pashka

Kryqi Shpreh Dashurnë e Perëndisë

Kryqi është një mesazh i dashurisë së Perëndisë. A je nga ata persona që dyshojnë në dashurinë e Perëndisë? Mbase ishte një kohë e vështirë për ty ku jeta duket e padrejtë, dhe ti mendon se si është e mundur që një Zot i gjithëfuqishëm do të lejonte të ndodhin këto gjëra? Ti mund të jesh ndjerë sikur Zoti të ka kthyer kurrizin. Nëse do të shikoje nga afër kryqin do të kuptoje që Zoti është dashuri dhe qëllimet e tij janë të mira.

       Në Bibël, tek Ungjilli sipas Gjonit 3:16 thuhet “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme”.

     Si e tregoi Perëndia dashurinë? Nuk ishte si ylberi me ngjyrat e tij apo si lulet në pranverë. Nuk ishte me një llogari të majme në bankë apo një trup të shëndetshëm. Jo, Ai nuk na dha gjëra si këto! Perëndia dha birin e tij të shtrenjtë që të vdiste në kryq. Ai dha birin, Jezusin, duke e ditur që ne jetojmë në mëkat dhe në mosbindje ndaj Tij.  Kryqi është për ne prova pozitive që Ai na do. 

      Në letrën drejtuar Romakëve 5:8 thuhet “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne”.

    Perëndia nuk na kërkoi që të bëjmë të pamundurën që të mos të mëkatojmë. Kemi lindur mëkatarë dhe nuk kemi fuqinë  në vetvete të jetojmë pa mëkat. Kemi nevojë për një shpëtimtar sepse po mbytemi në mëkat dhe destinacioni është humbje e përjetshme, larg Perëndisë. 

      Jezusi i tha dishepujve se kush ishte forma më e madhe e dashurisë. Ai tha “Askush s’ka dashuri më të madhe se kjo, që të japë dikush jetën e vet për miqtë e tij” ( Gjoni 15:13). Perëndia zgjodhi të na quajë miq dhe dha jetën e tij në kryqin e tmerrshëm që ne të jetojmë. Kur Ai u ringjall, tregoi që ishte Zot dhe Shpëtimtar dhe siguroi për ne një jetë plotë shpresë dhe kuptim për të ardhmen.  

    Kërkoje këtë dashuri dhe do të të jepet. Lexo artikujt e tjerë ku tregohet se si mund ta fitosh dashurinë e Perëndisë.

 

Next Story

Kryqi

© IJR 2021