Perspektivë

Të qëndrosh besnik gjatë koronavirusit

Nga Douglas Groothuis*

“Këto janë kohëra që vënë në provë shpirtrat njerëzorë” –shkrroi Thomas Paine në thirrjen e tij drejtuar amerikanëve për të luftuar për pavarësinë e tyre. Kriza quhet vepra e Paine e shkruar në 1776, e tashmë ne jemi duke u përballur me një tjetër krizë, jo më një luftë e njeriut kundër njeriut, por ajo e një virusi në luftë kundër të gjithë njerëzimit. Frikërat e shkuara nga Ebola, gripi i derrit dhe viruse të tjera, të paktën për amerikanët, duken asgjë përpara kërcënimit që paraqet koronavirusi i ri COVID-19, i cili, ndërsa unë shkruaj këtë artikull, po tmerron mbarë botën.

Nuk do të shprehem se sa e rëndë do jetë kjo pandemi, apo cilat politika duhet të ndiqen kundër saj, pasi nuk jam ekspert në këto fusha. Në fakt, do të flas për disa parime se si të qëndrojmë besnik. Si mund të qëndrojmë të fortë dhe gjakftohtë gjatë kësaj krize, në të cilën, çdo gjë që na dukej e patundshme tani po na rrëshket nga duart?

Te Predikuesi na thuhet që jeta “nën këtë diell” është hevel- ajër, avull, një fjalë hebraike që në shumë versione përkthehet trashë “kotësi”. Gjatë viteve të tij të urtësisë, Predikuesit iu desh të mësonte që shpesh ëndrrat thyhen, padrejtësia mbizotëron, puna nuk shpërblehet sipas mundit dhe se askush nuk di asgjë për të ardhmen.

“Gjithashtu pashë nën diell;

që vrapimi nuk fitohet nga ai që është i shpejtë

 as beteja nga të fortët;

 as buka nuk u shkon të urtëve,

as pasuritë njerëzve të zgjuar,

as favori atyre që janë të shkathët, 

por të gjithëve gjërat u ndodhin sipas kohës dhe rastit. (Predikuesi 9:11)

Gjyshi i gruas sime të parë, vdiq gjatë gripit spanjoll të 1918. Ajo nuk e njohu kurrë dhe gjyshja e saj mbeti e ve për pjesën tjetër të jetës. Kohërat dhe stinët janë në dorën e Zotit (Predikuesi 3:1-7. Efesianëve 1:11). Jeta do të mbetet e shkurtër, e brishtë dhe e paparashikueshme, derisa Krishti të vijë dhe të drejtësojë botën njëherë e përgjithmonë. Duhet t’i grumbullojmë thesaret tona në qiej, aty ku ato do të jenë të sigurta. Sido që të ndodhë, ne duam të mbetemi besnik dhe të japim fryte besimi në Krishtin. Por, si mund ta arrijmë këtë?

Së pari duhet t’i kujtojmë vetes që asnjë virus nuk është më i fortë se Zoti i universit, dhe Ai është Perëndia jonë.

Kush është ky Mbret i lavdisë?

Është Zoti i Plotfuqishëm - Ai është Mbreti i lavdisë. (Psalm 24:10)

Asgjë nuk e kap në befasi Zotin tonë të gjithëdijshëm; Ai ka nën kontroll çdo gjë. Ashtu siç Jezusi tha:

“Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja? Vini re zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se sa ata? Dhe cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t'i shtojë një orë të vetme jetës së vet?” (Mateu 6:25-27)

Duhet të kemi frikë nga Perëndia, e jo të mbetemi peng i rrethanave. Ndërsa bota dridhet nga frika, duhet të qëndrojmë të qetë dhe t’i besojmë Perëndisë sonë të gjithëfuqishëm. Për më tepër, përmes sprovash rritemi si të krishterë.

“Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri. Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë.” (Jakobi 1:2-4)

Në këtë mënyrë, marrim zemër dhe lutemi për të gjithë ata të prekur nga kjo pandemi.

Së dyti, duhet të tregohemi të kujdesshëm për të ruajtur veten, miqtë dhe familjet tona nga koronavirusi i ri. Bibla asnjëherë nuk flet hapur për interesat personale, megjithatë i nënkupton ato (shiko Efesianëve 5:29). Duhet ta duam fqinjin tonë porsi vetveten, duke nënkuptuar që duhet të konsiderojmë drejt rreziqet dhe përfitimet në kohë krize.

Kur jemi përballë një rreziku të lartë për jetën dhe shëndetin tonë, duhet t’i shmangim këto situata të rrezikshme, përveçse kur ka një arsye më të lartë.  Edhe pse risku për t’u infektuar me koronavirus është i ulët (edhe më i ulët është risku që të humbësh jetën prej tij), sërish duhet të marrim masa për të parandaluar infektimin. Trimëria nuk tregohet duke bërë të kundërtën. Madje është krejt e pamend, duke qenë se shanset për të patur pasoja të rënda përmbysin riskun e ulët.

