Në mëngjes, ndërsa po kalonin andej, panë fikun të tharë që në rrënjë. Pjetri u kujtua dhe i tha Jezuit: «Mësues, shiko! Fiku që mallkove është tharë». Jezui u tha: «Kini besim në Perëndinë! Me të vërtetë po ju them se nëse dikush i thotë këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe nuk ka dyshime në zemër, por beson se ajo që thotë do të ndodhë, kështu do të bëhet. Prandaj po ju them se çfarëdo që të kërkoni në lutje, besoni se do ta merrni dhe kështu do të bëhet. Dhe kur ngriheni për t'u lutur, nëse keni diçka kundër dikujt, faleni atë, që edhe Ati juaj që është në qiell t'jua falë paudhësitë tuaja». (Marku 11:20-26)
Dita e martë fillon me Jezusin dhe dishepujt, të cilët kalojnë pranë pemës së fikut të tharë. Jezusi e përdor këtë mundësi për t’iu mësuar dishepujve dy mësime shumë të rëndësishme në lidhje me lutjen.
*
Fillimisht Ai iu bën thirrjen për të pasur besim tek Perëndia dhe vazhdon duke theksuar rëndësinë dhe lidhjen që ekziston mes besimit dhe lutjes. Por edhe përpara kësaj, Ai po i fton dishepujt e tij për të pasur një akses të veçantë në veshin e Perëndisë. Ky akses është pikërisht përmes lutjes me besim.
Ai po i fton në një marrëdhënie më të ngushtë me Atin e Tij, por kjo lidhje mund të funksionojë vetëm përmes besimit. Lutja është nuk është thjesht një shkëmbim shërbimesh, por një ndërveprim personal. Po ashtu, besimi nuk duhet parë si një monedhë magjike, që ne i paguajmë Zotit, në mënyrë që Ai të na plotësojë lutjet. Përkundrazi, besimi është përgjigja jonë ndaj premtimeve të Zotit. Kur besimi ynë është në pajtim me Fjalën dhe vullnetin e Perëndisë, atëherë mund të jemi të sigurtë se lutjet tona jo vetëm dëgjohen, por edhe se Zoti iu përgjigjet atyre.
Ky premtim dhe kjo ftesë nuk është vetëm për ata që tashmë i besojnë Jezusit, por është një ftesë edhe për ata, që ende janë nëpër udhëkryqet shpirtërore. Jezusi tha: “Të gjithë ata që më jep Ati do të vijnë tek unë, dhe atë që vjen tek unë nuk do ta hedh kurrë jashtë.” (Gjoni 6:37) Por Fjala e Perëndisë e bën të qartë se: “Pa besim është e pamundur t'i pëlqejë njeri Perëndisë, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ka Perëndi dhe se Perëndia i shpërblen ata që e kërkojnë.” (Hebrenjve 11:6)
Ai pra, po të premton se nëse i afrohesh Atij me besim, Ai nuk do të të hedhë kurrë jashtë!
**
Mësimi i dytë që Jezusi po iu jep dishepujve është në lidhje me faljen. Është sikur Ai po iu thotë: “Si mund të pretendoni që Perëndia t’ju falë, nëse ju nuk falni të tjerët? Mosfalja është një pengesë e vërtetë në marrëdhënien tonë me Perëndinë. Si për besimtarin, ashtu edhe për dikë që po e kërkon Zotin. Më herët në shërbesën e Tij Jezusi iu kishte shpjeguar tashmë në lidhje me këtë temë: “Nëse ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë edhe Ati juaj qiellor do t'jua falë juve, por nëse ju nuk do t'ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë as Ati juaj nuk do t'jua falë juve ato.” (Mateu 6:14-15)
Koncepti i faljes në Krishtërim është thelbësor dhe nuk duhet tejkaluar si diçka dytësore. Falja jonë i kushtoi Perëndisë një sakrificë të paimagjinueshme, dhe ne nuk mund ta trajtojmë atë si një gjë të kollajshme. Prandaj Jezusi e ndërlidh faljen me lutjen në një mënyrë shumë të ngushtë. A nuk është e mahnitshme që Ai, i cili po flet për faljen është i njëjti, i cili pas tre ditësh, do të thërrasë në kryq: “Atë, fali, se nuk dinë çfarë bëjnë”.(Luka 23:34)
Nëse ti nuk e kupton faljen që Zoti po të ofron, atëherë do ta kesh të pamundur të pranosh sakrificën që Ai bëri për ty.
Ftesa e Jezusit është e vlefshme edhe sot. Nëse i afrohesh Atij në lutje, me besim dhe me zemër falëse, Ai nuk do të të mohojë. A do ta pranosh ftesën e Tij?
IJR 2024