Serjani: Ke të drejtë, dhe unë ju jam mirënjohës për çfarë thatë. Nën dritën e kësaj, cili do të ishte mesazhi juaj i fundit për shikuesit tanë?

Dr. Shugart: Është shumë e lehtë të përfshihemi në realitetin e përditshëm në të cilin jetojmë dhe të bëhemi me të vërtetë pragmatikë, dhe as të mos i bëjmë më pyetjet e rëndësishme. Ne shqetësohemi nëse një familje e së ardhmes do të pyesë se cili është kuptimi i vërtetë i jetës dhe unë e kuptoj këtë. Por e gjithë trajektorja e historisë njerëzore ka patur si synim të vendosnim veten në një pozicion ku mund t’i bëjmë pyetjet e rëndësishme, dhe të lëmë pyetjet e rëndësishme t’u japin formë pyetjeve më pak të rëndësishme, dhe jo të anasjelltën. Pra, gjëja e parë që do të thoja është të ktheheni dhe t’i adresoheni pyetjes më të rëndësishme. Pyetjes që na jep kuptim, qëllim dhe drejtim. Gjithçka tjetër buron prej këtej. Nëse ju nuk i bëni këto pyetje ju fakt do të jeni i burgosur. E vetmja mënyrë për të patur liri është duke bërë pyetjet e duhura. Dhe gjëja e dytë që do të thosha është që unë i kam gjetur përgjigjet për këto pyetje në një ngjarje të vërtetë të historisë njerëzore dhe në një person të vërtetë që ka jetuar me të vërtetë. Emri i Tij është Jezus Krisht dhe është e vështirë të kundërshtosh provat e historisë. Ai jetoi me të vërtetë, vdiq me të vërtetë, Ai u ringjall me të vërtetë. Është e vështirë ta shpjegosh në ndonjë mënyrë tjetër, dhe Ai vazhdon me të vërtetë ta ndryshojë botën, në një mënyrë që nuk e ka bërë kurrë asnjë tjetër.

Serjani: Shumë faleminderit që morët kohë për të bërë këtë bashkëbisedim. Unë ju jam mirënjohës për gjithçka që thatë. Shpresoj që në vizitën tuaj të rradhës në Shqipëri ne do të gjejmë kohë të flasim për fusha të tjera ku ju shkëlqeni, si në poezi dhe në muzikë. Ju falenderojmë shumë!

Dr. Shugart: Faleminderit që më lejuat të jem me ju! Ishte një kënaqësi shumë e madhe!

 

Përktheu: Ana LLakaj, Danjela Serjani 

© IJR 2019