Për shembull, nëse vëren diçka të pazakontë në lëkurë, që me shumë gjasa nuk është kancerogjene, prapëseprapë do të shkosh të konsultohesh me një mjek, në mënyrë që të përjashtosh mundësinë më të keqe. Nëse motorri i avionit tuaj privat bën një zhurmë të çuditshme, edhe pse me shumë gjasa çdo gjë punon në rregull, ti nuk e ngre atë mjet në fluturim derisa të gjesh nga vjen zhurma. Çdo ditë hasemi me rreziqe dhe nuk ka nevojë t’i shtojmë ato vetes apo të vëmë në rrezik të tjerët – përveçse kur është më se e nevojshme për të bërë një sakrificë për t’i shërbyer dikujt tjetër.

Më tej akoma, s’është vendi për t’u treguar më shumë optimist nga ç’duhet përballë një rreziku të tillë. Duhet të mendojmë më të keqen dhe të veprojmë në përshtatje me të. Pesimizmi procedural – i cili shkon krahë për krahë me besimin e fortë – është në rregull, derisa përmbyset nga faktet. Me çdo mjet, lutuni dhe shpresoni për më të mirën megjithatë përgatituni dhe për më të keqen. Kjo është gjëja më e mirë për t’u bërë.

Gjithsesi, nuk është diçka fort e mirë të grumbullosh rezerva pa fund, në panik e sipër. Madje, është egoiste dhe e papërshtatshme për një ndjekës të Jezusit, jeta e të cilit duhet të karakterizohet nga vetëpërmbajta” (Galatasve 5:23). Predikuesi i shquar anglez Martin Lloyds Jones ka thënë që besimi është “kundërpërgjigje ndaj panikut”.

Së treti, duhet të ndalim mbledhjen e kishës dhe shërbesat për shkak të merakut të përhapjes së koronavirusit. Mund ta bëjmë këtë edhe pa hequr dorë nga bashkësia jetë-dhënëse që kemi së bashku. Prej kohësh kam paralajmëruar për rrezikun e zëvendësimit të takimeve ballë për ballë me mjete mediatike. Megjithatë, mjetet e komunikimit e zgjerojnë shtrirjen tonë ndërkombëtare edhe pse ulin pjesëmarrjen tonë fizike. Po e shtjelloj pse.

Seminari i Denverit, ku jap mësim, i ndërpreu menjëherë zhvillimet e mësimit në klasë dhe i kaloi mësimet online. Tani për tani, nuk kam kontakt me studentët e mi, duke qenë se nuk gjendem në një klasë të përbashkët me ta. Para pak kohe, unë dhe një studenti im u lutëm së bashku për një studente tjetër që gjendej në vështirësi. I kërkuam studentes të bashkonim duart ndërsa luteshim. Ajo pranoi dhe na falënderoi. Kjo gjë është e parealizueshme online. Megjithatë, në këtë botë mëkatare, do të ketë kohëra kur – si në rastin e krizës së koronavirusit – kur prezenca jonë duhet pakësuar sa të jetë e mundur. Duhet të mësoheni me “distancimin social”, në kuptimin distancim fizik. Tani afër, zhvillova mësim për herë të parë nëpërmjet aplikacionit ZOOM dhe për çudinë time, shkoi shumë mirë. Pa diskutim që ishte shumë herë më mirë, sesa të mos e zhvillonim fare mësimin.

Kishat mund të mblidhen online për adhurim dhe predikim. Kisha ime më ka inkurajuar që ta ndjekim nga shtëpia online dhe të zhvillojmë shërbesën sipas një përmbajtje që i dërgohet anëtarëve të kishës paraprakisht me email. Sigurisht që pjesëmarrja është e kufizuar dhe ndarja e bukës dhe e verës nuk mund të bëhet ashtu siç bëhet në kishë.  Gjithsesi, meqënëse në lidhjen online live duken imazhet dhe dëgjohen zhurmat e pjesëmarrësve, kjo bënë që gjithnjë e më shumë anëtarë të marrin pjesë, pa pasur frikën e infektimit.

Së katërti, duhet të tentojmë të kemi më shumë takime të qëllimshme në kishë si dhe me fqinjët tanë. Në kohëra kur firmat mbyllen, mallrat pakësohen dhe ka mungesë në shërbime, atëherë bëhemi më të varur nga kujdesi ndaj njeri-tjetrin. Amerikanët mund të qëndrojnë në izolim për sa kohë që jeta vijon normalisht. Shkojmë në punë. Marrim ushqimet që na duhen. Shkojmë te doktori. Udhëtojmë me avion nga një shtet në një tjetër. Nuk e vrasim shumë mendjen për të ardhurat apo kursimet tona. Aktualisht, shumë prej këtyre gjërave nuk janë më njësoj.

Nuk duhet të jetë një krizë botërore ajo që të na mësojë vizionin biblik të bashkësisë, e prapëseprapë ja ku jemi. Siç ka than Francis Schaeffer, 40 vjet më parë: shumë amerikanë shqetësohen tej mase vetëm për dy gjëra – paqen dhe begatinë personale. Nëse ndjehemi të sigurt dhe kemi të ardhura për të qenë, atëherë themi “Jemi mirë. Na lini të qetë!” Por kjo nuk ka qenë ndonjëherë e vërtetë, sepse mbretëria e Perëndisë kërkon shumë më tepër prej nesh! Kryesisht kur përditshmëria e jetës sonë vihet në rrezik, duhet të mendojmë thellë si bashkëjetojmë çdo ditë me njeri-tjetrin!

Kishat e para u mbollën pa mbështetje institucionale, pa prestigjin social dhe pa pushtet financiar. Konsiderohej më tepër si një kult. Të krishterët ecnin me besim dhe shfaqnin një dashuri të thellë. Ja se çfarë thotë Luka për ta:

“Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje. Dhe të gjithëve u kishte hyrë druajtja; dhe shumë shenja e mrekulli bëheshin nga dora e apostujve. Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët. Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit. Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre, duke lavdëruar Perëndinë dhe duke gëzuar simpatinë e gjithë popullit. Dhe Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar.”  (Veprat 2:42-47).

Nuk e gjej të nevojshme t’i flas lexuesit për rëndësinë e mësimeve apostolike, bashkësinë e gëzueshme, vaktet e përbashkëta (përfshirë ndarjen e bukës dhe të verës) dhe lutjen. Megjithatë  “të paturit çdo gjë të përbashkët” mund të na çojë në rrugë të gabuar. Si i bëhet me të drejtën e pronës private? Nuk po e përdor këtë pasazh për të urdhëruar pronësi të përbashkët në kisha apo kudo tjetër. Pasazhi sigurisht që nuk mbështet një sistem socialist, duke qenë se situata në ato kohëra ishte krijuar krejtësisht mbi bazë vullnetare dhe jo me detyrim nga shteti. Gjithsesi, situata në kishat e para menjëherë pas Rrëshajave, na flet kundër smirës dhe na mëson për të qenë bujar në kohë nevojash.

Në rast se modelet e jetës sonë të përditshme, do të dëmtohen në mënyrë të konsiderueshme (nuk po them që kjo do të ndodhë me siguri), atëherë kisha duhet të kujdeset që askush të mos mbetet e të mos ketë me çfarë të përmbushë nevojat njerëzore bazike. Kjo duhet të jetë përqasja jonë në çdo kohë, e sidomos në kohë kur ka pamjaftueshmëri të mirash materiale. Asnjë i krishterë të mos mbetet e të mos ketë se çfarë të hajë apo ku të flejë, kur një i krishterë tjetër ka mundësinë që të ndihmojë. Ata që janë të shëndetshëm dhe më pak të riskuar ndaj sëmundjeve të rënda nga koronavirusi, të konsiderojnë nëse mund të ndihmojnë më të riskuarit, siç janë të moshuarit dhe personat me sëmundje pulmonare. Duke bërë këtë, jemi duke i shërbyer vetë Jezusit (Mateu 25:31-36).

Tani për tani, jetojmë në kohë sfidash. Shumë biznese janë mbyllur përkohësisht. Shkollat dhe kishat duhet të zhvillohen online. Njerëzit po sëmuren dhe po vdesin në shifra të frikshme përreth rruzullit. Tutemi të përqafojmë njerëzit që duam. Çfarë do të na sjellë dita e nesërme apo muaji i ardhshëm? A do t’i rikthehet jeta normalitetit? Nuk e di. Ama, çdo i krishterë e di që Jezusi është i njëjti, dje, sot dhe përherë dhe se ai nuk do të na lërë, nuk do të na braktisë (Hebrenjve 13:5-8). Ai do të na japë mençuri dhe forcë për të jetuar në kohëra të errëta.

Përktheu: Gladiola Jani

*Douglas Groothuis është profesor i filozofisë në Seminarin e Denverit.

 

Artikulli origjinal u botua në Equip më datën 19 Mars me titull “Faithful Living Through the Coronavirus” dhe mund ta lexoni në këtë link: https://www.equip.org/article/faithful-living-through-the-coronavirus/?fbclid=IwAR0iDpjMXmVw3HOc4ttsmmuD0jjkJen9hVVBCdGL9dUoMnPgQBDsRY6MvVY.

© IJR 2020